PERËNDIM DIELLI NË PRISHTINË

Këmbët këtu na shpiejnë padashur
Për herë të parë
Në verandën e epërme të këtij hoteli
Nga lart të shohësh është bukur
Edhe rrugët, edhe njerëzit, edhe ndërtesat
Gjithçka duke përfshirë edhe shtresa kaosi
Nëpër rrugët ajrore aeroplanë muzgu
Edhe dallëndyshe, pëllumba, sorra e korba
Edhe një shpend më i madh e fillikat
Që siç duket është lejlek që asgjë s’bart
Dhe ka kohë që rri varur
Kjo formë balene prej resh
Në bishtin e së cilës qëndron dielli
E kjo pamje që lë gjurmët e veta
Përpara se të shprishet vetvetiu a nga nata
Mban brenda vetes në gji
Udhëtimin e një dite vere endërrzjarrtë
E vazot me lule në pravazin e verandës
Janë forca mbrojtëse e saj