Takim mbresëlënës në Bernë, kushtuar veprave të dy shkrimtareve në mërgatë

 

Përmes një bashkorganizimi të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë, në selinë e Ambasadës së Kosovës në Bernë, mbrëmë u bë promovimi i dy librave: “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, të Miradije Maliqit  dhe “HANNA” nga Fatmire Sopa.- Në këtë organizim letrar, ku merrnin pjesë krijues shqiptarë nga Zvicra e Gjermania, u lexuan vështrime kushtuar shkrimtares, tash më të ndjerë, Miradje Maliqi që kulturës sonë i dhuroi  15 vepra letrare dhe 5 filma dokumentarë.

Teksti : Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi

Kur dikush ndahet nga kjo botë, por që ka arrit të le një bagazh vlerash kulturore e letrare dhe në anën tjetër të ketë lënë edhe kujtime të pashlyeshme me afërsinë e saj njerëzore, na duket sikur ajo edhe më tej jeton në mesin tonë dhe bashkë me ne. E tillë ishte dhe mbeti shkrimtarja e mirënjohur Miradije Maliqi, e cila sikur jetoj në katër shtete: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e Zvicër dhe kudo mbolli miqësi e dashuri njerëzore por edhe vlera arti, duke i begatuar e ngritur letrat shqipe, jo vetëm në nivel kombëtar.

Ndaj edhe me plotë të drejtë mund të thuhet se Miradije Maliqi vazhdon të mbetet një figurë e spikatur në letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke i dhënë zë dhe shpirt përvojave të shqiptarëve kudo në botë. Përmes 15 veprave të saja letrare dhe 5 dokumentarëve të realizuar, ajo ka ndërtuar ura lidhëse mes kulturës shqiptare dhe botës ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të thella në artin dhe identitetin kombëtar. Krahas kësaj, Miradija ishte një autore dhe intelektuale e shquar shqiptare, e njohur për kontributin e saj të pasur, jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në publicistikë dhe dokumentaristikë, duke iu përkushtuar me tërë qenien edhe ruajtjes së identitetit kulturor shqiptar në diasporë, u tha edhe nga zëvendsambasadorja e Kosovës, Shukrije Ramadani e edhe nga poetet dhe shoqet e Miradijes,  Shqipe Bytyqi dhe Hyrije Jusufi, të cilat me emocione recituan poezitë e mbetura në dorëshkrime nga Miradije Maliqi, te cilat i përpunuan Dan Ibrahimi dhe Shqipe Bytyqi dhe i përmblodhën në librin me titull «Të fluturosh atje ku nuk ishe».

Që në fillim të pranishmit nënë tingujt e kitarës së nxënëses së shkollës shqipe në Ostermundingen, Jela Berisha, e cila i shtoi ngjyrimin artistik kësaj mbrëmje, në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës, të pranishmit i përshëndeti, Zonja Shukrije Ramadani e cila pasi falënderoi edhe praninë e familjes së Miradije Maliqit, nënvizoi se:

“ Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jemi sot bashkë në këtë promovim, ku kujtojmë me respekt e dashuri një autore të paharruar si Miradije Maliqi, e cila me veprat e saj ka lënë gjurmë të thella në letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare.

Miradije Maliqi na mungon të gjithëve, por trashëgimia e saj letrare vazhdon të jetojë në çdo fjalë të shkruar dhe në çdo zemër që lexon veprat e saj. Ajo do të mbetet përherë një burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Njëkohësisht, shprehim vlerësimin dhe mbështetjen tonë për autoren Fatmire Zenelaj Sopi, e cila po hap shtigje të reja në letërsinë shqipe, duke sjellë risi, pasion dhe një zë të fuqishëm në krijimtarinë e saj. Fatmire Zenelaj Sopi është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe talentit, që na bën krenarë dhe na shtyn të besojmë në fuqinë e fjalës artistike për të ndërtuar ura të reja shprese dhe arti”.

Më pastaj përshëndeti përfaqësuesja e Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, zonja Monika Zguro, e cila shprehi kënaqësinë që ky takim libri mbahej në bashkëpunim të dy ambasadave dhe vlerësoi kontributin e Lidhjes së Krijuesve në Mërgatë që me përplot angazhim po e pasurojnë kulturën tonë me vepra të reja arti dhe me organizime të kësaj natyre.

Gjithashtu përshëndeti edhe poeti Musa Jupolli kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili shprehi kënaqësinë që po e përkujtojmë një antare të devotshme të LKSHM-së si* ishte Miradije Maliqi, së cilës për kontributin e saj në letrat tona i qe dhënë nga kjo lidhje Mirënjohja ”Kongresi i Manastirit”.  Edhe sekretari i kësaj lidhje , poeti Mentor Thaqi që kishte ardhur nga Gjermania , ku jeton prej vitesh shprehi gatishmërinë e LKSHM-së për organizime të kësaj natyre.

Autorja e re Fatmire Sopi me romanin e saj “HANNA” në gjermanisht ishte pjesë e interesimit dhe debatit në mesin e të pranishmëve, ndaj edhe ajo për të plotësuar kërshërinë, nga pozita e autores që me këtë vepër ka zgjuar interesim edhe te lexuesi gjermanofolës, lexoi sa fragmente  nga romani i sajë.

Ky organizim letrar u begatua  edhe me vështrime mjaft përmbajtësore nga shkrimtarët dhe njohësit e mirë të veprës së Miradije Maliqit, shkrimtarët Shefqet Dibrani e Isuf Sherifin, të cilët si edhe përfaqësuesit e dy ambasadave LKSHM-ë i shpërbleu me mirënjohje, ndërsa Shefqet Dibranit, kjo lidhje i ndau edhe shpërblimin “Penda e Artë”.

Ambienti i kësaj mbrëmje , që në hyrje të ambasadës ishte begatua me një ekspozitë të poetit e piktorit Milazim Ukëhaxhajt me disa piktura kushtuar kullave të Dukagjinit e Tropojës.

Në fund veprat e dy autoreve u ndanë falas ndërsa që nikoqiri shtroi një apero për pjesëmarrësit.