Ornela Radovicka: Duke lexuar librin ” Fol, Fol o Bardh Mali” të Mentor Thaqit  

 Poeti i gegnishtes, ku  gegnishten në kohën e gjuhës standarde shqipe nuk e konsideron të “ngrirë”, po fjalët e tkurrura i mbledh në guackën e tij gjuhësore duke na dhënë një vepër të veçantë dimensionit kolektiv.

Në këtë vëllim, do të shikoni që një pjesë të punimeve autori i ka hedhur  në vargje, por doza më e madhe është në prozë, të karakterizuara në një strukturë kallzim-rrëfimi  “ku mbizotron herë dialogu e herë monologu,  shndërruar çdo  punim prozaik  si skicë  teatrale”. Vargjet   janë  një  akt më vete, por edhe me një gegnishte  ku fjalët  përmbajnë shekujt, historikun,  muzikalitet  dhe ritëm.  Një mori zanoresh të hapura dhe të mbyllura që u japin tinguj melodikë. Sinteza dhe urtësia, fraza të shkurtëra dhe ikonike, përmbledhin mençurinë popullore.  Bukuria e dialektit gegnisht qëndron në aftësinë e tij për të evokuar forcën e fjalës,  emocione, vazhdimësia  e çdo tingulli kthyer në fjalë  një vepër arti në filozofi  morali.

Përmbajtja e këtyre vargjeve të përcjellin në kohë dhe në hapsirë pa një  segment linear, por moti dhe ngjarjet janë ciklike, dhe ambienti është ai malësor-dardan.  Diku një kullë, (derë e madhe) toka, mullarë, bagëti, ku shtëpia e është e Zotit oda është e Mikut. Vargjet e tij  janë më tepër si rapsodi, të prera e  të  thella si gegnishtja e tij. Mendime që derdhen në kapilarët e historisë, legjendave, mitit  të sinkronizuar në personazhet si baba Bardh, i biri Mali, të rrethuar nga familja, miqësia, fisi, aty edhe  qenin, Zhuku, ndoshta një rracë  si deltari Ilir apo qeni i Sharrit. Në çdo skicë që  krijon thur atmosferën dardane, dje, shqiptar të besës, zemërgjërë, vllazni mes vedit ku fjala ishte morali, traditat, mbështetur në mënçurinë popullore.

Sofra (Darka) e Lamës, Nata e Buzmit Bujar, përshkruar këto festa pagane e  të detajuara në rrëfimin  e autorit, por edhe e përjetuar, një rit të cilin e përsërsin  çdo vit edhe në mërgatë, pa harruar kodet ne  veshjen e Dukagjinit (origjina e autorit) “…e hoq shallin e pshtjellun reth plisit …”!

Autori, përqëndrohet dhe tek shoqëria e sotme, një Kosovë (Dardani)  tashme e lirë, por e mbushur plot me plagë, vese, ku shumë elemente  të kulturës, të identitetit, si edhe sakrifica ndaj çështjeve në të mirë të kombit, nuk janë më primare, por apostrofohen në tendencën e një pasurimi vetjak. 

Në skemën e tij dardane, skicat  janë të mbushura me toponime shqiptare, ndërsa  emrat  e personazheve, nuk janë rastësi, por mbartin gjestet dhe karakteret e tyre.  Autori ndërton prozën duke u bazuar me elemnte  etno kulturore:  Në përshkrimet ambientale janë Oda, burra e gra, brezat babë e bir, fis: (Shpija e Lush Çarrit kjè shpi me zâ, i ki’ pa dalë nami  për shpi sojnike n’katër nahijet. Iratë me bollëk, mashkuj shumë, po edhe bijat qe besa, ku i martoj bijat, ia zbardhën ftyren shpisë t’vet!

Asgjë nuk është statike në ato lëvizje të komanduara, dhe aspak mekanicitet në ambientet dardane. Lëvizë jeta, edhe në ato kulla, të heshtura,  mbizotëron besa, mikpritja, e ciklon moralin si virtyt më të lartë njerëzor.  Në personazhe si  Baba Bardh, personifikim i Urtësisë së moçme shqiptare (jo më kot  autori zgjedh këtë emër, simbol i lashtësisë shqipe, emër i Mbretit Bardhyl, simbol i pastërtisë, dhe një nga fjalët më antike ilire. I bardhë si Bjeshkët në dimër. Të rënda nga bora e akulli por të pathyera dhe të përjetshme!), eklipsohen  vetitë më e larta dardane.  Babë Bardhi, është  rrjedhë  e asaj epopeje, e atyre trojeve ku Gjergji ëshë në krye të sofrës të çdo shqiptari, besa, Lekë Dukagjini është drejësia morale, Nënë Treza është respekti i një populli të civilizuar, ndërsa atdheu është detyra më e shenjtë sublime e cilitdo shqiptar kudo qoftë: Unë shqyptar jam le, n’pish´ të Dillit jam rritë. E kan ngjoft do burra, që Fjalën mbanin.  Shqypnin e kam n´zemër e shqiptar du me dekë, shqip me m’shti n’dhè! Kaq! 

Autori ecën në epoka. Ndalet në rrugëtimin e tij e pauzat shndërrohen në “intermezzo” plot reflektime artistike.“Nuk di as ka po shkojmë! Por e shoh që rreth Shqypnisë langoj lehin dhe kafshojnë. Vrasja jonë quhet vetvrasje. Në xhenet erë mjekrrash. Tmerr! Rrjethshëm flasin osmanisht e të paguajnë mirë. Arapçe nuk kuptoj,  por,  fol bre pak për shkollë, për gjuhën tënde.

Nata gatuan trishtimin. Autori kërkon një frymëmarrje tjetër. Pa e hupë ajrin e Tok’s. Toka e të parëve. Ajo udhëzon:  Merr këtë gur, këtë dhe, dhe muret e kullave lidh.  Kjo toka është truall i kullave, e gurit. Aty shkruan varret ilirët. I lanë t’i lexojmë.

Personazhet në karakteret e tyre janë të ngarkuar me një “kontrast fiks” ku dalin në pah veset nga njëra anë dhe vlerat nga tjetra; (“Herë  Asgan e  herë mjeran“) … apo në vargun “Thojke, po jua marr lulen e jo therren, po prej lule bahet therra”. Autori në fshikullën e tij morale  nuk falë dhe këtë e bën me forcën e fjalës të një fjalori të ashpër dhe  i prerë. Herë  pena e tij  është i tërthortë ; “…dëme dëmesh në gur dhe dru, po mbi t’gjitha n’shpirt e n’ tru … dhe herë herë vargjet përmbajnë satirë groteske : Jo punë mosdije, po delenxhije!

Në leksik, është  i pasur me shumë fjalë të vjetra, disa të përdorim të periudhës osmanishte, të cilat i rendin personazhet të gjallë e të  vërtetë në kohë dhe në hapsirë si dhe në kontekstin e ngjarjeve. Skanimi i fjalëve, i apostrofave  iu jep vargjeve një ngjyrosje thirrmore të cilat i çon në theksim, duke i dhënë emocion dhe forcë.  Për gegnishten tèmè përgjegjësia morale më ngelet mua”, shprehet autori  në parathënien e librit.

Në vargje, gjejmë edhe tematikat si: mirënjohja ndaj mikut, mjeshtrit Sokol Kabashit, konkretizuar në kujtimin e orës së të atit, apo në vargje kushtuar artistit Gëzim Muriqi,  mbi elementet kodike në veprën e tij  kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Mësues Zefit, Motrës së tij, etj… !

I urojmë autorit vazhdimësi në krijimtarinë e tij, pa lënë aspak prapa  gegnishten me të cilën shprehet dhe në  të njëjtën kohë e shtrinë mundësinë shprehëse në maksimum, sepse përmes kësaj monorrokëshje, gjuha synon të tejkalojë veten në favor të realitetit, dhe të apostrofoj “T’tana n’nji  t’ kallzueme” ku përmblidhet “Unë dhe Ne”.

Ornela Radovicka

Qendra albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga Atë Bellusci