SHKSHZ shënoi Ditën Botërore të Poezisë me përurim librash

Në lokalet e Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, u bë përurimi i veprave: « Zonja me të kuqe », roman nga Majlinda Nana Rama, si dhe dy përmbledhje poezish: “Në krahët e ëndrrës“ nga  Fatmire Zenelaj-Sopa  dhe  „Muranat e muzgut“ nga Shaip Beqiri

Teksti: Bujar Salihu
Fotot: Rexhep Rifati

Më 20 mars në lokalet e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, në prani të një numri artdashësish të ardhur edhe nga kantone tjera të Zvicrës , Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër  në bashkorganizim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, shënoi Ditën Botërore të Poezisë me përurimin e tre librave.

Ceremoninë e  festimit të kësaj dite e shpalli të hapur z. Shukrije Ramadani, u.d. e Drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih. Duke i përshëndetur të pranishmit ajo shprehu kënaqësinë që komuniteti kulturor në Zvicër gjithnjë e më shumë po shfaq shenjat e një organizimi të mirëfilltë kulturor. Në nderim të kësaj feste dhe në nderim të krijuesve të shumtë erdhi edhe I ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Bernë z.Mustafë Xhemaili dhe Ministri Këshilltar në Konsullatën e Kosovës në  Cyrih z.Islam Spahiu.

Më pas u kalua në përurimin e librave, « Zonja me të kuqe » roman nga Majlinda Nana Rama, botim i Shtëpisë Botuese « Toena » nga Tirana,  ishte vepra e parë që u përurua. Do theksuar se Majlina Nana Rama ndonëse e re në moshë, ajo tani është bërë emër i njohur në letrat shqipe. Fituesja  e shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare erdhi enkas nga Tirana për të komunikuar me lexuesit e saj. Për vlerat artistike të këtij  romani  referuan Mustafë Xhemaijli dhe Muharrem Blakaj, kurse një recension të kritikut Akademik Ali Aliu për këtë vepër e lexoi Dan Kosumi. Referuesit vlerësuan lartë vlerat letrare e artistike që mbart ky roman, e po kështu edhe temën që trajton…

Fatmire Zenelaj-Sopa erdhi me përmbledhjen e saj të dytë poetike “Në krahët e ëndrrës“  botim i Shtëpisë Botuese „Naim Frashëri“ nga Fushë Kosova, për të cilën vepër referoi Bujar Salihu i cili krijuesen e re e vlerësoi jo vetëm për përkushtimin e madh, por edhe për talentin e saj të theksuar, për të krijuar  varg të qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe me plotëni figurash e variacionesh, të sublimuara brenda tekstit letrar.

„Muranat e muzgut“ e Shaip Beqirit, ishte libri i tretë të cilin SHKSHZ zgjodhi për t’a përuruar. Vështrimin  kritik mbi këtë përmbledhje poetike e kishte përgatitur Majlinda Nana Rama, ajo e vlerësoi lart poezine e Beqirit duke theksuar se Shaip Beqir është një shkollë poetik nga e cila duhet të mësojnë sidomos gjeneratat e reja.

Në fund autorët u përgjigjen në pyetjet e shumta të të pranishmëve, duke krijuar kështu një atmosferë të këndshme letrare e miqësore. Për të pranishmit u shtrua edhe një apèro.

(Përmes disa fotove nga ky eveniment po japim një pjesë të atmosferës së këtij takimi letrar)