FATON TOPALLI I DIASPORËS SË ZVICRËS DEPUTETI MË AKTIV NË KUVENDIN E KOSOVËS

Siç njoftojnë mediet në Kosovë duke u thirrur në raportin 7 mujor të KDI-së rreth punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Ferizaj, Faton Topalli, njëherazi edhe përfaqësuesi më dinjitoz i diasporës sonë të Zvicrës, ka rezultuar ndër deputetët më aktiv në Kuvendin e Kosovës.

Po sipas KDI-së, deputetët më aktiv janë Faton Topalli dhe Smajl Kurteshit nga Vetëvendosje, nga AAK janë Teuta Haxhiu dhe Time Kadriaj, ndërsa nga PDK deputeti më aktiv sipas KDI-së ka qenë Bekim Haxhiu.

Pyetjet parlamentare gjatë kësaj periudhe kanë qenë gjithsej 218, nga to vetëm 106 kanë marrë përgjigje.

Pyetje parlamentare që janë parashtruar më shumë janë 34 për qind nga Lëvizja Vetëvendosje!, AAK 22 për qind si dhe PDK 22 për qind.

Për më shumë mund të mësohet edhe në faqen e Institutit në fjalë: http://www.kdi-kosova.org/index.php

Faton Topalli në dhjetëvjeçarin e fundit ndër të tjera ka punuar si pedagog social si dhe në shërbimin psikosocial në Cyrih të Zvicrës. Fakultetin e shkencave sociale e ka përfunduar në Cyrih të Zvicrës, ndërsa edhe ka magjistruar në po të njëjtin institut. Po ashtu ai edhe ka qenë ligjërues i jashtëm në Fakultetin e shkencave sociale në Cyrih që nga viti 2007 gjer më 2010. Është edhe ekspert i praktikës për diplomim në ZHAV të Zvicrës.

Faton Topalli e në vazhdimësi ka qenë i kyçur në mbrojtjen e interesave të mërgimtarëve shqiptar në Zvicër, përfaqësues joformal i bashkësisë shqiptare në po të njëjtin shtet. Ka qenë një nga drejtuesit e Lëvizjes për Republikë, dhe aktivist në ilegalitet nga viti 1978 gjer më 1991. Si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje! ka qenë kandidat edhe për kryetar të Ferizajt në zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme si dhe ato të fundit. Në fundin e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pasur rastin të ushtrojë aktivisht funksionin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës dhe aktualisht është duke ushtruar mandatin e dytë, duke shkëlqyer edhe si përfaqësues i denjë i diasporës shqiptare në përgjithësi e veçanërisht të asaj të Zvicrës.