Dedikim dashurie (poezi)

Në sytë e tu zbrazëti
E thellë
sa dhimbja
Që përgjakshëm gërmove
Në shpirtin tim ndër vite
Duke m’a përshkruar
Si dashurinë
Që mund të japësh ti

Vrragat e thonjëve tu
Udhërrëfyes rrugës për lumturi
I ndiqja unë
I thirrja me nofka përkëdhelëse
Ato gurvarre të vëna nga ti
Me dinakëri

Shpirti yt akull
Më i ngrirë se ngrohtësia
Që më ofrove me lehtësi
Më copëtonte ngadale
Duke shijuar shuarjen time, ti

Ankthet lemeritëse të natës
I dua tani,
Më ngushëllojnë me prehjen e harresës
Mëngjesi i nesërm gijotinë katile
Me dedikim dashurie nga ti

Luljeta Aliu, Prishtinë, 18.11.2016

[divider]

Luljeta Aliu
Luljeta Aliu

Luljeta Aliu është duke doktoruar në Shkenca Politike në Nurenberg të Gjermanisë me fokus Marrëdhëniet Transatlantike. Ajo ka mbaruar studimet interdisiplinare për Shkenca Politike, Letërsi Gjermane dhe Të Drejtën Ndërkombëtare në universitetin e Cyrihut, Zvicër, ku edhe ka shkruar master për vendimmarrjen ushtarake në misionet shumëkombëshe. Fushat e saj të interesit shkencor janë politikat ndërkombëtare të sigurisë, politika e jashtme, gjeopolitika dhe mobilizimi social. Ajo është edhe aktiviste e shoqërisë civile në Kosovë dhe si njohëse e çështjeve politike, kontribuon përmes analizave dhe shkrimeve të saj në mediat kosovare. Luljeta Aliu shkruan për gazetat në Kosovë dhe gazeta zvicërane…