Qëllimi udhëtimi është që të fotografoi lokalitetet, dhe monumentet kulturore-historike dhe ambientet turistike për ti njohur nga afër lexuesit e tij me bukuritë e rralla natyrore, por edhe resurset tjera që kanë trojet shqiptare.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Që të njihemi për së afërmi me trojet shqiptare një ekip i portalit prointegra.ch, nga Zvicra prej tre vetash, në përbërje: Skënder Hajdarit, Osman Osmanit dhe meje, prej pardje filluam një gjiro- udhëtim, nëpër vendbanimet shqiptare. Qëllimi i këtij udhëtimi është që të shohim, fotografojmë dhe të shkruajmë për vendbanimet tona, duke regjistruar jo vetëm pamje mahnitëse të natyrës shqiptare, por edhe monumentet kulturore-historike, apo edhe turistike dhe për tu njohur nga afër (kryesisht përmes fotove) me bukuritë e rralla natyrore, por edhe resurset e shumta që posedojnë trojet shqiptare.
Dita e parë e udhëtimit filloi me Prizrenin historik, vizitën tek kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një gjiro gjatë një pasdite në qytetin buzë Bistricës. Më pastaj vizituam Gjakovën, ku na priti dhe shoqëroi njëri nga fotografët më të mirë shqiptarë, Shkelzen Rexha. Një mbrëmje e kaluar në Çabrat dhe një vizitë në studion e Shkëlzenit për disa çaste na ofruan edhe me pamjet e edhe me mikpritjen kolegjialë e tradicionale të gjakovarëve.
Hyrjen në Shqipëri e filluam përmes pikës kufitare Qafë Prush, për të vazhduar me traget përmes liqenit të Fierzës deri tek hidrocentrali i Komanit. Të udhëtosh me traget dhe të shikosh e shijosh bukurit e rralla është më se mahnitës, veçmas kur syri të kap ato pamje përrallore që ofron liqeni i rrethuar me shkëmbinj e thepa të lartë. Ndërsa barka dhe anijet e vogla sikur të çojnë në një botë tjetër. Karakteristike ishte se thuaja më tepër se gjysma e udhëtarëve në traget ishin turist të huaj, kryesisht austriak, gjerman e italian por edhe nga shtetet skandinave. Ata përmes aparateve dhe kamerave gjironin pamjet fantastike që ofronte liqeni i pastër si loti dhe që mirëmbahej edhe nga ekipe për pastrimin e tij.
Pavarësisht nga rasti i dhembshëm e tragjik i ndodhur një javë më parë, me vrasjen e dy turistëve çek, si në traget ashtu edhe në Shkodër ku arritëm dje pas dite, vërejtëm një numër të konsiderueshëm turistësh të huaj. Numri më i madh i tyre ishte në brendinë e kalasë 2600 vjeçare të Shkodrës. Në Shkodër na u bashkua edhe kolegu Blerim Shabani, gazetar i portalit Albinfo.ch, i cili për dy-tri ditë do të jetë në shoqërim me ne. Jo vetëm pamjet nga kalaja, por edhe mbrëmjet në qytetin e vjetër Shkodrën dhe njerëzit e saj tejet mikpritës këtë perle të kulturës shqiptare e bëjnë edhe më dashur e tërheqës.





































