Shkolla “Skanderbeg” në Hora e Arbëreshëve, oazë e pashtershme gjuhe, dije  dhe tradite kombëtare

Një nga ngulimet më të rëndësishme arbëreshe në Italinë e Jugut, Hora e Arbëresheve (it. Paana degli Albanesi), më 17 Nëntor të këtij viti edhe njëherë u dëshmua bashkë me vet këtë qytezë, se është oaza më e rëndësishme e ruajtjes së gjuhës, traditave, riteve dhe simboleve kombëtare. Kjo e vërtetë u përsërit edhe me rastin e inaugurimit të shkollës së vjetër me emërtimin  e kryetrimit tonë “Skanderbeg”, të posa rinovuar.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Gjatë shtegtimeve të mija nëpër ngulimet arbëreshe, bashkë me shoqëruesit e mi: Osman Osmani, Gjergj Prenkoçaj dhe Hazir Mehmeti, edhe pse kemi  vizituar edhe vendbanime të tjera arbëreshe, qoftë në Kalabri, Sicili apo edhe në krahinat më veriore ku jetojnë arbëreshët, asnjëherë nuk kemi përjetuar një mbresë dhe një kënaqësi më të madhe se kësaj radhe me pritjen e befasuese shumë të përzemërte të vëllezërve arbëresh e sidomos përjetimin me rastin e ceremonisë së inaugurimit të godinës së shkollës së porsa rinovuar, ku nxënësit kënduan e recituan edhe në gjuhën shqipe, duke treguar se këtu gjuha e traditat tona, përkundër globalizmit në rritje, të shpresojmë se nuk do të shuhen kurrë, aq më parë që shqipja, gjegjësisht arbërishtja është gjuhë e folme edhe në familje, rrugë e vende publike. Por, gjithashtu në këtë qytezë arbëreshe me rreth 7 mijë banorë, ruhet edhe një thesar i çmueshëm në dy biblioteka të mëdha, për të cilat do të flasim në një rast tjetër. Gjurma më e dukshme identitetit të fortë etnik është gjuha arbërore, e folur nga të gjithë banorët. Këtë të folme e dëgjuam tek banorët e moshave të ndryshme gjatë gjithë vizitës. Por edhe të shënuar në emra rrugësh, dyqanesh e sheshesh. Arbërishtja edhe më tej jeton si gjuhë amtare dhe paraqet mjet kryesor komunikimi. Me një fjalë: qytetarët janë dygjuhësh, përdorin shqipen dhe italishten. Megjithatë, gjuha (gluha në arbërisht) e vendit është gjithmonë në rrezik, sidomos  për fëmijët, që gjuhën amtare në shkollë e kanë prioritet të dytë.

Puna më e madhe, në të kaluarën e edhe sot për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit arbëresh i përket kishës arbërore (riti bizantin-ortodoks), pasi priftërinjtë gjithmonë, që nga mërgata e parë, kanë kultivuar, shkruar dhe studiuar gjuhën arbëreshe/shqipe. Këtë e vërejtëm edhe gjatë vizitë kur në Katedralen e “Shën Mitrit Dëshmor i Madh“, ligjërohej shqip. Kisha, që është ndër më të mëdhatë në Hora,  është e ngritur më 1590 dhe stoliset me një abazhur me shqiponjës dykrenare. Sa për ilustrim, dy rreshta për rëndësinë e gjuhës tek arbëreshët: “Arbëresh këngë thoni, Gluhën e lartë të mos e harroni!”…

Për këtë pohim si dëshmi gjatë kësaj vizite ishte edhe momenti i bekimit në gjuhën arbërore me rastin e rihapjes së shkollës së rinovuar, ku prifti si brenda ashtu edhe jashtë godinës shkollore i bekoi fëmijët për shëndet, sukses në mësime dhe ruajtjen e traditave kombëtare.

Në fjalën e tij, Kryetari i komunës së Horës së Arbëreshëve ( Piana degli Albanesi), z. Rosario Petta, i veshur në petkun solemn, përplot entuziazëm për motivimin e brezit të ri, pasi që përshëndeti nxënësit dhe mësimdhënësit duke u dëshiruar shumë suksese në mësime, nuk harroi të përshëndes edhe pranin e ekipin tonë. Dhe pasi me këtë rast folën edhe vetë drejtuesit e shkollës “Skandërbeg” dhe mësuesja e mësimit arbërisht,  veprimtari i palodhshëm i Horës, Giorgio Cuccia na prezantoi para të pranishmeve, duke më ofruar edhe mua fjalën, meqë rast përgëzova nxënësit, mësimdhënësit dhe autoritetet për suksese të reja me dëshirën që gjuha amtare arbërishtja, gjegjësisht shqipja të ruhet e kultivohet, por edhe që të shtohen këmbimet e vizitave me trojet etnike shqiptare nga trojet stërgjyshore të vet arbëreshëve.

Më pas ekipi ynë pati edhe një pritje te kryetari i komunës, ku valon flamuri kombëtar si brenda zyrës ashtu edhe në ballkonin e godinës së Bashkisë së Horës.

Edhe dy fjalë sa i përket Horës: Ajo u themelua në 30 gusht te vitit 1488, ndërsa, që banoret u shpërngulën ne ishull në vitet 1480, kur osmanet sulmuan trojet shqiptare ne Adriatik.

Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Ndërsa që edhe toponimet në rrugë e në lagje janë dygjuhëshe.

( Me këtë rast krahas ca foto nga manifestimi shkëputa edhe dy video, njërën nga këndimi i së “Bukurës More” dhe nga fjala ime përshëndetëse)