Qendra “Parandalo” në Basel organizoi një program mbresëlënës artistik

Promovimi i librit “Legjendat e futbollit ”, të autores Hava Kurti Krasniqi, përcjell me një program artistik të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, mbështetur dhe organizuar nga Qendra e shoqatës “Parandalo” me selinë e saj në Basel, dëshmoi se edhe shoqatat e këtij karakteri janë në gjendje të organizojnë ngjarje kulturore që nxisin kureshtjen e shumë mërgimtarëve

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Basel 6 Prill 2019

Sot me dhjetëra mërgimtarë nga anë të ndryshme të Zvicrës, patën rastin që në qytetin e Baselit të përjetojnë një ambient të këndshëm festiv, të përshkuar me një promovim libri dhe me pika tjera artistike që bënë këtë ngjarje edhe shumë më tërheqëse.

Ishte pikërisht Drita Ibrahimi Shabani, e cila duke qenë në krye të kësaj qendre në Basel dëshmoi edhe njëherë se si mund të organizohet diçka bukur, thjeshtë por që brenda vetës ka përherë fisnikërinë dhe njerëzoren, siç është edhe vet qëllimi Shoqatës “Parandalo” që udhëhiqet nga humanistja Valdete Hoti, që edhe sot ishte e pranishme bashkë me të shoqin Xhemail Selimin, që drejton Qendrën e porsahapur të kësaj shoqate në Cyrih.

Përndryshe edhe vet libri i autores Hava Kurti Krasniqi “Legjendat e Futbollit», kushtuar vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka, ishte i veçantë nga fakti se autore e një libri kushtuar yjeve të futbollit ishte pikërisht një femër nga mërgata dhe se po në këtë promovim ishin të pranishëm edhe vetë prindërit e këtyre dy yjeve shqiptare në Zvicër: Elmaze dhe Ragip Xhaka.   Autoren për këtë libër që është joshës edhe për moshat më të reja e përgëzuan pos prindërve të futbollistëve Xhaka edhe mjaft nga të pranishmit të cilët deshën të dinë edhe për atë se ku gjeti frymëzimin kjo krijuese për të trajtuar pikërisht një temë futbolli.

Promovimi i librit u përshkua me një program mbresëlënës nga valltarët e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër e cila këtij manifestimi i dhanë karakterin e një ambienti të afërme thuaja se familjar, çka edhe bëri që shumica e pjesëmarrësve të rreken në fund të programit në një valle të përbashkët. Programit artistik do theksuar se iu shtua edhe një talent i ri shqiptar me kitarë, Leard Demiri , i cili ekzekutoi disa këngë duke u duartrokite ngrohtësisht nga të pranishmit. Pos shqiptarëve në manifestim pati edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera në Zvicër, të cilët po ashtu iu bashkuan valleve të bukura shqipe.