Qëndrimi zviceran

286

Para rrafsh 100 vjetëve Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit zviceran Carl Spitteler (1845-1924). Edhe atëbotë Komiteti i Nobelit ishte përfshirë nga një trazirë dhe ndarja e çmimit ishte shtyrë për një kohë. Spitteler në fakt Nobelin e mori më 1920 për vitin 1919.

Carl Spitteler nuk gëzon ndonjë alamet njohje ndërkombëtare, por zvicerani është padyshim një autoritet në botën gjermanofone të shkrimeve. Ai e ka lëruar prozën edhe poezinë. Romani i tij autobiografik „Imagio“ gjen jehonë sidomos në rrethin e psikanalistëve të Siegmund Freudit dhe kundërpedalit të tij zviceran Carl Gustav Jung. Revistën e tyre  për aplikimin e psikanalizës në shkencat humane e pagëzuan me emrin e këtij romani. Me Çmimin Nobel për Letërsi Carl Spitteler është laureuar për eposin e tij „Pranverë olimpike“, ku ai në një vëllim prej 600 faqesh e transformon mitin grek në botën e përjetimeve të tij.

Vërtet kalvari i Carl Spittelerit me Çmimin Nobel është i gjatë. Ai për herë të parë nominohet më 1912. Dy vjet më pas, kur emri i tij kishte ngadhnjyer si laureat i Nobelit, me kërkesën e mbretit të Suedisë shtyhet për një vit ndarja e çmimit. Më 1915 Spittelerit i refuzohet çmimi për shkak të një fjalimi të tij një vit më parë, i cili e kishte polarizuar opinionin evropian dhe e kishte lëkundur Nobelin. Pikërisht më 14 dhjetor të këtij viti mbushen 105 vjet nga fjala e bujshme e Carl Spittelerit në Cyrih para Shoqërisë së Re Helvetike, „Qëndrimi ynë zviceran“.

Kishte katër muaj e gjysmë që kishte shpërthyer Lufta e Parë Botërore. Dhe kjo hata po reflektonte keq në Zvicër. Gjermanozviceranët e simpatizonin Gjermaninë, zviceranofrancezët mbanin anën e Francës, të cilat ishin në sherr me njëra-tjetrën. Carl Spittelerin e mërziste tensioni që krijonin këto disponime të papajtueshme midis dy komuniteteve më të mëdha të Zvicrës neutrale. Ai kishte merakun e prishjes të unitetit të Konfederatës.

Në moshën rreth 70-vjeçare, Spitteler, sado s’i donte paraqitjet publike, vendosi ta përdorë autoritetin e tij për të apeluar te palët dhe autoritetet për më tepër unitet shoqëror dhe ruajtjen e neutralitit politik. Ai, përveç se shkrimtar i njohur në Zvicër dhe hapësirën gjermanofone, tanimë prej dy vitesh ishte kandidat serioz për Çmimin Nobel. Në fjalimin e tij të shtruar shkrimtari gjermanofon i thërret më shpesh opinionit të vet dhe i përvishet më fort propagandës së Gjermanisë.

Ai me shumë nge i spikat të përbashktat midis gjermanofonëve dhe frankofonëve të Zvicrës. Ai i shquan të përbashktat e Zvicrës me Francën. Ai e pohon admirimin për kulturën gjermane dhe nostalgjinë për Gjermaninë, si dhe lidhjet e shumëfishta shpirtërore, intelektuale e tregtare mes tyre. Por sugjeron kujdes nga identifikimi me opinionin gjerman për shtetet dhe kombet tjera. Dhe i merr me radhë aktorët e luftës dhe fqinjët, duke identifikuar dallimet kundruall atyre.

Përveç fracezëve, italianëve, anglezëve, belgëve dhe ndonjë tjetri, Carl Spitteler në një fraksion të fjalës së tij i merr në shqyrtim edhe serbët! Pse serbët? Sigurisht nuk i ka zgjedhur kot. Serbët fundja ishin sebepi i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pas vrasjes së pric Ferdinandit të Austrohungarisë nga organizata nacionaliste serbe „Dora e zezë“ në Sarajevë. Dhe me këtë ata ishin në shënjestër të opinionit publik gjerman.

Ja çfarë thotë Carl Spitteler në fjalën e tij për serbët:

„Për ne sërbët nuk janë ‚bandë‘, por një popull. Edhe atë një popull me po kaq të drejtë ekzistence dhe i denjë për t’u nderuar sikurse edhe çdo popull tjetër. Serbët kanë një të kaluar të lavdishme, heroike. Poezia e tyre popullore për nga bukuria është e së njëjtës vlerë me çdonjërën, poezia e tyre heroike madje e një vlere më të lartë. Sepse këngë kaq të mrekullueshme epike si ato serbe nuk ka nxjerrë asnjë komb tjetër që nga koha e Homerit. Mjekët dhe infermierët tanë të kthyer nga luftërat ballkanike për serbët na kanë rrëfyer në tone simpatie dhe lavdërimi. Opinionin tonë duhet ta formojmë nga dëftesa të tilla, jo nga shtypi luftarak i turbulluar nga pasioni.“

Pohimi i parë nuk ka të sharë. Aq më tepër që ai i referohet popullit serb. Te i dyti na lejohet të kapemi edhe për faktin që Spitteler këtu nuk i referohet raportit me Zvicrën dhe popullin e saj, sikurse bën kur flet për Francën, Anglinë… Te lavdia dhe heroizmi i serbëve, ka një dështim. Qytetar, a intelektual. A mund të ishin raportimet e mjekëve zviceranë nga luftërat ballkanike një dëftesë e heroizmit dhe lavdisë së një populli? E vërteta e plotë dhe e kulluar? A i njihte Spitteler dëshmitë e dy Leove, Freundlich dhe Trotzki, për shembull, të cilët mu ato vite kanë raportuar nga dora e parë për namin e zi që kanë lënë ushtritë serbe në Ballkan…? Sidomos mbi shqiptarët! Nga perspektiva e shqiptarëve shenjtërimi i serbëve në këtë kohë vjen si një mëkat.

Thjesht si evidencë, sepse nuk i kërkojmë hesapë shkrimtarit dhe as biem në pasionin e lig të diskualifikimit të popujve. Vetëm se përbirimi i së “vërtetës” serbe kaq larg, kaq lart e kaq thellë e do një reflektim. Ajo që shërben si trampolin për t’u ngjitur në një debat interesant, është pohimi i tretë i Carl Spittelerit për serbët. Konsideratat për eposin serb janë në fushën e sovranitetit të tij. Është në të drejtën e tij të japë vlerësime për një disiplinë ku ai është stërmjeshtër. Po cili do të ishte qëndrimi i tij zviceran sikur t’ia thonim atë që na e thonë neve albanologët tanë, se serbët i kanë mbledhur këngët shqiptare dhe i kanë shitur si të vetat? Ata thonë se Vuk Karaxhiq, për shembull, ka mbledhur këngë shqiptare dhe i ka afirmuar ato si serbe.

Më mirë: Ç’do të thoshte një zviceran që e lexon sot fjalën e Spittelerit sikur t’ia thonim këtë? Një zviceran me naivitetin që ia përshkruajmë ne atij dhe i prerë siç e njohim. Mbase do t’na fshinte përpara me pyetje plot qortim: Si, more, ua kanë vjedhur këngët?! Keni fakte? E keni denoncuar? Po ka njëqind vjet kjo punë, more, a dyqind! Duhej t’i kishit fituar njëqind, a dyqind herë mbrapsht. Do ju hiqeshin zvarrë, duke ju kërkuar të falur. Dhe ne do të shtonim me zë të fikur: Çfarë… fal…, ata sapo na e morën edhe la…hu…të…n. Dhe ai prapë: O Zot i madh! Është tamam ashtu? Po ç’i keni të gjithë ata shkollarë, mor ju plaçin sytë?