Profesori i historisë së artit Dr. Hivzi Muharremi, mbështetë kërkesën për lulëkuqen si simbol të gjenocidit në Kosovë

Hivzi Muharremi ka titullin doktor i historisë së artit. Është i lindur në Pejë më 1948. Ka pasur disa funksione të rëndësishme në botën e artit dhe akademike. Profesor i shkollës së mesme, profesor në universitetin e Prishtinës, të Tiranës, të Beratit etj., dekan i Fakultetit të Arteve në Prishtinë për dy mandate, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetar për ngritjen e Kompleksit Memorial “Ademi Jashari” në Prekaz.

Në qytetin e tij të lindjes në Pejë, ka qenë drejtor i Teatrit të Qytetit për dy mandate.

Ka botuar një varg librash, kryesisht të botës së artit. Po ashtu është laureat i shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve, duke filluar nga artet pamore, e deri tek ato për kontribut të pakursyer në zhvillimin dhe afirmimin e arteve në përgjithësi.

Mbështetja që ai i ka dhënë kërkesës që lulëkuqja të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga ideatorët e kësaj kërkese, Qendra «Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur».

«E mbështes kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, qe ky simbol të njihet, të pranohet dhe të vihet në përdorim për të shënuar e përkujtuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.» – ka shkruar ai, duke shpërndarë në profilin e tij lulëkuqen me katër petale, ashtu siç është propozuar.