Në Dardanë me shumë interesim përurohet libri “KALLABA gjurmë në kujtesë” të autorit Xhevdet Kallaba

Në Dardanë/Kamenicë, më 4 mars 2023 u bë përurimi i librit monografi “KALLABA gjurmë në kujtesë” i autorit Xhevdet Kallaba. Libri është një monografi me përmbledhje dokumentesh e rrëfimesh në periudha të ndryshme të një pjese të familjes Kallaba, nga fshati Roganë.

Nga Rexhep Rifati

Përurimi i bë në praninë e shumë mysafirëve – dashamirës të fjalës së shkruar, por edhe miq e mikesha të autorit Kallaba dhe familjes së tij, ndërkaq për librin dhe autorin referuan profesorët: Sulejman Dërmaku, Faton Krasniqi, Jahja Lluka, Qemajl Kallaba e Sylejman Morina.

Referuesi Sulejman Dërmaku, që ishte edhe redaktor i këtij libri, duke e trajtuar atë si një kronikë të kohëve të kaluara, recensionin e tij e filloi kështu: – “Sapo të themi se libri “KALLABA gjurmë në kujtesë” i autorit Xhevdet Kallaba është një monografi kushtuar disa brezave të kësaj familjeje, menjëherë do të mund të mendohej se kemi të bëjmë me një libër që autori mund ta ketë bërë atë me një dozë subjektivizmi dhe me nota glorifikuese. Porse, jo, secili qo do ta lexojë këtë monografi, do të bindet se në të nuk është trajtuar familja nëpërmjet një këndvështrimi të ngushtë subjektiv, e aq më pak glorifikues. Përkundrazi. Kur t’i dilet në fund, çdo vlerësues real, me të drejtë do të mund të konstatojë se është ky një libër që pasqyron jo vetëm jetën e një familjeje, por edhe rrjedhat jetës e të rezistencës së shumë brezave ndër mote, duke vënë në spikamë nevojën e vazhdimësisë së veprimit në rrafshin familjar e, rrjedhimisht, edhe në atë krahinor, shtetëror e kombëtar.

Më tej, z. Dërmaku tha se kjo monografi nuk është klishe monografish, siç ndodh me mjaft të tilla, është paksa e parëndomtë edhe në formë edhe në përmbajtje. Duke pasqyruar të shkuarën e familjes Kallaba, na paraqiten fakte të qëndrueshme në trajta universale, që ngrihen nga rrënoja të kohës, me mesazh tekstor e nëntekstor se si duhet vepruar për të mirën dhe për të mbarën, jo vetëm familjare e kombëtare, por edhe gjithënjerëzore.

Veprimet, bëmat dhe bota e ideve të Hafëz Kallabës dhe të personazheve të tjera, jo vetëm qenë me ndikim kombëtar në kontekstin përkatës kohor, por ato tani, të përmbledhura në këtë libër, do të mund të jenë një mësim i mirë për çdo kontekst tjetër të ecjes sonë individuale e kolektive, sidomos të ecjes sonë kombëtare.

“Kryepersonazhi i monografisë, nëse mund ta quajmë kështu, Hafëz Shefki Kallaba qe një personalitet që për mrekulli i kuptonte njerëzit e kombit të vet. Nëpërmjet veprimeve e këshillave të tij reflektonin urtarët tanë anonimë, urtia e të cilëve ishte përcjellë brez pas brezi në formë gojore, e tani do të jetë dokument i shkruar, që do t’u mbetet brezave që të mos harrohen kush qenë, përse jetuan, çfarë synuan dhe çfarë arritën e çfarë na lanë…”, tha mes tjerash redaktori i librit, z. Sulejman Dërmaku.

Pastaj, redaktori Dërmaku, duke e njohur jo vetëm autorin, por edhe shumicën e personazheve të këtij libri, me plot bindje, tha se: “autori nuk shpik asgjë, nuk imagjinon, nuk përdor fiksionin, veçse vjel njohuri, i sistemon argumentet, i shënon ngadalë ato, duke u përpjekur t’i rekonstruktojë dhe t’i zbërthejë ngjarjet për t’i përmbledhur në këtë libër që, siç e thamë, do t’u mbetet brezave dokument i së shkuarës së këtij vendi dhe njerëzve në të.

Publicisti e gazetari Xhevdet Kallaba tashmë është i njohur për opinionin kosovar dhe jo vetëm. Vlerat e tij prej shkrimtari e kronikani kanë një shtrirje të gjerë në trojet shqiptare. Në këtë kontekst referuesi i radhës në këtë përurim, prof. dr. Faton Krasniqi përçoi mesazhin se Xhevdet Kallaba ka vite që është në shërbim të artit, sportit, gazetarisë, publicistikës dhe arkivistikës shqiptare, kështu që edhe angazhimi disavjeçar i z. Kallaba, si gjurmues, hulumtues, dokumentues, humanist e filantrop ka rezultuar me regjistrimin, filmimin dhe arkivimin e shumë ngjarjeve në komunën e Kamenicës e më gjerë.

“Tani që z. Xhevdeti  e botoi librin e titulluar “Kallaba gjurmë në kujtesë”, ai e bëri edhe një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për vete, jo vetëm për familjen e nderuar Kallaba, jo vetëm për Roganën e Kamenicën,  por për vendin, sepse aty dokumentohet gjenealogjia e familjes Kallaba, historiku i saj, rrugëtimi i saj, vuajtjet dhe vështirësitë ndër shekuj, kontributi i saj, kontributi i intelektualëve, i sportistëve, i humanistëve të kësaj familjeje. Ky libër që po  e promovojmë sot është libër model e që do të ishte mirë që çdo familje shqiptare ta ketë një të tillë, pasi dokumentohen e faktohen shumë gjëra dhe mbi të gjitha këta libra janë në funksion të historisë diakronike e sinkronike”, tha prof. dr. Faton Krasniqi.

Dhe krejt në fund z. Krasniqi tha se: “studiuesit dijen e shohin si veprimtari mendore universale, e cila, e diktuar nga dëshirat utilitare të vullnetit, e synojnë zotërimin e informatës për të dhënën. Dija, si e tillë, ka tretmanin e lëndës së një dëshire të vullnetit, me ç`rast, që të njihet diçka, paraprakisht është e nevojshme që ajo të dëshirohet. Duke iu nënshtruar dëshirës së prejardhur nga vullneti për zotërimin praktik të realitet, dija ndryshe nga njohja, njeriun e fut në marrëdhënie utilitare me botën dhe sipas kësaj logjike e vazhdimësie njerëzit, studiuesit, hulumtuesit ndjekin dëshirat, pasionet me të vetmin qëllim për të arritur rezultate në fusha të caktuara dhe njerëzit në dijen dhe vetëdijen e tyre konceptojnë vepra të ndryshme të fushave të ndryshme dhe shumica prej tyre edhe nuk i realizojnë për çështje subjektive, por Xhevdet Kallaba këtë vepër e ka konceptuar, modeluar, strukturuar, ideuar dhe realizuar me shumë mund, sakrificë e përkushtim dhe për këtë e urojmë dhe përgëzojmë”, e trimëroi kështu z. Krasniqi autorin Kallaba për vepra të radhës..

Pjesën dërrmuese të librit autori Kallaba ia ka kushtuar profesorit e pedagogut Ekrem Kallaba, i cili përveç që ishte i angazhuar në arsim, prej nga dy herë ishte larguar nga procesi arsimor dhe ishte diferencuar nga politika ditore e sistemit jugosllav, ai ishte i angazhuar si aktor aktiv në Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta. Për kontributin e Ekrem Kallabës në këtë shoqatë foli bashkëveprimtari i tij e politikani Jahja Lluka.

Zoti Lluka vlerësoi lart Ekrem Kallabën si intelektual, atdhetar e pedagog të kohës. Ai pasqyroi disa momente të bashkëveprimit me Ekremin në SHKSHSH, që ishin jetike për funksionimin e asaj shoqate, e cila degët e veta i kishte të shtrira gjithandej trojeve shqiptare, dhe ku kontribut të madh për themelimin e tyre kishte edhe profesori Ekrem Kallaba.

Për librin dhe autorin e tij folën edhe recensuesit Qemajl Kallaba e Sylejman Morina. Që të dy këta referues dikur kishin qenë nxënës të Ekremit, por që më vonë ishin bërë edhe kolegë në procesin edukativo-arsimor.

Qemajl Kallaba, madje, veçoi edhe anëtarë të tjerë të familjes Kallaba që dhanë kontribut në fushën e arsimit e atdhetarizmës, duke përmendur piloten Faruza Kallaba, e cila për 78 ditë rresht kishte marrë pjesë në mbi 30 operacione të NATO-s për bombardimin e caqeve ushtarake serbe. Me këtë rast ai luti autorin që projekti i tij i radhës në fushën e krijimtarisë letrare të jetë pikërisht një monografi dokumentare për piloten Faruza Kallaba.

Nga ana tjetër ish-nxënësi e kolegu i Ekremit, Sylejman Morina, trajtoi aspektin sociologjik të librit, duke vënë në spikamë disa personazhe tjera siç ishte Hafëz Shefki Kallaba autoriteti i të cilit u bë shembull pozitiv në Anamoravë e më gjerë, qoftë si pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dashamirës i arsimit shqip, ose edhe si imam fshati dhe anëtar në Asamblenë supreme të Vakëfit në ish-Jugosllavi.

Me këtë rast edhe z. Morina vlerësoi lart punën e autorit Kallaba, sidomos angazhimin e tij në arkivimin e dokumenteve, fotografive e filmimeve të shumta në dyzetvjetëshin e fundit.

Përurimin, me diskutimet e tyre, e begatuan edhe Rexhep Rifati, Petrit Doda, Igballe Asllani – Potera, Januz Mazreku etj.

Autori i librit, Xhevdet Kallaba falënderoi panelistët dhe mysafirët pjesëmarrës, ndërkaq vajza e tij kënaqi rreth 200 mysafirë të pranishëm në këtë ngjarje me këngën “Hej o male”, përcjellë në piano nga Ylberinë Isufi.

Për mysafirët, nikoqiri organizoi një apero me specialitete ushqimore vendore. Gjatë aperos shumë mysafirë u takuan me njëri-tjetrin, disa pas shumë vitesh, ndërkaq “Studio KPH” u kujsdes për regjistrimin filmik të përurimit dhe fotografimin e pjesëmarrësve.

Manifestimin përurues për mrekulli e moderoi profesoresha Belgizare Kryeziu, mësuese në Roganë të Dardanës.