Lulet në dritare (Poezi)

Lulet në dritare

Dy lule në dritare që po rrinë
Vëmendjen ma tërheqin
Sikurse plusi dhe minusi
Që afrojnë magnetin

Aloe vera duket si pemë fëmijërije
Kaktusi me therra si iriq deti
Seç sollën kujtime të largëta
Mall ngjall njëri e mall zgjon tjetri

Si lulet që rrinë në parvaz dritaresh
Filxhani e gota rrinë në tavolinë
Siç rrijmë ne këtu ku zumë vend
Ti në karrigë e unë në karrigë

Themi diçka e herë-herë heshtim
Dikush jashtë xhamat i lan e i fshinë
Pikëza të lehta e pazhurmshme shiu
Aterojnë mbi dritaret që tash po ndrijnë

Një djalë dhe një vajzë hyn në këtë lokal
Pushtojnë një tavolinë atje në qosh
Vështrimi kah lulet më kthen kah kujtimet
Në këtë ditë të vranët që ndan e bashkon

Një skifter krahëkaftë merr një hark rrotullimi
Re të bardha ecin nëpër qiellin e hirtosh
Ato humbin horizonteve e skifteri pas pishave
Bashkë me gjerdanin e tij bardhosh

Kthehem kah lulet që më kthejnë kujtimeve
Kah to drejtohet edhe një vështrim
As një aeroplan nuk ngrihet as nuk bie
Tash e sa kohë këtu në Sllatinë

Lëmë lokalin e i lëmë edhe lulet
Me kujtime copa-copa të vjetra e të reja
Prej të cilave sillet rrota si bota
Prej të cilave flatra merr jeta