Në kohën kur fjalët zhduken, arti flet.
Tekstet e këngëve shumë të njohura dhe të dashura për mbarë shqiptarët, mund t’i shihni të gërshëtuara në veprat artistike të Samedin Asllanit.
‘Baresha’ dhe ‘Pranvera në Prishtinë’ janë dy pikturat e realizuara nga Asllani, të cilat brenda vetes përmbajnë vargjet e këngëve nga Nexhmije Pagarusha dhe Sabri Fejzullahu.
Me punën e tij artistike Asllani bën të mundur njohjen dhe ekspozimin e kulturës shqiptare në shumë galeri të ndryshme të botës, ndër to edhe në Zvicër ku vetë është shpërngulur në vitin 1933.
Në artin e tij, pos tjerash, mund të vëmë re shumë elemente që tregojnë se ai është njohës i traditës shqiptare qysh nga emërtimet e pikturave siç janë: Oda, Chanson de Rexha (Kënga e Rexhës), Cuca e Maleve, ku kjo e fundit ka 380 kopje që janë në pronësi të personaliteteve të shumta anembanë botës.
Vlen të përmendet se në ekspozitën e tij në 2017 në Galerie du Faubourg ishte e pranishme ish-ambasadorja e Kosovës në Zvicër, e cila pohoi se shpeshherë artistët janë ambasadorët më të mirë të vendit dhe se rendësia e artit është e madhe pasi krijon urat mes popujve.
Willy Hunt, piktor, në anën tjetër vlerësoi punën artistike të Asllanit duke thënë:
‘Jam shumë i impresionuar nga ky artist. Ai ka më të vertetë një origjinalitet, kualitet dhe imagjinatë të habitshme.’
Në postimin e tij të fundit Asllani tregon se ekspozita e tij personale e radhës hapet ditën e enjte me 28 prill nga ora 17:00 në galerinë Escape 52 në Saint – Sulpice në Zvicër.
























