Nuk ka qenë një fundjavë shumë e frytshme për bashkëkombësit tanë në Superligën e futbollit zviceran. Pas pesë golave javën e kaluar, vetëm një gol është shënuar nga shqiptarët këtë javë. Edhe ai erdhi nga Shkëlqim Demhasaj.
Sulmuesi i Luzernit shënoi golin e vetëm në humbjen e thellë të skuadrës së tij, 1-4, nga kampionët aktual, Baseli. Tek mysafirët Taulant Xhaka luajti tërë ndeshje duke u zverdhur, derisa Albian Ajeti qëndroi në fushë për 70 minuta.
Tek Luzerni, Demhasaj shënoi në minutën e 18të para se të zëvendësohej në minutën e 77. Nëntë minuta më vonë, Hekuran Kryeziu u përjashtua nga loja për shkak të ndërhyrjeje të palejuar.
Edhe Laussane humbi këtë javë, 0-2 nga Zurichu. Benjamin Kololli kaloi 90 minuta në fushë, derisa Andi Zeqiri u fut në minutën e 83të në lojë.
Në duelin e shqiptarëve ndërmjet Sionit dhe Grasshoppersit, të parët dolën fitues me rezultat 3-0. Kasami e Kukeli kaluan nga 90 minuta në fushë, me Burimin në rolin e qendërmbrojtësit kësaj radhe, derisa tek mysafirët Avdijaj nuk arriti të shënoj as për 90 minuta pas dy-golëshit të shënuar javën e kaluar. Ngjashëm edhe Nedim Bajrami nuk pati ndonjë kontribut në listën e shënuesve për 90 minuta sa kaloi në fushë.
Në fitoren e St. Gallen në rrugëtim ndaj Thun, 2-1, Gjelbrim Taipi pati kontributin në lojë për 64 minuta para se të zëvendësohej.
Në renditje prin Young Boys që vazhdoi serinë e fitoreve duke mposhtur Luganon me rezultat 2-1.
Renditja pas javës së 16të
- Young Boys 36
- Basel 29
- Zurich 25
- St. Gallen 24
- Grasshopper 23
- Lausanne 19
- Sion 17
- Lugano 16
- Thun 15
- Luzern 14



















