Për demokraci, sundim të ligjit dhe drejtësi shoqërore në Kosovë – solidarizim me Vetëvendosjen!

Vendimi i Këshillit Drejtues të Partisë Socialdemokrate (PS) të Zvicrës i 8 janarit 2021: Letër e hapur solidarizimi për Albin Kurtin, anëtarët e Vetëvendosjes dhe diasporën kosovare në Zvicër

I dashur Albin Kurti
Të dashur/a shokë/e të Vetëvendosjes
E dashur diasporë kosovare në Zvicër

Para gati 13 vjetësh, më 17 shkurt 2008 Kosova zyrtarisht shpalli pavarësinë. Zvicra, falë ministres socialdemokrate të punëve të jashtme Micheline Calmy-Rey, ishte një nga vendet e para që asokohe njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Deri më sot, Kosova është shumë e varur nga KB, BE dhe NATO. Si pasojë e kësaj shpeshherë interesat gjeopolitike dhe çështjet e stabilitetit janë vendosur para demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Por, pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë zhvillim. Kosova mbeti shtëpia më e varfër e Evropës. Popullsia e braktisi vendin valë pas vale. Mbi 800,000 kosovarë që nga vitet e 60-ta jetojnë jashtë vendit, prej tyre së paku 200’000 në Zvicër. Rreth 1.8 milion qëndruan në Kosovë, ku korrupsioni dhe klientelizmi aktualisht po pengojnë çdo zhvillim.

Andaj, fitorja e zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje në vjeshtën e vitit 2019 ishte nga më të rëndësishmet. Vetëvendosje mbështet reformat demokratike dhe drejtësinë shoqërore, dhe është një parti simotër me PS të Zvicrës. Me kërkesën tonë, Vetëvendosje është bërë pjesë e Aleancës Progresive, një organizatë globale kjo, çati e partive socialdemokrate. Shqetësimet e saja politike korrespondojnë me ato të PS të Zvicrës: drejtësia sociale, barazia gjinore, ndërtimi i një shteti të mirëqenies dhe një sistemi të drejtë taksash, punë të mirë për të gjithë. Në shkurt të vitit 2020, Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, u bë Kryeministër i Kosovës. Vetëm shtatë javë më vonë, Parlamenti ia tërhoqi besimin atij. I dërguari i Ballkanit i Donald Trump, Richard Grenell me bekimin e shefit të tij kishte rrëzuar qeverinë më të mirë që Kosova kishte pasur ndonjëherë.

Tashmë ka shpresë: më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi zgjedhje të reja. Këto do të zhvillohen me 14 shkurt 2021. Situata për Vetëvendosjen në krye me kandidatin Albin Kurti dhe forcat progresive që angazhohen për një Kosovë progresive janë të mira. Zgjedhjet e 14 Shkurtit janë të një rëndësie të madhe për Kosovën, Zvicrën dhe të gjithë Evropën. Vetëvendosje angazhohet për drejtësi, demokraci dhe shtetin e së drejtës. Këto vlera paraqesin themelin për punë të mira, zhvillim progresiv shoqëror dhe kështu edhe një rrugëdalje nga kriza.

Në lidhje me zgjedhjet në 14 shkurtit, PS e Zvicrës i bën thirrje Qeverisë Federale që të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të Zvicrës me Kosovën dhe përmes Ambasadës bashkë me BE të angazhohet për zgjedhje të drejta dhe korrekte. Vullneti i votuesve duhet të respektohet. Nuk duhet të ndodhë që fletët e votimit, për shkak të gabimeve paraprake formale, të shpallen të pavlefshme.

PS e Zvicrës u bën thirrje anëtarëve të diasporës së Kosovës në Zvicër:

  • Regjistrohuni në listat zgjedhore dhe merrni pjesë në këto zgjedhje vendimtare.
  • Motivoni miqtë dhe të njohurit tuaj që të bashkohen në të njëjtën kohë në PS dhe Vetëvendosje, sepse anëtarësia e dyfishtë partiake është çelësi i solidaritetit ndërkombëtar.
  • Kontribuoni në mobilizimin e diasporës së madhe kosovare në Zvicër, merrni pjesë në fushata elektorale telefonike, shpërndani vegët për regjistrim përmes mediave sociale, shpërndani formularë regjistrimi, ndihmoni në plotësimin e saktë të formularëve dhe merrni pjesë në zgjedhje, sepse kjo mund të jetë përcaktuese.
  • Bashkohuni në komitetet lokale dhe rajonale, emëroni kandidatë, rrjetëzohuni me PS dhe migrantët socialdemokratë të PS të Zvicrës!

Ju përshëndesim ngrohtësisht e me solidaritet si dhe i urojmë Vetëvendosjes dhe të gjithëve që angazhohen për një Kosovë demokratike, sovrane, kushtetuese, me drejtësi sociale e ekologjike, shumë suksese në zgjedhjet e 14 Shkurtit!

Anëtarët e Presidiumit dhe Këshillit Drejtues të PS të Zvicrës

Për më shumë informata:

  • Cédric Wermuth, deputet nacional AG, Co-President i PS / SP Zvicër
    079 783 83 29
  • Fabian Molina, deputet nacional ZH
    079 781 12 28
  • Rebekka Wyler, Co-sekretare gjenerale e PS / SP Zvicër
    079 222 31 40
  • Nicolas Haesler, zëdhënës i PS / SP të Zvicrës
    031 329 69 82

Partia Socialdemokrate e Zvicrës
Sekretariati qednror
Theaterplatz 4
Postfach
3001 Bern
info@spschweiz.ch
Telefon 031 329 69 69