Për katër vjet RC Ferizaj ka ndarë 124 bursa në shumë prej 61.750 eurosh

Në mesin e donatorëve 9 mërgimtarë edhe atë nga Zvicra, Danimarka e Amerika-. Në ceremoni ishte edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema që vlerësoi lart punën e këtij klubi

Nga Rexhep Rifati

Mbrëmë në Ferizaj përmes një ceremonie tradicionale vjetore , Rotary Club Ferizaj, paraqiti bilancin e ndarjes së bursave studentore, aktivitet ky me një peshë të veçantë për të ndihmuar studentë me gjendje më të vështirësuar ekonomike.

Klubi RC Ferizaj, që drejtohet nga Gani Berisha, përmes faqes së tij të fb, njofton se në këtë ceremoni, pos donatorëve merrte pjesë dhe përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në cilësinë e anëtarit të nderit e njëherësh edhe vet rotarian.  Ai vlerësoi lartë punën e këtij klubi dhe kontributin e donatorëve që përmes këtyre bursave të ndihmohet për aq sa është e mundur shkollimi të rinjve tanë.

Në këtë ngjarje për të gjithë donatorët u ndanë mirënjohje, në shenjë falënderimi për ndihmën e dhënë, në mënyrë që numri i bursistëve nga viti në vit të rritet.  Sa për ilustrim në vitin e parë, vitin shkollor 2015/2016 u ndan 22 bursa, në mënyrë që vitin e fundit, në vitin shkollor 2018/ 2019 pati 38 bursa.

Vërtetë është ky një bilanc më se mbresëlënës, ngase në saje të zemërgjerësisë së donatorëve nga të cilët 20 biznesmen vendas, 9 bashkatdhetarë dhe 9 rotarian, për katër vjet RC Ferizaj ka ndarë gjithsej 124 bursa në shumë prej 61,750 eurosh.

Sipas statistikave të paraqitura nga anëtari kryesisë së këtij klubi, Afrim Konjufca nga figuron se nga radhët e përfituesve deri më tash sipas gjinisë kanë qenë 53 femra dhe 35 djem dhe se disa janë përfitues për disa vite radhazi për shkak të gjendjes më të rënduar ekonomike, që merret si kriter me përparësi.

Në mesin e donatorëve është një numër i konsiderueshëm nga radhët e vet anëtarëve të këtij klubi, i cili klub shpreson se në këtë vit shkollor do të shtohet edhe më tej numri i donatorëve, ngase numri i bamirësve në këtë komunë asnjëherë nuk ka munguar për të ndarë mjete për shkollimin e brezit të ri. Madje as në fazën e para dhe gjatë luftës kur pat funksionuar si Fond i Bursave të Solidaritetit.

Edhe gjatë tubimit të mbrëmshëm u tha se RC Ferizaj do të vazhdojë edhe për këtë vit akademik të ofrojë bursa për studentët meritor, veçmas për ata me gjendje më të renduar ekonomike.  Merret vesh se shembulli i RC Ferizaj ka bërë që edhe në komunat tjera në Kosovë të merren me ndarjen e bursave studentore.