Sipas disa gjetjeve arkeologjike, kjo qytezë që përmendet që nga viti 1303, e me shkollë shqipe që nga viti 1665, tashmë ka filluar të kthehet në një fshat gërmadhë, ku çdo gjë është lënë mëshirës dhe ku shumica e banorëve me popullsi të përzierë po jetojnë buzë greminës, ndërsa që vendbanimi me pak përkujdesje mund të kthehet në një lokalitet etno-turistik
Teksti e fotot Rexhep Rifati
Janjevën e kisha vizituar disa herë gati gjysmë shekulli më parë derisa punoja si gazetar i “Rilindjes”. Atëbotë kisha shkruar për zejtarët e vyeshëm, që me shumë mundime e nxirrnin bukën e gojës, duke u marrë kryesisht me zejtari, por që përkundër kushteve nuk e braktisnin vendlindjen në masë të madhe si në tri dekadat e fundit. Rrugën e mërgimit për në Kroacie e vendet tjera e mori kryesisht një pjesë e banorëve të komunitetit kroat, ndonëse shekuj më parë ata i përkisnin me gjuhë e me doke përkatësisë shqiptare.
Por ditën e 28 Tetorit 2019 , kur u gjenda për një vizitë të shkurtër me shoqëruesin tim , biologun Shenasi Aliun me të shoqen e tij, që jetojnë në Zvicër, e gjeta një Janjevë krejt ndryshe nga ajo që e kisha pa gjysmë shekulli më parë, kryesisht të banuar me disa pleq apo fëmijë që bridhnin rrugëve, ndërsa që edhe objektin e vjetër shkollor bashkë me numër të madh shtëpish të punuara kryesisht me çerpiq që tash më ishin rrënuar.
Nga “kulla” e Ajfelit tek qyteza në braktisje!
Ndërsa që vetëm disa kilometra pa hy në Janjevë pamë një oazë tejet tërheqëse turistike, një restorant me emërtimin “Anija” ku ishte edhe një oazë gjelbërimi dhe emetimin e një kulle të Ajfelit! Ndërsa vetëm pak kilometra më vonë Janjeva të ofron një pamje zhgënjyese për çdo vizitor. Aq më parë kur sheh se si një vendbanim me një pozitë tejet tërheqëse gjeografike dhe shtëpi me pamje etnografike po i gërryen koha duke qenë të braktisura edhe nga pronarët e tyre e edhe nga dora e shtetit.
Me shkollë shqipe qysh vitin 1665
Por, mesa pash gjatë vizitës, duke i bërë një shëtitje rrugëve të kësaj qyteze, ajo nuk i ngjason asnjë fshati, me atë pamje të mjerueshme që ofron, pasi në fakt paraqet edhe një dëshmi të shoqërisë sonë, sidomos asaj politike, që atje ku nuk e sheh “profitin”, nuk bën as hapin më të vogël. Aq më keq që Janjeva njihet edhe si vatër të arsimit shqip, me që këtu u themelua një nga shkollat e para shqipe në Kosovë e edhe atë qysh vitin 1665.
Pesë shekuj më parë me ligjin e vet të xehetarisë
Po ashtu, Janjeva dikur ka qenë e njohur për xehetari, zejtari, shkrirje dhe përpunim të metaleve, artizanaleve, nga argjendi e ari, dhe në fund edhe me ato të plastikës sa në vitin 1488, ajo kishte edhe ligjin e vet të xehetarisë.
Por, ajo që e bën Janjevën edhe më të njohur në historinë e artit dhe të kulturës shqiptare është vet vendlindja e Shtjefën Gjeçovit, veprimtarit të shquar të lëvizjes atdhetare, që njihet edhe si etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar. Ndërsa që kryevepra e tij pa mëdyshje se është Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. Për shkak të veprimtarisë atdhetare e kulturore, At Shtjefan Gjeçovi, pasi më 1926 emërohet në famullin e Zymit të Hasit të Thatë, vritet në vendin e quajtur Kodër Rrezina më 14 të tetorit 1929.
Shtëpia e Gjeçovit e kthyer në muze
Ndonëse iu ofruam shtëpisë ku lindi Shtjefën Gjeçovi, të kthyer në shtëpi-muze, atë e gjetëm të mbyllur, ndaj edhe i bëmë një vizitë qytezës, ku si askund tjetër në Kosovë nuk kam has kaq shumë shtëpi të vjetra e të rrënuara, por të rrënuar nga skamja e mjerimi edhe ata pak banorë që takuam rrugëve të këtushme, tejet të ngushta e gjysmë të asfaltuara. Mësojmë se në ditët e sotme, komuniteti pakicë i kroatëve që jeton në Janjevë, lufton për mbijetesë dhe përballet me kushte shumë të rënda ekonomike, gjë që edhe është arsye për largimin e shumë banorëve, të cilët si edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve të këtushëm që kërkojnë jetë më të mirë
Dhunës serbe nuk i shpëtoi as Janjeva
Derisa kthehej në shtëpi me dy bukë nën sqetull takuam, plakun 86 vjeçar, Frano Gashin, i cili pos që na foli për mjerimin në të cilin ka rënë një pjesë e madhe e banorëve të këtushëm na e tregoj edhe një shtëpi afër kishës, ku dukur në kohën e Rankoviqit policia serbe kish shti shumë njerëz në torturë për shkak të pikëpamjeve atdhetare. Gjendja ka bërë që një pjesë e madhe e popullsisë së këtushme të regjistruar si kroate, të jenë shpërngulur për kushte më të mira për Kroaci.
Ndërkohë vizituam edhe kishën katolike, rrethuar nga shumë shtëpi, kryesisht të rrënuara, por edhe ca prej tyre me një pamje të veçantë arkitektonike, tejet tërheqëse për objektivat e reporterëve, që me një investim sado të vogël do të mund të kthenin Janjevën në një vendbanim tejet atraktiv etnograf-turistik.
Investimet në infrastrukturë të domosdoshme
Edhe nga shkrime të vizitorëve të tjerë, se banorët e Janjevës kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’ua mundësojnë fëmijëve të paktë kroat që jetojnë në këtë vend, që të mësojnë në shkolla në gjuhën e tyre amtare kroate. E po ashtu sipas tyre, do të ishin të nevojshme investimet në kulturë, sport dhe në infrastrukturë, në mënyrë që t’ju lehtësohej jeta kroatëve që jetojnë në Janjevë. Krahas tyre edhe pjestarëve të komuniteteve të tjera që jetojnë në këtë qytezë që gjithsesi meriton një trajtim dhe përkujdesje më të mirë.







































