Mblidhet bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës

84

Telekomi i Kosovës, ka njoftuar se më 1 nëntor 2019,  nga ana e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë – International Chamber of Commerce (ICC), ka pranuar njoftimin se Dardafon.net (Z-Mobile) ka paraqitur Padi kundër Telekomit të Kosovës, kjo në lidhje me mos-vazhdimin e Marrëveshjes për Operatorin Mobil Virtual (MVNO) të vitit 2009 (Marrëveshja me MVNO).

“Nga njoftimi i pranuar nga ICC sqarohet se Dardafon.net ka kërkuar që të lëshohet një Masë e Sigurisë në atë mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me MVNO dhe të vazhdohet ofrimi i Shërbimeve për klientët e Z-Mobile, dhe që Telekomi i Kosovës të paguaj dëmshpërblim”, thuhet në njoftimin eTelekomit, përcjell Telegrafi.

“Bordi i Telekomit ka mbajtur një mbledhje urgjente sot me datë 02 nëntor 2019, kjo së bashku me Menaxhmentin, ku janë adresuar hapat e ardhshëm të përgjigjes në Padi dhe procedurën”.

“Bordi i Drejtorëve siguron aksionarin, sindikatën, dhe publikun që të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me mos-vazhdimin e afatit të validitetit të MSA-së me Z-Mobile janë marrë në tërësi: a) Në pajtim me ligjin e aplikueshëm, dhe b) në pajtim me të dhënat financiare dhe ekspertizat teknike ndërkombëtare qe kane sugjeruar te mos vazhdohet kjo kontrate”.

“Faktor kyç në Vendimin e Bordit të Drejtorëve për mos-vazhdimin Marrëveshjes së MSA-së me kushte të njëjta ka qenë Raporti i Ekspertëve Financiar dhe Teknik ndërkombëtar, të cilët kanë kuantifikuar dëme dhjetëra milionëshe në baza vjetore nga Kontrata me Z-Mobile. Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve është bazuar edhe në opinionin e ekspertëve ligjor për mundësinë e mos-vazhdimit të Kontratës”.

“Mbi këto rrethana, ka qenë e qartë se vendimi për të mos-vazhduar Kontratën me Z Mobile është bërë në të mirën e Telekomit dhe të qytetarëve. Në këtë drejtim, Bordi i Drejtorëve do të angazhohet që edhe përfaqësimi në arbitrazh të jetë profesional dhe që të dëshmohen dëmet e shkaktuara nga Z – Mobile”, njofton Telekomi. /Telegrafi/