Sipas drejtorit, Guxim Alushi për këtë panair, që do të mbahet të dielën më 18 Shtator 2022, në Theaterstrasse 1, 8610 Uster të kantonit të Cyrihut, pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar 36 autorë dhe dy shtëpi botuese. – Organizatore e kësaj ngjarje me peshë të veçantë kulturore për mërgatën edhe kësaj radhe, si edhe para 3 vitesh, është Shoqata Kulturore Shqiptare «BASHKIMI» nga Ushteri, një shoqatë kjo që shquhet me një kryesi që bën organizime solide
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Dita e djeshme, 15 shtatori, shënon trevjetorin e panairit të parë të librit që organizoi Shoqata Kulturore Shqiptare «BASHKIMI» nga Ushteri, por meqë në këtë rrugëtim libri e penoi pandemia, ajo sërish e aktivzoi panairin në këtë vit, për 18 Shtator 2022, kur edhe po në Uster në një sallë reprezentative në Theaterstrasse 1, 8610 Uster , do ta mbajë edhe panairin e dytë me radhë.
Nga biseda që zhvillova me drejtorin e këtij panairi njëherit kryetar të shoqatës “Bashkimi”, Guxim Alushin mësova se tash më janë bërë të gjitha parapërgatitjet për këtë panair dhe se deri më tash pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar 36 autorë dhe dy shtëpi botuese. Nga shtëpitë botuese janë “Albasi” nga Tirana që zakonisht pos Shqipërisë e mbulon edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut, si dhe shtëpia botuese “Litera Grup” nga Shkupi. Panairi do të jetë i hapur për plot 11 orë rresht. Në program ka edhe pika artistike nga vet shoqata «Bashkimi» e Usterit.
Organizatori për komunikim ka ofruar edhe këo lidhje:
Për informacione dhe lajmërime na kontaktoni në:
E-Mail: info@bashkimi.ch – Web: www.bashkimi.ch
Tel 1: +41 78 898 50 50 | Tel 2: +41 79 346 85 37
( Tekstin e ilustrova me ca foto autoriale të panairit të parë, 2019 )