Suksesi i një shkolle: bashkëpunimi i mirë i mësueses me prindër

Në prag festes së 7 Marsi- Ditës së mësuesit  vizitova një nga shkollat e dalluara në mërgatën shqiptare në Zvicër, Shkollën ,,Rüti” të Ostermundigenit – Bernë, ku mësuesja, Idaije Jashari, krahas mësimit, zhvillon edhe një varg aktivitetesh kulturore me nxënës  

Rexhep Rifati  

Kur vizitova një pas dite më 26 shkurt  2014,  të mësimit plotësues shqip në Shkollën ,,Rüti” të Ostermundigenit – Bernë, mbeta më se i impresionuar me zellin dhe dashurinë e nxënësve të kësaj shkolle të ndarë në tri cikle, muret e së cilës ishin të mbuluara me shkronja shqipe dhe simbole kombëtare. Por, ajo që impresiononte ishte leximi i rrjedhshëm shqip dhe interpretimi i bukur nga ana e nxënësve që përgatisnin një monodramë, për festën e përbashkët të mërgatës shqiptare në Zvicër- kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Që ta duan e ta kultivojnë edhe më shumë gjuhën e tyre, ata 15 e sa nxënëse që i takova në klasë, pa dyshim se merita u përket edhe prindërve e veçmas mësues, Idaije Abdiu Jashari. Ja disa të dhëna se cila është kjo mësuese që me aq përkushtim punon me nxënësit e saj. Është me prejardhje nga Tetova ( e lindur më 02.07.1967),  ku ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin, ndërsa Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi klasor më 1987, në Shkup. Si mësuese ka punuar 12 vite, në shkollën fillore ,,Ibrahim Temo”,në Strimnicë të Tetovës. –Në Zvicër për here të parë erdha në vitin 1991, kurse nga 2001, jam këtu deri më sot. Jetoj me bashkëshortin, Asanin,i cili më mbështet e më shtynë për çdo aktivitet dhe dy fëmijët Erën dhe Bardhin, të cilët i rrisim me shumë dashuri, si atë prindërore ashtu edhe atdhetare, edhe pse rriten larg atdheut.- na shpjegon mësuesja Idaije, ndërsa praktika tregon se po këtë kujdes dhe dashuri ajo e ndanë edhe me nxënësit e saj.
Këtu në Zvicër, ajo kryen edhe disa kurse: për gjuhën gjermane, didaktikë ,metodikë, leximin e përrallave, disa kurse kompjuterike dhe vazhdon edhe më tutje me kurse të ndryshme, të cilat i shërbejnë për mësimdhënie me cilësi më të lartë. Më tej tregon se si ajo krahas me nxënës shqiptarë është e angazhuar edhe në shkollën zvicerane: – Kam filluar punën si mësuese e mësimit plotësues në vitin 2009, në shkollën ,,Rüti” të Ostermundigenit – Bern, kurse shkolla e mësimit plotësues është hapur në vitin 1995. Klasën e përbëjnë, nxënësit: Niveli I parë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Marrëdhëniet e punës dhe profesioni i mësimdhënies në shkollën shqipe , më bëri të mundur që, (në tetor të 2011) në kuadër të shkollës zvicerane të ushtroj profesionin e edukatores, edhe në Shkollën e Ditës, duke ju ndihmuar nxënësve, për detyrat e shtëpisë, punë dore, edukatë fizike, që nga nxënësit e kopshtit deri në klasën e gjashtë.

Në klasën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në shkollën ,,Rüti“, mësuesja Idaije, zhvillon mësim me këta nxënës, të cilët edhe më lanë mbresë të veçantë:   Jonela Gashi, Fatjona Halili, Bleron Halili, Rion Surdulli, Erza Cërvadiku, Erisa Bytyqi, Ardhmërie Tahiri, Eltion Krasniqi, Lirim Berisha, Azra Rexhepi, Edona Cërvadiku, Bardh Jashari, Enis Surdulli, Era Jashari, Lirjeta Berisha, Ardit Poniku, Marigona Cërvadiku. Po disa nga këta nxënës i takuam edhe në Horgen të Cyrihut me monodramën : “I kujt është ky plis?!” , ku në mënyrë të denjë e përfaqësuan “LAPSH-in “Naim Frashëri”.

Por fjalët më mbresëlënëse për këtë mësuese dhe këta nxënës, vijnë nga vet prindërit, disa nga ta edhe në faqet personale të fb: Besa N. Krasiniqit : Mësuesja Idaije është mësuesja e veçantë. Respekt për angazhimin,  vullnetin dhe punën e saj të madhe me fëmijët tanë në mesin e të cilëve janë edhe fëmijët e mi  Bleroni dhe Fatjona.  Ndërsa, Malisha Gashi shkruan:  Urime 7 Marsin e nderuara Idaije! Duam të falënderojmë për punën dhe angazhimin që e bën shkëlqyeshëm me nxënësit e tu! Angazhimi yti i pa lodhur, shfaqet në të gjitha festat dhe mbledhjet e nxënësve. I përcjell, i mëson , ju ndihmon që ata të din më tepër për gjuhën, Historinë dhe traditat tona. Dhe neve, neve si prind na bën që të ndjehemi krenar për fëmijët tonë! Faleminderit Mësuese !!

Nuk kam çka të shtoj më tepër sesa s sa kur një prind e çmon dhe e vlerëson punën e një mësueseje, profesion ky i cili për fat të keq edhe më tej nuk e ka zënë vendin e dikur në shoqërinë shqiptare, madje as në mërgatë, nëse jo materialisht, së paku bile moralisht. Krejt në fund, një falënderim e urim të përzemërt të gjithë mësuesve shqiptarë, por edhe ata prindër që fëmijët e tyre i dërgojnë në mësimin shqip!