„Qysh e do shoqnia” e “Qysh na do hasmi”

Nga muzgu i komunizmit jugosllav, dasmori para festës duhej ta prezantonte në polici repertorin e këngëve që do të këndoheshin në dasmë. Patjetër që kjo vlente vetëm për shqiptarët. Një zbulim i Republikës Socialiste të Maqedonisë. Sistemi donte të sigurohej që nuk do të kishte këngë që i zgjonte ndjenjat komëtare të shqiptarëve. Sigurisht që urdhri kishte për qëllim disiplinimin e përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni. Dhe afatgjatë, me stacion fundor çorientimin e tyre kulturor e identitar.

Duke mos dashur ta humbiste këtë moment të shënuar për familjen, festën e trashëgimtarëve që do të trashëgoheshin, dasmori zgjidhte këngë pa zarar. Të pranueshme për regjimin e huaj. Kompromise që nganjëherë i pikonin gjak në zemër! Në këngët e dasmave të tyre mazalla të përmendej Skënder e Enver, Shqipëri e Arbëri e Iliri, flamur e kuq e zi… Përnjëherë ndryshoi gjeografia, historia, folklori, ngjyrat. Do të krijoheshin rite pa tradita, pa kujtesë, pa referenca, pa mesazh.

Kështu Shkdora s’kish më shumë bukuri, as bënte Myslim Lela në Tiranë derman për gjithë dynjanë, as merje rrugën për Shijak, as ish i bukur Elbasani, as i kish fisnike gratë Leskoviku gur i thatë, as kish prita Albulena, as përzihej Perzereni, as ish mbajtur mbledhi në Prishtinë, as t’merrte malli për lulëkuqen e Gjakovës, s’e di a shkoje nuse rrethit Gjilanit, po nata Korçën s’e mbulonte, as…, as… Dhe u rrëgjua dasma shqiptare. Ajo u katandis në këngë të tipit „Qysh e do shoqnia, flakë le t’kallet shpia“. Dhe i vu flaka këngës shqipe.

Me sa e kujtoj dhe e kuptoj, ndalimi nuk kufizohej te teksti i këngëve. Sistemi e dinte mirë atë që s’e dinë sot institucionet shqiptare: Muzika dhe kënga që kultivon paraqet një instancë socializuese, e cila e formon shijen artistike, por edhe identitetin kulturor e aspiratat e njerëzve. Një këngë që ia thua kur i lëshon dhentë në livadhe, që e këndon vetëmevete në banjo, apo ia merr me miq në festa, tregon kush je, çfarë edukimi ke, ku të fle shpirti dhe ku të rri mendja.

Provohej të negociohej për kalimin e një kënge, po shumë hapësirë nuk kishte. Sepse në dasmë do të gjendej një spiun, që të nesërmen pa zbardhur drita do të „këndonte“ në polici. Këtu nuk bënte pare as parja. Inspektori i instruktuar nga ata që nuk dremitnin duke kërkuar „zgjidhje për çështjen e arnautëve“, do t’i kishte sugjeruar dasmorit që në repertor ta fuste një valle sllave, duke i shkelur syrin sikur t’i kishte kryer ndonjë shërbim të paharruar: „Kështu bën, me këtë kalon edhe ajo kënga juaj…!“

Me gjasë, nga këtu shqiptarëve iu ngeli peshqesh ajo „Pajdushka“ e shpejtë, me të cilën mbyllen dasmat tona. Dhe sot programet muzikore të medieve shqiptare kanë repertorin e dasmave, të cilat kanë të njëjtin avaz si ato të kohëve të shtrënguara të komunizmit. Këto programe muzikore të televizioneve private dhe publike! inspektori maqedonas do t’i kishte nënshkruar me të dy duart. Ato janë kryekëput kompromise me vlerat artistike dhe etnike. Kështu shqiptarët janë katandisur, siç e ka thënë Fishta, „qysh i do hasmi”!

Këngëtarët sot shfaqen në televizion vetëm për t’u promovuar për dasma. Duke u tundur e duke u shkundur. Duke u hedhur e duke u përdredhur. Duke u çjerrë e duke vajtuar. Duke iu fryrë damari i fytit e iu fryrë damari i ballit. Edhe ata që mbahen si më të mirët. Që paguhen më së majmi. S’përmenden emra, sepse janë shumë. Dhe kur janë shumë më të mirët, është keq! Ata janë të gjatë e të shkurtër, të hollë e të trashë, të rinj e të moshuar, me syze e me mjekra, me xhinse e me kostum, të veshur e të zhveshur… Gra e burra. Çengi!

Kompozitorët dhe aranzhuesit e këngëve të tyre – këngë u thënçin e kompozitorë u thënçin atyre! – janë pa shkollë muzike dhe pa njohuri muzike. Pa ndjeshmëri kulturore dhe identitare. Të formuar nga spektaklet e televizioneve jugosllave dhe ballkanike. Të magjepsur nga protagonistët e këtyre kulturave fqinje, po e marrin në qafë muzikën popullore shqiptare. Zhurmaxhi të pazotë që të krijojnë në kulturën e tyre dhe për ta pasuruar atë.

Në hak të madh këngës popullore shqiptare i kanë hyrë autorët e teksteve të këtyre këngëtarëve. Autorë të pakënduar të teksteve për këngë. Mediokër të rritur nga lavdet e klientëve të tyre pa pretendime dhe nga honoraret e çmendura të këtyre të pasuruarve pa mund e pa vlera, të cilët për dekada nuk janë të zotë ta thurin vetë një tekst kënge të mirëqenë për veten e tyre. Tekstet e këtyre këngëve s’kanë as gjuhë, as frymëzim, as ide, as imagjinatë, as muzikalitet. Ata jenë përçmues dhe dhunues të gjuhës dhe dhe këngës shqipe.

Producentët dhe redaktorët e televizioneve mund t’u kryejnë një nder të paharruar shqiptarëve duke i shpallur „non grata“ çengitë. Që këmba e tyre të mos shkelë në studiot e televizioneve dhe hunda e tyre të mos duket në ekran dhe zëri i tyre të mos pipëtijë në eter. Në vend që dasmat të marrin vlerat e programeve të konceptuara muzikore, ato bëhen shëmbëlltyrë e hedonizmit të dasmave. Sepse këta e kanë të përbashkët injorancën artistike, indiferencën kulturore e lakminë për përfitime materiale. Gjithsesi udhëhiqen nga leku.

Për fat të mirë, në secilin rast ka përjashtime! Dhe puna e këtyre duhet vlerësuar aq më tepër!

Në fund, shteti e ka për detyrë mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave kulturore të një shoqërie. Për këtë ai ka krijuar ministri, komisione, agjenci dhe borde. Ai e ka në dorë imazhin dhe zërin e këtyre medieve. Ai i shpërndan frekuencat e televizioneve dhe të radiove. Ai i ka të gjitha autorizimet t’i disiplinojë abuzuesit me vlerat e përgjithshme. Por ai duket i paimpresionuar nga vërshimi i shkulmit të antivlerave në publik. Sepse ata janë shpesh miq. Sepse çengitë i ka brenda vetes. Sepse shumë prej të tijve janë çengi në politikë!