Erdhën me strajca në krah në Zarë, që të bëhen pronarë dhjetëra lokalesh

2217

Gjatë vizitës treditore në Zarë, jo vetëm që hasa në gjurmë ilire, komunitet tejet dinamik arbnesh, por edhe prani të madhe mërgimtarësh shqiptarë, që sot janë bërë faktor zhvillimor jo vetëm për familje dhe vendlindjen, por edhe vet rrethin ku jetojnë

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Nga 6- 9 Maj 2019, u gjenda në një rrugëtim krejt vetë, me aeroplan nga Bazeli i Zvicrës për në Split të Kroacisë dhe prej andej për afro tri orë me autobus deri në Zarë për të marrë pjesë në manifestimin tradicional kushtuar arbneshëve të Zarës. Aterrimi në Split më ktheu kujtesën për më tepër se gjysmë shekull kur si maturant të Normales së Ferizajt, kur erdhëm në këtë qytet në ekskursion shkollor.

Nga ajo kohë deri më sot ka lëvizë shumëçka në këtë anë, sa ka bërë pikë e pesë një ish-shtet me tërë aparaturën dhe sistemin e tij. Madje këtu për herë të parë erdha si i ri, për tu kthyer tash sërish në pleqëri. Por ajo që nuk ka ndryshuar e as nuk plaket është dashuria për njerëzit e një trungu e të një gjaku e tradite.

Në gjurmim të së kaluarës, takova edhe më shumë të sotmen

Qëllimi dhe misioni im ishte i kamotshëm, që pas disa vizitave arbëreshëve në Kalabri e Sicili, të vizitoj edhe arbneshët në Zarë, pra arbëreshët dhe arbneshët, që i ndan një distancë kohore tre shekullore nga shpërngula e njërës me tjetrën , po nga trungu i amës apo edhe të “tatës” së tyre, siç dëgjohet edhe sot e gjithë ditën si një “gjak i shprishur”, por që përherë rrah dhe sjell gjak të freskët ndër breza.

Por, me të arrit në Zarë, në gjurmë të së kaluarës, në çdo kënd, por edhe në zemrën e këtij qyteti me shumë objekte dhe histori të bujshme që nga antika, has një prani të gjallë shqiptare. Kjo ngjet edhe atëherë kur donë të pish një kafe, të freskohesh me ndonjë akullore, të blesh një hamburger apo sandviç, apo edhe një bukë, burek e gjevrek , e pse jo edhe një stoli për më të dashurit e tu.

Thuaja se me të gjithë këta zejtar, mund të komunikosh shqip, aq më parë që ata janë nis këtu për kurbet me një strajcë bariu, për të siguruar kafshatën e bukës, për tu kthyer sot në pronarë dhe afaristë të suksesshëm e ndërmarrës perspektiv.

Kur mbyllet pazari, shqipja kumbon në çdo qoshe!

Për prani të madhe shqiptare, më së miri bindesh kur mbyllet pazari e mblidhen tavolinat e karriget që janë vendos para lokaleve në herët të mëngjesit. Sepse këtu nuk ka orar 8 orësh, por 12 e madje edhe 16 orësh! Po mos të ishte kështu shqiptarët as që do të ia dilnin që nga rrogëtarët të bëhen pronar, sa sot të mendohet mirë nga pala kroate a duhet lëshuar dikujt vizë në Kosovë, në mënyrë që ata të vijnë si shërbëtor, në mënyrë që pas dy dekadash tek ata po vendasit të punojnë punëtor krahu apo shërbëtor!

Tek kur përfundon arari i punës këta zejtarë gjejnë kohë për një kafe apo ndej të përbashkët, jo rrallë u bashkohen edhe vëllezërit arbnesh, që zbresin nga Arbreshi apo Arbanasi, siç figuron në tabelat e hyrjes në lokalitetin arbnesh. Por jeta e përbashkët në këtë qytet më të madh të Dalmacisë, ku jeton një mase e madhe e pasardhësve të fiseve ilire, e të rreth 3 mijë banorëve arbnesh, zhvillohet krahas apo bashkë me atë shqiptarëve që migruan në Zarë e rrethinë në 5-6 dekadat e fundit.

Pikëtakime me ëmbëltorë, furrtarë e argjendarë

Pastiqeritë e shumta në Zarë të vendosura jo vetëm në kënde rrugësh por edhe në zemër të qytetit, janë në pronësi të ëmbëltorëve tradicional nga Tetova e Gostivari. Madje tash ka mbërri edhe brezi i katërt. Të partë ishin ata që lanë shkopin e barit diku në malet e Sharrit dhe me një strajcë në krah ia mësynë kësaj ane të Dalmacisë, pa njohuri gjuhe, zakonesh e tradite të vendit ku planifikonin të punonin sa për një sezone, pa e ditur se një ditë edhe pasardhësit e tyre do të lindin e rriten në këto anë, por jo si rrogëtar, por edhe si zejtarë të vyeshëm, sa parën e  fituar me shumë mund e djersë nuk do ta ndalin e shpenzojnë vetëm me familjen e ngushtë por edhe vendlindjen e tyre. Pa ditur se një ditë do të tërheqin edhe grua e fëmijë këndej, për të lënë shtëpitë e boshatisura në shumë katunde të Pollugut.

Po kështu ndodhi edhe me shumë furrtar nga Zymi i Hasit, por edhe nga Klina, që tash kanë sa e sa furra, ku bëhen pjekurina ndër më të ndryshme që i kërkon jo vetëm tregu vendas por edhe ai turistik, i cili qysh tash ka sjellë me mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës e sidomos nga Lindja e largët, kryesisht kinez e japonez po edhe të tjerët.

Po në Zarë dhe përgjatë tërë Dalmacisë mu d të hasësh edhe në mjaft argjendarë shqiptar, të migruar kryesisht nga Prizreni dhe lokalitetet tjera në Kosovë, ku ka pasë një bazë zejtarie, sidomos filigrani.

Shqiptarët edhe si luftëtar, delegat e këshilltarë

Nga shoqëruesit tanë por edhe me ata që patëm rastin të bëjmë një ndej kafeje patëm rastin të mësojmë se mjaft nga shqiptarët e kësaj ane, gjatë luftës së fundit në Kroaci u mobilizuan, veshën uniformën ushtarake dhe luftuan për mbrojtjen dhe shtetëzimin e Kroacisë.

Ndërsa tash, në kushtet e paqes disa nga shqiptarët e këtushëm janë pjesëtarë aktiv të sistemit delegues nëpër bashkësi lokale e deri tek bashkia e qytetit e më gjerë në prefekturë.

Brezi i ri, shpresojmë që të ketë një fat më të mirë

Porse, brezi i tretë e i katërt, tash më ka marr rrugë pak sa më tjetër nga gjyshërit e baballarët e tyre, atë të shkollimit të rregullt e profesional për tu bërë nesër ekspertë fushash të ndryshme e për të mos ngelur vetëm si zejtar. Mësojmë se mjaft nga të rinjtë ia kanë mërsyer shkollimit, por nuk është i vogël as numri i atyre që vazhdojnë ag e terr me prindërit e tyre të ushtrojnë zejen me të cilën këtu e filluan punën baballarët apo edhe gjyshërit e tyre.

Të shpresojmë se një ditë edhe nga shqiptarët kurbetçi të ardhur me strajca për të siguruar ekzistencën të dalin emra të njohur, duke lënë gjurmë në artë e kulturë ,s i kudo që shkuan e migruan shqiptarët: