Pas përpjekjeve shekullore, shqiptarët e Malit të Zi, do të përdorin lirshëm flamurin kombëtar 

566

Për herë të parë pas periudhës së Gjergj Kastriotit, më 6 Prill 1911, flamuri shqiptar është valëvitur në malet e Deçiçit, në betejën e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, raportonte gazeta londineze e kohës, “The Cape Time”, ndërkaq tash, pas 108 vjetësh, Parlamenti malazez miratoi projektligjin për simbolet kombëtare, me të cilin  garanton përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar në Malit të Zi.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Gjatë pjesëmarrjes sime në manifestimet e ndryshme të shqiptarëve të Malit të Zi, si në Hot e Grudë, ashtu edhe në Plavë e Guci, kam vërejte se kishte mjaft pengesa gjatë përdorimit të flamurit shqiptar në këto manifestime. Por gjithsesi, shqiptarët me ngulmë jo vetëm që insistonin por edhe e përdornin në masë flamurin, qoftë edhe nëse i nënshtroheshin masave ndëshkuese.

Historikisht: Malësia e madhe priu me flamurin kombëtar

Historikisht, Malësia e Madhe ishte ndër të parat që shpalosi flamurin kombëtar shqiptar. “Për herë të parë pas periudhës së Gjergj Kastriotit, më 6 Prill 1911, flamuri shqiptar është valëvitur në malet e Deçiçit në Tuz përgjatë Betejës së Deçiçit”. “Në këtë betejë, shqiptarët udhëhiqeshin nga Dedë Gjon Luli, në luftën kundër otomanëve”, – këtë lajm e raportonte gazeta londineze e kohës, “The Cape Time”.  Po këtë vend në Bratile, me Jakup Rekën e vizituam më 5 Maj 2016  të shoqëruar edhe nga vendësit.

Gjatë vizitës sime me Jakup Rekën me një gushti i vitit 2016, që ishte edhe ditë festivali në Vuthaj të Gucisë, por edhe ditë vizite për Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani,  po në katund piktoresk, pamë lapidarin e atdhetarit, Isuf Çelajt, që u flijua për atdhe e për flamur, ndaj edhe simboli ynë kombëtar valonte mbi shtatoren e këtij trimi.

Dënime në Mal të Zi e Maqedoni të veriut për shpalosje të flamurit shqiptar

Ndërsa, rasti më i ri që ndërlidhet me flamurin shqiptar, ishte i që i ndodhi në Krajë, shkodranit të mirënjohur Irfan Domnori i cili për shkak të përdorimit të simboleve shqiptare në një aktivitet kulturo-sportiv u dënua me 300 euro, si dhe një mos lejim të kalimit në Mal të Zi. Ishte kjo vetëm një nga ngjarjet paradoksale që i ka ndodhur Irfanit, i cili flamurin kombëtar dhe kostumet e tija karakteristike kombëtare i përdor në çdo manifestim, jo vetëm në vendet e Ballkanit, por edhe jashtë rajonit.

Ngjashëm vepron edhe Maqedonia e Veriut, sa i përket flamurit shqiptar,  që po ashtu dënoi  Gjergj Prenkoçaj, vetëm pse shpalosi flamurin shqiptar mbi Kalanë e Ohrit edhe atë me 1100 euro dhe një masë ndalese prej 5 vjetësh për hyrje në Maqedoninë e Veriut. Ngjashëm vepron edhe Serbia e Greqia sa i përket simboleve kombëtare shqiptare, por jo edhe Italia, ku madje kemi pa se edhe në veturat e policisë në Kalabri është e vendosur shqiponja dykrenore.

Që të thyhet sadopak akulli, gjatë udhëtimeve të mija, kam vërejtur disa nga kulmet e shtëpive shqiptare në Mal të Zi, stolisen me flamurin flamuri kombëtar e sidomos në Festivalin “Rapsha 2017”, ku me dhjetëra flamuj shqiptarë e bënin ambientin shumë më mbresëlënës.

Foleja Kombëtare shpalos flamurin e madh shqiptar në Ohër e në Tuz

Edhe me rastin e ngritjes së bustit të heroit tonë kombëtar, vërejtëm se në hyrje të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Triesh të Malësisë së Madhe afër Tuzit, ishte vendos vetëm flamuri malazez, ndërsa që disa nga nxënësit filluan të sjellin flamuj të vegjël kombëtar, dhuratë e atdhetares nga Durrësi, Elida Jorgoni, kryetare e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare”. Po kjo shoqatë vetëm disa muaj më parë me një flamur të madh shqiptar marshoi rrugëve të Tuzit, deri te shtatorja e Ded Gjon Lulit, e Nënës Terezë. Ndonëse nuk e kishte paralajmëruar këtë aktivitet nuk pati pengesë nga policia , përkundrazi policia për një kohë ndërpreu trafikun, derisa u përmbyll ky marshim, ku mori pjesë edhe stërnipi i kryetrimit tonë,  Loris Castriota Skandebegh. Ndërkohë një delegacion i Folesë Kombëtare u prit edhe nga përfaqësuesit e kuvendit dhe partive politike të Tuzit.

Projekt- ligji i qeverisë merr dritën jeshile në parlamentin malazez

Regjistrova vetëm disa shembuj lidhur me përdorimin flamurit shqiptar. E më në fund vjen lajmi i gëzueshëm për përdorimin e simboleve të kombësive në Mal të zi , për çka më parë, Qeveria malazeze miratoi projekt-ligjin, ku qeveria parasheh që flamuri shqiptar të përdoret lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, në mënyrë që edhe me ligj lejohet përdorimi i flamurit shqiptar. Ndërkaq, dy ditë më parë, Parlamenti malazez ka miratuar projektligjin për simbolet kombëtare. Edhe atë: “me 41 vota pro, projektligji i hartuar nga Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Malin e Zi, garanton edhe përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar nga shqiptarët e Malit të Zi, ndërkohë që është fshirë plotësisht neni 23, për rendin dhe qetësinë publike, përmes të cilit sanksionohej përdorimi i flamurit shqiptar”.Aktualisht, Projektligji i miratuar nga qeveria dhe i miratuar tash në parlamentin malazez, parasheh që flamuri shqiptar të përdoret lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Si ishte deri më tash!?

Ndërsa që sipas ligjeve aktuale të Malit të Zi, kur një qytetar mban në publik një flamur, stemë ose një simbol të një shteti tjetër pa autorizim, gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë. Ndaj edhe partitë politike shqiptare, përmes deputetit të tyre në parlament Genci Nimanbegu, propozuan vitin e kaluar ndryshimin e ligjit, duke kërkuar heqjen e gjobave për ngritjen e simboleve kombëtare, por propozimi nuk u miratua.

Në Mal të Zi, gjykatat shpesh kanë lëshuar gjoba ndaj pjesëtarëve të pakicave për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare të shteteve të tjera. Reagimi i përshpejtuar i qeverisë së Malit të Zi pason gjobitjen e ish sportistit Irfan Domnori nga Shqipëria dhe dëbimin e tij nga territori i Malit të Zi për një muaj, për shkak të ngritjes së flamurit të Shqipërisë (lexo: flamurit kombëtar shqiptar)  pa leje në një manifestim, të mbajtur këto ditë në Krajë. Ky veprim i policisë malazeze shkaktoi reagime të ashpra dhe u bë objekt debatesh midis forcave politike shqiptare dhe zyrtarëve malazezë.

Hapi i Parlamentit dhe faktori shqiptar

Sidoqoftë hapi i fundit i Parlamentit malazez, lidhur me përdorimin e simboleve kombëtare  është për tu përshëndetur, por gjithashtu edhe faktori shqiptar i përfshirë në institucione e parti politike shqiptare meriton një mirënjohje të veçantë ngase duke u angazhuar për të drejta nacionale, po i kontribuon njëherësh edhe stabilitetit politik dhe atij zhvillimor te vet Republikës së Malit të Zi.

( Me këtë rast po jap fotot që kam shënuar në manifestimet e ndryshme që kam përcjell në anë të ndryshme të Malit të Zi)