Program tejet cilësor në Cyrih kushtuar jubileut të pavarësisë së Kosovës

Drejtuesi i Konsullatës së Kosovës, Islam Spahiu, në emër të nikoqirit, në fjalën përmbyllëse nënvizoi: se ky vend, që quhet Zvicër, si në ditët më të mira ashtu edhe ato më të vështira ishte me ne.- Ndërsa që këndimi i Elina Dunit, veçmas një këngë e Qamilit të Vogël, bëri që e tërë salla me mbi 400 të pranishëm, të jehojë nga duartrokitjet

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në kuadër të festimeve kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës, mbrëmë në lokalet e qendrës së njohur Lindenplatz, të Cyrihut, u mbajte një manifestim kulturor, që me plot të drejtë mund të shquhet si një nga organizimet më të mira të kësaj natyre: si për nga konceptimi i programit si dhe nga prania e artistëve, apo edhe e një publiku të madh artdashës, të ardhur nga anë  të ndryshme të Zvicrës.  Momenti tjetër ishte se pati edhe disa nga figurat e spikatura zvicerane, miq të veçantë, që prej vitesh e dekadash ndihmuan dhe kontribuuan në çështjen e Kosovës, edhe atë në sfera të ndryshme, siç është rasti me albanologun Dr.Dr. Basil Schader, humanisten Analies Schneler dhe realizuesen e disa projekteve zhvillimore në Kosovë, zonja Barabar Burri.

Edhe filli i programit pati një rrjedh mjaft simbolike, aq më parë që Himni i Kosovës u ekzekutua me violinë nga një vogëlushe shumë e talentuar, Eliza Pintolli në këndim të Korit të Grave «Lyra» për të vazhduar me  artistët e shkëlqyeshëm Fatjeta Barballushi & Gjon Guralumi, grupin e “Aktrimit” Cyrih, kitaristen e re Lirona Sadriu dhe për të kulmuar në fund me fenomenin e xhazit shqiptar në Zvicër Elina Duni.

Edhe programi foljor i këtij organizimit të shkëlqyeshëm të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih bashkë me Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, ishte mjaft mirëi konceptuar dhe pa fjalime të gjata.

Duke iu drejtuar mbi 400 të pjesëmarrësve të tubuar në sallë, në emër të nikoqirit, z. Islam Spahiu- Ministër Këshilltar/Udhëheqës i Konsullatës, përkujtoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë feste për të gjithë ata që flasin shqip dhe ata që e duan Kosovën si atdhe të tyre, është ditë gëzimi e gjithë atyre miqve tanë, që gjenden këtu në mesin tonë. Kosova si shtet i pavarur u lind si pjesë e ëndrrës së madhe historike për liri kombëtare , që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe deri me intervenimin e NATO-së, kur edhe për herë të parë pavarësia e Kosovës e gjeti mbështetjen e aleancës evro-amerikane, duke hap kështu një epokë të re në rrugën drejt emancipimit dhe evropianizimit.

Më tej Spahiu, tha se nuk bën të harrojmë të djeshmen, para 20 vjetësh, kur për të ecur dhe marrë frymë i lirë në Kosovë, u dashtë me dekada rezistencë masive civile nga Dr. Ibrahim Rugova, si simbol i internacionalizmit të çështjes, u dashtë familje e familje të sakrifikohen në shenjtërinë e lirisë, siç ishte fati i Familjes Jashari dhe shumë të tjerave. Ndaj edhe me respekt sot i kujtojmë gjithë ata që u flijuan dhe luftuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu një respekt i takon edhe gjeneratës së re e cila ka mision që të marrë përgjegjësi për ndërtimin e vendit.

Drejtuesi i Konsullatës së Kosovës, Islam Spahiu , fjalën e tij e përmbylli duke nënvizua se kur jemi në këtë vend , që quhet Zvicër, shumë respekt dhe falënderime për popullin e Zvicrës që edhe në ditët më të mira e edhe në më të vështirat ishin me ne. Ndaj edhe këtu dua të falënderoj veçanërisht një grua Zvicerane, që jetën ia kushtoi ndihmës për njerëzit e Kosovës, një idealiste dhe një humaniste, që ka një zemër të madhe, zonjën Analiez Shneler.

Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadorja e Republikës së Nazane Breca, drejtuesi i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati dhe në emër të familjeve të dëshmorëve Shukrije Ramadani. Më pastaj udhëheqësi i LAPSH- it për Zvicër, profesor Nexhat Maloku bëri të njohur vendimin e Konsullatës së Kosovës  për dhënien e një mirënjohje speciale albanologut të shquar Dr. Dr. Basil Schader, i cili po ashtu i drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe me një fjalë përgëzimi për Pavarësinë e Kosovës, si dhe për rëndësinë që ka mësimi plotësues shqip për fëmijët tanë në mërgatë, temë kjo për të cilën profesor Basili ka mbrojtur në Tiranë edhe një doktoratë.

Programin e drejtuan me shumë korrektësie e profesionalizëm Ramadan Morina dhe Fortesa Mustafa. Pas përmbylljes së programit kulturor për të pranishmit nga ana e nikoqirit u shtrua një apero, që kaloi në një atmosferë shumë të këndshme e miqësore.