Shoqata Bytyçi në Tiranë shënoi Ditën e Nënave dhe 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Dje një grup i përbërë nga Kosova, Maqedonia e Veriut e mërgata, ishim mysafirë të Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë-Prizren”, shoqatë kjo që falë kryetarit të saj tejet të zellshëm, avokatot Agron Isa Gjidea, po bënë përpjekje të vazhdueshme për promovimin e festës së Plisit si festë mbarëkombëtare.

Programin e djeshëm, që përfshinte edhe një ekspozitë fotografish të mësuesve e nxënësve të periudhave 1941-45, të veshur me plisa, falë ministrit të arsimit Ernes Koliqi, si dhe një program tejet simpatik me këngë e valle tropojanë dhe të regjionit të fisit Bytyç, pati rastin ta përcjellë edhe një grup arbëreshësh nga Hora e Arbëresheve në  Sicili, në krye me Giorgio Cuccia, të cilët mbetën të impresionuar me mikpritjen e nikoqirëve. Në përcjellje të arbreshëve ishte edhe gazetari i RTSH, Beni Tafili, ndërsa grupin e ne kosovarëve e përbënin: inxhinieri Jakup Reka, gazetari dhe kameramani Zenel Hajrizi dhe profesor Sallah Jonuzi bashkëmërgimtari im në Zvicër. Aty takuam edhe fotografin e mirënjohur gjakovar Shkelzen Reka, një njohës dhe realizues i mirë fotografisë artistike.

Me këtë rast takuam edhe mjaft të moshuar nga fisi Bytyç, nga ta mësues, shkrimtarë, gazetarë e të tjerë, gjë që kjo na dha mundësi të njihemi edhe më shumë mes veti . Ky manifestim ishte edhe një dëshmi se si fisi bytyç i kushton shumë kujdes ngritjes dhe afirmimit të gruas në shoqërinë shqiptare ku jeton dhe vepron.

( Tekstin e fotot nga Rexhep Rifati)