Shëtitje me shije – Poezi

Shëtitje me shije

Mëngjes ora shtatë e gjysmë
Pjesë e tretë e këtij dhjetori
Që lë gjurmë e shenja të veta
Si kampionat i sapopërfunduar botërori

U jap urdhër këmbëve të ecin
Ato s’bëjnë zë e s’kundërshtojnë
Brymë ka rënë aty ku mund të binte
Një mjegull e lehtë vallëzon

Hapet koha qielli ngadalë ndritet
Hapa dielli hedh ngadalë
Hapë syrin dhe tash përgjumja i kalon
E bëhet top i artë

Hedh hapa të lehtë trotuarit të qytezës
Grupe nxënësish marshojnë për në shkollë
Kam harruar bllokun e vizatimit thotë dikush
Derisa një grup pëllumbash në qiell fluturojnë

Në ndonjë vend ndonjë trëndafil dhjetori
Ngjyrë shege paksa i zjarrtë
Mbuluar me një shtresë bryme të hollë
Një pamje plot shije qëndisur me art

Rrugës fillon ndonjë ëndërrim syhapur
Diç të ngacmon e zgjohen dëshira
Ec ngadalë e qetë si të kishe kohën e gjithë botës
Sot të pëlqen të shohësh veç gjërat e mira

Pas një ore kur kthehesh në strehë shtëpie
E lë larg edhe atë strehë stacioni
Ku autobusë e trenë janë fqinjë të parë
Me zhurmërima e fishkëllima ju bashkëjetoni

Hap derën për të hyrë brenda shtëpisë
Tash kur ora është tetë e gjysmë
Shoh derën e dhomëpritjes që hapur rri
Dhe e gëzuar më fton që të hyj

Një befasi e këndshme me dritë e magji
E shoh që me rreze e dielli paskan përgatit
Dhe hy i kënaqur e paksa ballëlartë
Duke ecur nëpër tepihun e artë