Nxënësit janë ata që e zbukurojnë Panairin e Librit!

E vërtetë që Panairi i Librit, i cili u organizua para disa javëve, kaloi. Por kujtimet kanë mbetur te të gjithë ne. Ajo që më ra në sy ishin nxënësit. Nxënësit të cilët kishin ardhur me prindërit e tyre për t`u takuar me librin, për të blerë ndonjë libër. Kjo përkujdesje e prindërve për t`i  mbajtur fëmijët e tyre në kontakt me librin, por edhe me autorët pse jo? –  vlenë për t`u vlerësuar.

Autori i këtij shkrimi së bashku me nxënësit e shkollës shqipe Lind dhe Fisnik Maxhuni

Në panairin e fundit të librit që u mbajt në Uster të Kantonit të Zyrihut, i pagëzuar me një emër të veçantë “Diaspora 22” patëm rastin të takojmë botues, studiues, shkrimtarë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme. Patëm rastin të takojmë anëtarët e Shoqatës “Bashkimi” organizatorët e këtij panairi të librit, të njihemi nga afër me drejtuesit e shoqatave,  të cilat veprojnë në Zvicër dhe merren konkretisht me ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ata, të cilët edhe pse jetojnë dhe veprojnë larg atdheut mundohen me gjithë shpirt të ruajnë identitetin kombëtar.

Nxënësit e shkollës shqipe së bashku me gazetarin e mirënjohur Rexhep Rifatin, i cili është shoqëruesi më i mirë i aktiviteteve të shkollave shqipe jo vetëm në Zvicër por edhe më gjerë.

Por mbi të gjitha, ajo që ishte e veçanta e këtij panairi, ishin fëmijët të cilët së bashku me prindërit vizituan panairin e librit, ishin nxënësit e  shkollave shqipe, të cilët kishin ardhur për të takuar shkrimtarët, botuesit,… ata të cilët shkruajnë libra apo ata të cilët botojnë libra për fëmijë. Ata patën rastin të takojnë profesorin e nderuar të Universitetit të Prishtinës Agim Vincën, autorin e shumë vjershave për fëmijë, ata patën rastin të takojnë drejtoreshën e Shtëpisë Botuese “Albas” autoren dhe botuesen e shumë teksteve shkollore znj. Rita Petro, botimet për fëmijët e moshës parashkollore të Shtëpisë Botuese “Litera Academy”, nga Shkupi, botimet e shkrimtarit për fëmijë Bedri Dedja,  patën rastin t`i takojnë valltarët e Shoqatës “Bashkimi”, të cilët ruajnë dhe zhvillojnë vallen shqiptare etj.

Nxënësit e Shkollës shqipe në Uster, të Kantonit të Zyrihut, (nga e majta në të djathtë) Amela Frangu, Eliesa (Agron) Idrizi dhe Lijana (Sylejman) Idrizi të lumtur që vizitojnë Panairin e librit

Atë ditë ishte ditë feste, ditë e librit shqip. Dhe kishin të drejtë që të gjithë u ndien gjatë gjithë kohës të gëzuar dhe të lumtur sepse çdo takim me librin është një ditë e veçantë. Pjesëmarrësit nëpërmjet autorëve “takojnë” pjesë të historisë dhe gjeografisë shqiptare, prekin me ndjenjat e tyre gjuhën dhe kulturën kombëtare, apo thënë më konkretisht nëpërmjet poetit Agim Vinca u takuan me vargjet antologjike për atdheun, mësuesin, Kosovën, Shqipërinë, nëpërmjet autorit Rexhep Rifati u “takuan” me arbëreshët, nëpërmjet shkrimtarit Mustafë Krasniqi u takuan me heroin  e kombit Xhavit Hazirin etj. Një ditë feste që solli, dritë, dituri, buzëqeshje pa fund në zemrat  e autorëve dhe pjesëmarrësve të këtij Panairi.

Të shpresojmë që në vitin e ardhshëm te ketë edhe më shumë buzëqeshje, autorë, pjesëmarrës dhe mbi të gjitha libra, edhe për fëmijët që lindin dhe rritën larg atdheut por ëndërrojnë shqip.

Vaxhid Sejdiu