Shoqata Patriotike «Çamëria» me rastin e 30-vjetorit të themelimit organizoi promovimin e librave “Misioni» të shkrimtarit Hekuran Halili dhe “Çështja Çame gjatë Luftës së Dytë Botërore” të studiuesit Lorenc Agalliu.- Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi: “Sikur politikanët shqiptarë t’i kishin lexuar këto libra për Çamërinë padyshim që Shqipëria do të ishte shumë e dinjitetshme për të mbrojtur interesin kombëtar”
Nga faqja e Shoqatës Patriotike «Çamëria»
Në aktivitetin e organizuar në mjediset e Kalasë së Tiranës (javën e kaluar) ishin të pranishëm dy autorët, Kryetari i Shoqatës Patriotike «Çamëria», z. Hektor Sejko, Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, Kryetari i Fondacionit «Hasan Tahsin», z. Alket Veliu si dhe miq e të ftuar të nderit.
Në fjalën e tij, z. Halili ndër të tjera tha se, “çdo çam është një misionar. Ndaj edhe libri “Misioni” është një përpjekje për të rrëfyer historinë tragjike të Çamërisë përmes letërsisë”.
Studiuesi Lorenc Agalliu, u shpreh se, “ka pasur një zbrazëti për shqiptarët e Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përmes kësaj monografie është faktuar rezistenca çame gjatë luftës dhe janë hedhur poshtë akuzat e bashkëpunimit me pushtuesit. Popullsia çame ka qenë e përfshirë aktivisht dhe ka dhënë kontribut në luftën antifashiste”.
Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi me këtë rast i cilësoi botimet si promovime të dinjitetit dhe të vlerave të Çamërisë, me rëndësi si në aspektin letrar edhe në atë historik. “Sikur politikanët shqiptarë t’i kishin lexuar këto libra për Çamërinë padyshim që Shqipëria do të ishte shumë e dinjitetshme dhe shumë e mbrujtur me argumente për të mbrojtur interesin kombëtar”, theksoi ai.
Për Drejtuesin e Fondacionit «Hasan Tahsin», z. Alket Veliu, «mision i këtij Fondacioni është pikërisht promovimi i historisë dhe personaliteteve të Çamërisë». Në përfundim të promovimit të dy autorët patën mundësi të bashkëbisedonin me të pranishmit në lidhje me disa nga ngjarjet e rrëfyera në të dy librat
Edhe tenori i njohur Kastriot Tusha, pati me mesazh në 30-vjetorin e themelimit të Shoqatës Patriotike «Çamëria»:
«Çamëria është shqiptare dhe e tillë do të jetë përjetësisht. Shoqata Patriotike «Çamëria» duhet të jetë model i shoqatës që me veprimtarinë e saj atdhetare dhe kulturore të ndihmojë në sensibilizimin e opinionit publik për çështjen e pazgjidhur çame.
Edhe unë, ÇAM jam!»
Në kuadër të “Javës Çame”, Shoqata çeli, gjithashtu në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën “Spastrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshevës” me foto nga këto dy treva shqiptare. Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave. Shoqata Patriotike “Çamëria”, e cila këtë janar kremton 30-vjetorin e themelimit të saj, ka ngritur zërin për shqiptarët e Preshevës dhe ka kërkuar që historia e Çamërisë të mos përsëritet. Në kuadër të kësaj jave u shënua edhe jubileu i 30 vjetorit të Gazetës «Çamëria».
(Nga faqja e fb Nën Një Flamur, që regjistroi këtë eveniment promovimi, shkëputëm edhe fotot për këtë postim në portalin tonë me shpresën se edhe në të ardhmen do të kemi shkrime nga aktiviteti i Shoqatës Patriotike «Çamëria» )