Në Kalabri, në një qytesë zhytur në Pollino gjendet një fshat arbëreshe dikur quajtur Porcille. Sot kjo qytezë quhet Ejanina dhe është fraksion i Frasnitës. Në këto territore lindën arbëreshët më të ndritur si; Michele Bellusci, Domenico Bellusci, Costantino Arcuri, Vincenzo Dorsa, Bernando Bilota, Vorea Ujko, Papa Domenico Bellizzi, Francesco Solano, Emanuele Giordano, Beniamin Frascini, Papas Domenico Magnelli, Achille Parapugna, Luca Perrone, Antonio Bellusci etje dhe midis tyre është edhe një profesor, një poet, themeluesi i Revistës “Jeta Arbëreshi” gjendet Arbëreshi Prof Agostino Giordano. Prof Agostino, është nipi dhe trashëgimtari të Papas Emanuele Giordano.
Kur e takon prof Agostino të bie menjëherë dashuria e tij për arbërishten, dhe mprehtësia e tij karakterizohet nga ajo dozë ironie që është virtyt e njerëzve inteligjent dhe të drejpërdrejt.
Pseudonimi i tij në poezi do ta gjeni me nofkën “ Buzëlepuri”.
Prof Agostinos gjatë gjithë jetës së tij i është përkushtuar deri në vetëmohim, mësimit, shkrimit dhe përdorimit të Arbërishtes.
Kush është Agostino Giordano: Si iu thashë edhe më sipër Agostino është drejtor i revistës “Jeta Arbëreshe”. – Organ i Shoqatës Kulturore të Purçill – Ejanina por e hapur në të gjithë botën arbërore, përfshih këtu në Shqipëri, Kosovë si edhe Maqedoni të veriut. Kjo revistë e karakterit on line u themelua ne janarin e vitit 2001 dhe më tepër se 22 vjet i mbijeton dallgëve të globalizimit. Në shkrimet e kësaj reviste do të gjeni shume materiale nga Kosova, Shqipëria si edhe nga Arbëria. Në të janë studim të vlershëm nga autorë arbëresh të dëgjuar, si edhe punime te autorëve të pa botuara.
Prof Agostino është studiues i pasionuar i letërsisë, i gjuhës arbëreshe si edhe poet.
Motoja e tij është: “Zëmi e shkruami arbërisht, ashtu si folmi!”. Kësaj thirrje i përgjegjen 13 katunde: Purçilli, Frasnita, Hora, Ruri, Ungra, Shën Benedhiti, Shën Murtiri, Shën Mitri, Fallkunara, Kajverici, Katundi, Karfici, Spixana.
- Kur doli numri i parë i revistës “Jeta Arbëreshe”, ishte krijuar një terren fertile për të vazhduar e folur gjuhën e arbëreshit – thotë Prof Agostino- Ishte viti kur kishin dalë: fjalori arbërisht ajo i Zotit Emanuele Girodano, dy volumet “alfabetizzazione” Kordinuar nga Profesor Italo Fortino, si dhe e fjalor të Arbshkuar të Costandino Belluscio. Pra arbëreshi kishte si abetaren(Fjalën) ashtu edhe fjalorin. Këtij kontekti që është i gjallë edhe sot ai i përgjigjet: Arbëreshi fjalën e kishte vet, unë i dhash penën. Githmonë kam menduar që arbëreshi duhet të flas gjuhën e tij, gjuhën e mëmës së tij. Për tu kuptuar mes nesh duhet të flasim gjuhën e popullit, gjuhën e folur, gjuhën që përdorim ne. Ndërsa flas me shqiptarët e sotëm, nuk po kuptohemi më. Gjuha arbërishte është ajo gjuhë e ruajtur nga arbëreshët. Ne jemi 600 vjet në trojet tona, në këto troje.
Mendoj se nëse letërsia shqipe hodhi bazat me gjuhën e De Radës, Serembe, Santori, etje, është pikërisht gjuha e tyre, gjuha e gjallë e arbëreshit, të cilën duhet ta bëjmë normë për gjuhën tonë, e cila duhet të quhet “ Arbërishtja”. Jam i mendimit se për ta pasuruar këtë gjuhë , aty ku nuk e kemi ruajtur ta marrin nga shqipja, në këtë mënyrë jemi edhe të lidhur me gjuhën mëmë.
Kur krijova për herë të parë revistën”Jeta Arbëreshe”mendova të mbajë atë linjë horizontale të kuptuarit me njeri tjetrin që është gjuha e gjallë, gjuha e folur në katundet tona, dhe jo gjuha hierarkike\ verikale standartja e shqipes së sotme që herë herë duket edhe për mua e pa kuptueshme. Nuk jam në kundërshtim me gjuhën standarte shqipe, kushdo që të vazhdojë studimet le ta mësoj më tej, në universitet por për identitetin tonë duhet të kemi gjuhën arbërishte, gjuhën e De Radës, Sanntorit, Serembes.
Shteti italian nuk më mbron dhe me tutelon për të mësuar gjuhën e sotme shqipe, por më mbron me ligjin e tij si “La minoranza linguistica arbëreshe”, që do të thotë gjuha ime 600 vjeçare.
Revista ime “Jeta Arbëreshe” kishte qëllim, ringjalljen e gjuhës së folur, ringjalljen e ndërgjegjes arbërore. Shpesh në revistën time thosha: Shkruani arbërisht siç e shqiptoni, mos kini frikë, ju vetëm shkrueni. Kështu qëllimi im nuk ishte vetëm ta lexonin revistën por edhe ta shkruanin. Me revistën sdoganova arbërishten.
Revistën e nxorra me sakrifica dhe po e mbaj akoma dhe me shumë mundime. Nuk ka më rini që i interesohen, dhe ata pak që janë duket sikur kanë rënë në vlagën vetëm të folklorit, festa e sheshe, por fshatrat tona po shpopullohen dhe më e keqja është se edhe pse gjuha arbërishte është përcaktuar nga UNESCO si gjuhë në zhdukje nuk shohim asnjë projekt konkret.
Revista Jeta arbëreshe , në fillimin e saj doli si një revistë gjashtëmujore online, me rreth 100 faqe: me shkrime nga Arbëria dhe nga Shqipëria. Revista është e shkruar në arbërisht, por në gjuhën shqipe standarde, dhe disa materiale janë edhe në gjuhën italiane.
Dua të shtoj faktin se dikur fillova të shkruaja në shqipen standarte edhe unë, por si poet që isha kuptova, që arbërishtja më përkiste, ishte gjuha e përkatësisë sime. Gjuha nuk është sterile, gjuha është, fjalë, është tingull, është antropologji, është jetë, ëshë ai komunikim që të përmbush shpirtin dhe arbërishtja më jepte këtë ndjesi.
Agostino, ndalon dhe na flet për papas Emanuele Giordano, i cili gjithashtu në vitin 2000, kontribuoi, me autorë të tjerë, në krijimin e veprës „Alfabetizzazione Arbëreshe“ – nga Shoqata AIADI e Lungro – e cila gjatë atyre viteve do të shpërndahej falas për të gjithë fëmijët e fshatrave Arbëreshë të Italisë, të cilët marrin pjesë në shkollën fillore dhe të mesme.
Ja si shprehet prof Agostino për Papas Emanuele Giordano:
- Papas Emanuele nuk ka merita vetëm në fushën fetare në gjuhësi dhe fushën kulturore shqiptare por ai dallohet për „Fjalorin e Arbëreshvet t’Italisë“ (Fjalori i Shqiptarëve të Italisë).
Në 1972, Papas Giordano për dymbëdhjetë vjet, ai drejtoi revistën kulturore „Zëri i Arbëreshvet“ , ku botoi artikuj gjuhësore, historike dhe letrare, poezi, recensione, këngë popullore, fjalë të urta, kronika; si dhe komedinë „Dorëngushti“ (Avari) nga Molière, të cilën ai e zvogëloi, rishikoi dhe përshtati në shqip. Akoma në fushën kulturore shqiptare, papas Giordano botoi, në vitin 2000, Botimin II * të „Fjalorit“ (Fjalorit) të tij, si dhe – nga Eparkia e Lungros – „Vangjeli i Shën Matesë“ (Ungjilli i Shën Mateut).
Vangjeli i Shën Matesë“ (Ungjilli i Shën Mateut) u përkthye në arbëresht në bashkëpunimin me Prof.”
Per biografinë dhe veprën e tij Prof Agostino Giordano rrëfehet në arbërishten e tij
U leva Purçill, ka tatë frasnjot e mëmë purçilote, arbëreshë; ka tata nduka erë botje e mali, ka mëma thitha gjuhë e vjershe; zotilalë qe mjeshtër skollje, jetje, riti e arbëreshitèti; Vorea Ujko më nisi mbi udhën e poezisë. ‘Buzëdhelpri’ ëmri i poetit, ‘Drejtori’ ëmri i gazetarit. Lëtishtja qe gjuha e bukës, Arbëristhja është gjuha e gjakut.
Nxënës i prof. Ernest Koliqit tek Universitata ‘La Sapienza’ e Romës, çë prej vitit 1975 zura e mbësova Letërsi në skollat e larta; për 11 vjet, kryeredaktor i rivistës ‘Zëri i Arbëreshëvet’; për 7 vjet, lektor gjuhje shqipe tek Universitata e Kallàbrjes; ka 22 vjet publiçist; ka katër vjet në pension.
Publlikarta/Botova 4 Libre Poezish (me pseudonimin “Buzëdhelpri”): Hroaza, Castrovillari (Itali), 1971; Hapa mbi kalldrëm, Shkup (Maqedoni), 1976; Bota Arbëreshe, Tiranë (Shqipëri), 1997; Telet e Zëmrës, Prishtinë (Kosovë), 2013.
Bashkë me të tjerë autorë: AA.VV. : Alfabetizzazione Arbëreshe (me nismën e Shoqatës Kulturore Aiadi, Lungro/Cs), Ed. Il Capitello, Torino, 2000; AA.VV. : Vorea Ujko, Opera Letteraria (me nismën e Bashkisë së Fermës/Cs), Ed.Il Coscile, Castrovillari 2004.
Publlikarta/Botova poezi, studime, artikuj mbi këto rivista e gazeta: Zgjimi, Zëri i Arbëreshvet, Katundi Ynë, Shêjzat, Calabria Turismo, Kalendari i Arbëreshvet, Mondo Albanese, Rinascita-Sud, Lidhja, Lajme, Jeta Arbëreshe (Italí); Jehona, Flaka e Vëllazërimit (Maqedoní); Rilindja, Fjala, Bota e re, Jeta e re, Drita (Kosovë); Koha e jonë (Francë); Drita, Kultura Popullore, Nentori (Shqipëri); Dielli (Shtetet e Bashkuar);
Stinët e jetës (Suedì); Urtia (Kroací).
Shkruajtin mbi poezinë time: Vorea Ujko, Ernest Koliqi, Vincenzo Bruno, Mahmud Hysa, Ali Aliu, Teodoro Giuttari, Nasho Jorgaqi, Hysen Sinani, Llazar Siliqi, Claudio Toscani, Gjovalin Shkurtaj, Eleuterio F.Fortino, Baviola Shatro, Klara Kodra, Alisa Velaj, Kujtim Rrahmani, Muhamed Çitaku, Bajame Hoxha-Çeliku, Pierfranco Bruni, Ben Andoni, Ina Arapi, Agim Vinca, Helena Grillo.
Personalisht e falenderoj me zemër prof Agostino, birin Arbërisë, për punën e madhe, për veprën e tij që na jep edhe sot nëpërjet revistës “Jeta Arbëreshe” që na e shpërndan falas nëpërmjet postës elektronike.
Mendoj se puna e këtij poeti dhe publicisti arbëresh nuk është vlerësuar sa duhet, duke konsideruar kontributin e tij të çmuar në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kulturës arbëreshe.
I uroj prof Agostinos jetë të gjatë me shpresën se “Jeta arbëreshe” të marri vendin e mërituar si një organ i rëndësishëm në jetën arbërore.
Ndërsa ndahem me të ai më thotë:
Mos harro shqipja është si të ishte një lumio (lum) e ne jemi të gjithë përrenj rrëkaq (rrjedhës). I sjellim ujë këtij lumi të madh. Jemi pjesë të së njëjtës zemër, jemi arbër dhe kështu do mbesim.
Ornela Radovicka
Qendra albanologjike kultura arbëreshe, pranë bibliotekës A. Bellusci



















