Sot 54 vjet lindi Ansambli “Kastriotët” nga Ferizaj

18 Qershori 1967, është data kur lindi ansambli i Këngëve dhe valleve “Kastriotët nga Ferizaj, ndaj edhe sot nga pozita e kryetarit të parë AKV “Kastriotët”- Ferizaj përshëndes tërë atë armatë artistësh që gjatë 54 vjetëve afirmuan në manifestime e festivale kombëtare e ndërkombëtare qytetin e tyre, por edhe duke kujtuar me respekt me dhjetëra anëtarë që më nuk janë në këtë botë, por që lanë gjurmë në veprimtarinë e bujshme të kësaj trupe artistike

Shkruan: Rexhep Rifati, kryetar i parë AKV “Kastriotët”- Ferizaj

 

Pikërisht sot, më 18 Qershor 2021, mbushen plot 54 vjet nga themelimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj. Më tepër se  gjysmëshekulli veprimtarie të bujshme me batica e zbatica. Me rastin e këtij përvjetori më tepër se gjysmëshekullor, për qytetin e Ferizajt dhe kulturën tonë përgjithësisht, u drejtohem gjithë atyre që ishin ndër vite pjesë e anëtarësisë qoftë, si këngëtarë, valltarë, instrumentistë e koreografë apo drejtues e sponsores me një urim të përzemërt për punën dhe kontributin e tyre dhënë në këtë trupë artistike.

Por njëherësh dua të kujtoj me pietet edhe gjithë ata që ishin pjesë e këtij ansambli, por që më nuk gjenden më në mesin tonë, ndërsa që për kontributin e tyre do të kujtohen ndër breza.

Nga ideja deri tek themelimi

Pavarësisht nga kjo, me shpresë se i tërë ky vit do të jetë vit jubilar për “Kastriotët”, dua të regjistroj këtë ditë me disa fjalë filluar nga momenti se si erdhi ideja dhe u ndërmorën hapat e parë për themelimi i tij:
Ideja për themelimin e kësaj trupe artistike lindi si rezultat i një klime më të volitshme politike pas Plenumit të Brioneve, por edhe si dëshirë e angazhim i një grupi nxënësish të Normales së Ferizajt, që paraprakisht organizuan një koncert në shtëpinë e sindikatave të Ferizajt. Për këtë u bisedua në mjedise shkollore e shtëpi private. Po për këtë nismë me shokët e normales Qamil Bytyqin e Ramadan D. Ramadanin, paraprakisht biseduam edhe me udhëheqësit komunal, Sinan Sahiti e Halil Buçinca nga të cilët edhe morën mbështetje të plotë.
Pas disa përgatitjeve organizative thirrëm edhe mbledhjen konstituive për themelimin e kësaj shoqërie artistike në nivel komunal, brenda ndërtesës së Kuvendit të Komunës, sepse nuk ishim për një shoqëri lokale me karakter odash apo fshati. Ky akt solemn u realizua pikërisht sot e 50 vjet më parë kur edhe emri i Kastriotëve u përzgjodh nga tre emrat e propozuar në kuvendin themeltar. Propozimi për këtë emër doli nga profesori Naim Basha, e që u përqafua nga të pranishmit pasi ndërlidhej me 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Ata që lanë gjurmë arti e entuziazmi

Në start “Kastriotët” u themeluan si Shoqëri – Kulturore Letrare, ndërsa pak më vonë Shoqëria Kulturo- Artistike, apo shkurt SHKA “Kastriotët”, gjë që ky emërtim figuroi edhe në vulat e para me përkrenaren e Skënderbeut, që na i siguroi, Halil Buçinca, një nga udhëheqësit komunal, njëherësh një dashamirë i madh arsimi e kulture.
Në këtë 50- vjetor të formimit të ansamblit, mbi të gjitha dua të kujtoj me respekt disa nga ata që dhanë një kontribut të veçantë për mbijetesën e “Kastriotëve”, por që tash prehen në amshim. Kujtimin e pashuar po e filloj me me organizatorin e shkëlqyeshëm, Hivzi Fazliu, njëherësh solist i talentuar dhe timonier që u parapriu gjitha sukseseve të “Kastriotëve” , gjë që atij i përket edhe mërita kryesore për mbijetesën dhe ngritjen e kësaj trupe artistike.
Gjithashtu, kujtoj me mall e pikëllim vdekjen e hershme në një aksident të dy anëtarëve ndër më të zellshmit, Ismet Topalli e Kadrush Stublla si dhe dy nga zërat më të mirë që pati ansambli, Nol Berisha, Feim Jupën dhe Nazmije Hoxhën, që i dha vulë të veçantë koncerteve tona jashtë Kosove, pastaj doktor Hysen Demjahën dhe arsimtarin Gani Selimi, që të dy harmonikist të shquar, koreografin Enver Futko, si dhe mësuesen Safete Ramadanin soliste si dhe arsimtarin Azem Bakoli që kreu punën e arkëtarit. Gjithashtu për kontributin e tyre në këtë shoqëri kujtoj me respekt edhe disa nga ata që ishin pjesë aktive që në themelimin e ansamblit, si : Sabri Berisha, Jahja Azemi e Faik Jashari, e të tjerë. Kërkoj ndjesë se mund të kem harruar edhe dikend pa dashje, ngase tashmë ka kaluar gjysmëshekulli nga themelimi.
Do të bëja mëkate po të mos përmendja drejtorët Qendrës së kulturës “Hivzi Sylejmani”, Ali Lubishtanin e Shukri Hoxhën. Angazhimi i Shukriut për përtëritjen e aktivitetit të “Kastriotëve” nuk pushoi as atëherë kur përballej me sëmundje dhe gjendjen e rëndë nën okupimin serb. Viza për themelimin e “Kastriotëve u përket dy ish- udhëheqësit e ferizajas, Sinan Sahiti e Halil Buçincën, siç i përket merita për mbështetjen tonë morale e atdhetare ish- kryetarit të Kaçanikut Sali Bajra, që e zgjodhëm edhe kryetar nderi të “Kastriotëve”.

Gjenerata artistësh ndër vite

Ndër vite e dekada u ndërruan gjenerata të shumta artistësh, duke bërë punë të madhe në kushte kryesisht vullnetare, qoftë si solistë, valltarë, apo koreografë e drejtues të ansamblit, disa nga ta arritën që të behën edhe instrumentistë të njohur në nivel të Kosovës, për çka merita i përket profesorit Fahri Beqiri, të cilit me këtë rast i shprehi mirënjohje të veçantë, si edhe të gjithë atyre donatorëve, kryesisht afaristë që ndihmuan me mjete “Kastriotët” dhe përgjithësisht mbijetesën e shoqatave dhe grupeve kulturore në periudhën e okupimit, por edhe ato institucione komunale të pasluftës- që i dhanë shtytje morale e financuare kulturës, ndonëse kjo ndihmë gjithsesi duhet të jetë në të ardhmen edhe më e madhe.
Krejt në fund urimi im u dedikohet artisteve që nder vite ishin pjesë e ansamblit, qoftë si solistë apo valltarë e sidomos atyre që tash e mbajnë gjallë trupën artistike me angazhimin e tyre permanent përmes pjesëmarrjes në festivale kombëtare e ndërkombëtaret. Sepse këta janë pikërisht ata që i japin rrugëtim të mbarë “Kastriotëve edhe në gjysmëshekullin e dytë, atëherë kur ne themeluesit nuk do të jemi më në këtë botë. Por megjithatë krenohemi që jemi përpjekur që Ferizajt ti lëmë një ansambël me një emër të dashur që na kujton derën e kastriotëve e traditë që do të kujtohet ndër breza.

Si lindi ideja dhe u themelua AKV “Kastriotët” ?!

Si ide për themelimin e një shoqërie kulturo artistike në qytetin e Ferizajt, merret nëntori i vitit 1965, kur edhe mbahet një koncert në shtëpinë sindikatave të këtij qyteti, më 29 Nëntor 1965. Pasi që  koncerti u tregua suksesshëm, ish- normalistët Rexhep Rifati, Qamil Bytyqi e Ramadan D. Ramadani, Fehmi Zeqiri, Mehmet Emërllahu, Ismet Topalli, Feim Jupa e vlerësuan këtë si një nxitje për themelimin e një  shoqërie kulturo -artistikë me karakter komunal. Hapi i parë ka qenë që të bëhet legalizimi dhe legjitimiteti.

Grupi nismëtar për realizimin e këtij koncepti për themelimin e një shoqëria kulturo- artistike ka qenë i përbërë nga Rexhep Rifati, Ramadan D. Ramadani dhe Qamil Bytyqi. Biseda e parë në këtë drejtim për themelim është bërë në zyrën e Komitetit Komunal të LK në Ferizaj, ku prezent ishin Sinan Sahiti, asokohe sekretar i KK dhe Halil Buçinca , anëtar i Kryesisë së LSPP. Biseda rreth kësaj teme u zhvillua në pranverën e vitit 1967.

  • Pasi i informuam për idenë për themelimin e një shoqëria kulturo-artistike që do të kultivojë kryesisht melos popullor, këngë e valle shqiptare të kësaj treve e më gjer. Pasa dëgjuan kërkesën tonë, i pari foli zotëri Sinan Sahiti, i cili e përkrahi pa rezervë idenë që ua paraqitëm. Edhe atë me këto fjalë: “ E përkrahi pa rezervë këtë ide dhe iniciativë, prapa së cilës qëndroj edhe unë. Por mbështetjen, konkretisht, do ta keni nga Halil Buçinca.- , kështu në mënyrë të përmbledhur e shpjegojnë këtë takim ideatorët e themelimit të shoqërisë.

Menjëherë pas kësaj bisede, filluam veprimet konkrete rreth zgjerimit të rrethit të njerëzve, që do të na përkrahnin në realizimin e këtij qëllimi. Që në fillim të kësaj teme, hasëm në një përkrahje të pa rezervë, përveç të disa çarqeve të sakatuara shoviniste serbe, që reagonin ndaj çdo nisme shqiptare. Pasi ishte një periudhë mbas plenumit të Brioneve, ku megjithatë merrej frymë pak sa më lirisht, ndaj vepronim më me ngulmë në sendërtimin e projektit për finalizimin e punës së kësaj shoqërie. Ndërkohë doli edhe një pengesë nga qarqe të caktuara, sigurisht me qëllime ndjellakeqe, që SHKA që do themelonim të fuzionohej në kuadër të SHKA “Nerodimka”, të cilin propozim që në start e hodhëm apriori.

Ndërkohë, në përputhje me rrethanat e krijuara paraqitet nevoja për zgjerimin e një rrethi njerëzish për mbajtjen e një kuvendi themelues. Për këtë qëllim u mbajtën edhe disa konsulta në shtëpi private, si te : Qamil Bytyqi, Rexhep Rifati, në Ferizaj,  pastaj te Ramadan D. Ramadani në Tërn, Jahja Azemi në Sllatinë dhe te Sabri Berisha në fshatin Nekodim, ku ishte i pranishëm edhe profesori ynë Esat Dauti, që u solidarizua me propozimin tonë dhe na përkrahje të pa rezervë. Shumica e aktiviteteve për kuvendin themelues janë zhvillua në shtëpinë e Rexhep Rifatit, ku janë shkruar edhe ftesat. Ndërsa, një ftesë nga Qamil Bytyqit me biçikletë i është dërguar ish- kryetarit të Kaçanikut, Sali Bajra.

Pas përgatitjeve, në fillim të qershorit 1967-të, grupi nismëtar, mori qëndrim që më 18 Qershor 1967 të thirret Kuvendi themelues. Në organizimin dhe mbajtjen e kuvendit themelues morën pjesë shumë individë, të cilët përkrahën dhe ndihmuan mbajtjen e kuvendit nga të cilët po përmendim: Sinan Sahitin, Halil Buçinca, Hivzi Fazliun, Fetah Mehmetin, Faik Jasharin, Rizah Rexhepin, Jakup Bunjakun, Nazmi Marevcin, Naim Bashën, Jonuz Topojanin, Refik Sermaxhajn, vëllezërit Baki e Bislim Kastratin, Fehmi Zeqirin, Mehmet Emërllahun, Sabri Berishën, Jahja Azemin, Osman Berishën dhe disa të tjerë. Shumica nga këta ishin edhe delegatë të kuvendit themelues.

Kuvendi themelues u mbajt më 18 Qershor 1967 , kryesuar nga Rexhep Rifati, Ramadan D. Ramadini dhe Qamil Bytyqi, ndërsa që procesmbajtës ishte Jakup Bunjaku, korrespodent i gazetës “Rilindja” i cili edhe shkoi artikullin e parë për themelimin e “Kastriotëve”. Kuvendi u mbajt në një atmosferë konstruktive. Delegatët u zotuan se do ti kryejnë gjitha detyrat që dalin nga vendimet e këtij kuvendi. Ishte interesant, që përveç diskutimeve të tjera u debatua edhe rreth emrit të shoqërisë kulturo-artistike. Ishin disa propozime, si  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Naim Frashëri”, Vëllezërit Frashëri”. Pas propozimeve të dala u lajmërua profesor Naim Basha, i cili kërkoi që shoqëria të emërtohet me emrin “Kastriotët” , që gjë u miratua unanimisht.

Nga kuvendi doli kryesia në përbërje:

Rexhep Rifati, kryetar

Hivzi Fazliu, sekretar

Ramadan D. Ramadani

Qamil Bytyqi,

Baki Kastrati

Bislim Kastrati

Nazmi Marevci

Jakup Bunjaku

Mehmet Emërllahu, anëtar

Ndërkohë u krijuan edhe aktet normative ligjore, si statuti, rregullorja e punës, vula katrore dhe vula e rrumbullakët, të cilën e ideoi dhe vizatoi Hivzi Fazliu. Në vulë emërtimi i shoqërisë figuronte: Shoqëria Kulturo Artistike “Kastriotët” Ferizaj.

Pas themelimit të shoqërisë, lindi nevoja për konsolidimin e saj me anëtarë,  kryesish solistë U mbajtën dy edicione: në sallën e vogël Kuvendit komunal dhe në sallën e kinemasë së qytetit. Grupin që e udhëhoqi erudicionin e përbënin Jakup Bunjaku, Hivzi Fazliu dhe Ramdan D. Ramadani .  Në këtë përzgjedhje dolën këta solist:

Nol Berisha,

Hivzi Fazliu

Qamil Bytyqi,

Zyrafete Fazliu,

Ismet Topalli dhe

Feim Jupa.

Në fillim kishte sa vështirësi rreth themelimit të orkestrës, ngase në qytet kishte pak instrumentist për vegla muzikore, pos mandolinës që ishte vegla kryesore muzikore në normalin e Ferizajt. Mungesa më e madhe ishte për harmonikist. Zgjidhja u gjet me doktor Hysen Demjahen, stomatolog në shtëpinë e shëndetit. Kështu u themelua orkestra në përbërje:

  • Hysen Demjaha, harmonikë
  • Bislim Kastrati, klarinetë
  • Baki Kastrati, prim
  • Fehmi Zeqiri, mandolinë
  • Adem Bilalli, kitarë
  • Jakup Bunjaku, violinë
  • Gani Selimi, violonçel
  • Kamer Avdiu, kitarë
  • Shabi Sejdiu, def

Pengesa e dytë dhe kryesore ishte mungesa e lokalit për mbajtjen e ushtrimeve, pasi që shtëpia e  kulturës i kishte të mbyllura dyert për shoqëritë shqiptare, e sidomos për shoqërinë e posa themeluar të “Kastriotëve”, me që edhe më tej aty vepronin tre acallarë me ngarkesa shoviniste, që kishin një qëndrim urrejtës ndaj kulturës shqiptare.  Për këtë arsye u detyruam të ushtronim në vende jo adekuate dhe kishim edhe vështirësi reale. Ushtronim në podrumin e shkollës së sotme fillore Jeronim “De Ra Rada”, apo në disa shtëpi apo banesa private, deri në mbajtjen e koncertit të parë në vjeshtën e vit 1967. Koncerti i parë është mbajt në shtëpinë e armatës në Ferizaj, i dyti në Shtime, i treti në Kaçanik dhe i katërti në Han të Elezit. Që të gjitha këto koncerte patën jehonë të jashtëzakonshme dhe tubonin një numër të madh të publikut. Ndodhte që një pjesë e publikut të qëndronte në këmbë, e të krijoheshin edhe atmosfera entuziaste.

Përgatitje të veçanta u bën për pjesëmarrjen e “Kastriotëve”, në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, për çka edhe patëm vështirësi edhe për sigurimin e kostumeve për anëtaret e shoqërisë. Zgjidhja u gjete nga një shitore tekstili, që na ofroi stofin për qepjen e rrobave.  Më 17 Janar 1968,  “Kastriotët” e Ferizajt, për shkak të emrit të derës së Kastriotëve,  patën nderin që të hapin manifestimin qendror në Gjakovë, ku merrnin pjesë edhe shoqëritë simotra nga trevat e ndryshme shqiptare.

Më vonë linden gjenerata e gjenerata artistësh, që çuan ansamblin përpara, falë edhe krijimit të kushteve më të mira, ndaj edhe për të gjithë ish kryetarët, këngëtarët e valltarët, orkestrën dhe gjitha ata që bënë punë të pareshtur deri më sot një urim në këtë përvjetor, me shpresë që ta presim me suksese edhe më të mëdha dhe me një manifestim jubilar edhe 55 vjetorin e themelimit të “Kastriotëve ferizajas”,