Poezi: Fluturat e qeta të muzgut

DIELLI, KY BARI RESH

Zgjohem
Në mëngjes
Nga dritarja
Shoh
Diellin
Këtë bari
Resh

PEZULL

S’po kam çfarë të bëj
Po i tjerr retë e qiellit
Si leshin e deleve
Dhe nuk po thur asgjë

NË MES

Zë vend
Ulem
Kërkoj
Një lëng vendor
100% prej frutave
E rri në mes
Orës
Ditëtreguesit
Pa udhërrëfyes
Dhe globit
Të shqetësuar

KRYEKRIZË

M’u ankua një i afërm
Një mik
Një vëlla
E edhe dikush tjetër
Se në shumë lokale
Kafetë s’janë të mira si përpara
Është krizë
Edhe çajrat e pijet
I kanë shtenjtuar e ndërruar
Nuk ia vlenë më aq shpesh
Nëpër to të hyjmë
Botë hallemalle
Problemegrumbulluar
Plagëshumë
Vargvrragë
Si te ne dikur
A më pas
Në Siri
Në Afghanistan
E në Ukrainë
Tash

ME NJË MOLLËKUQE

Erë e jetës
Më kapi për krahësh
E për flokësh
Më përplasi tutje
Nga dritaret e veturës
Më hodhi në këtë livadh me
“Tri gota”
Të Latif Berishës
Ku ulem
Po rri
Pak lulekamomili pranë
Përreth kodra e vendbanime
Nga një fije bari
Fluturon një mollëkuqe
Që ëndërron krahët e fluturës
E marr për pak çaste
E vë në pëllëmbë dore
Për të më bërë shoqëri

KTHIM KUTURU

Nuk munda të gjeja fjalë
U nisa veç me vetminë time të përçudme
Nuk munda të gjeja dhuratë
Që do të mund të befasonte për kohë të gjatë
U nisa me papërcaktimet e mia
Prej ndejnaku e endacaku
Nuk munda të gjeja asnjë lule a frut
Që do ëmbëlsonin lumturinë
Erdha dhembjefshehur e plagëpaparë
Kështu kuturu përfytyrova
Një kthim kuturu
Një rikthim kuturu

FESTË

Mbylla sytë
Ëndërrova
Këndova
Vallëzova
Pasi që
Mirësi
Ndolla
E mbolla

MBRETIN PESHKATAR

Zogmbretin peshkatar
Përpos se në dokumentarët e Arian Mavriqit
E pashë për herë të parë edhe me sy
Në Liqenin e Mjellmave
Në një fshat pitotesk
Në natyrë
Rrufe më iku mbi kokë
Pas ca gëmushash
E shpejt më humbi sysh
E m’u shfaq në fotografi
Sapo e hapa një çokolatë për fëmijë

PESHKU I ARTË

Ditë e ngrohtë
Jo aq e ngrohtë për t’u larë
Fëmijët s’duan t’ia dijnë
Hyjnë në liqenin e Badocit
Në këtë mesmaj
Dhe dalin me një peshk të artë

KANDIL DETI NË QIELL

Mbrëmje
Para muzgut
Shikoj dallëndyshet
Që edhe sivjet
Vazhdojnë fluturimin
Në copën e qiellit
Mbi ballkonin tim
Pak më tej shfaqet
Një kandil deti
Që rri pa lëvizur
Në një vend
Pak më tej
Përpara
Se të shkrihet
Sikurse të mos ish

FLUTURAT E QETA TË MUZGUT

Dola andej kah arat e livadhet
Aromë herbariumesh
Frymëmarrjes i jep jetë
Flutura të qeta pushojnë
Nëpër fije bari
Shtrirë si nëpër shezlonge
E shijojnë këtë mbrëmje të qetë