(Vështrim i Dr. Ornela Radovickës për librin e Hanëmshahe Ilazit: “Asim Luzha, Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889 – 1945)” )
Shpesh lihen në kujtesën e harresës ata njerëz që janë gjigant në shpirt, e të mëdhenj në kontribut. Por siç thotë edhe Nietzsche; Një popull nuk dallohet se sa njerëz të mëdhenj ka nxjerrë, por se sa i vlerëson ata.
Në botën e sotme një shoqëri “ liquida” jo solide (dekadente) siç thotë Bauman, si ç’do vlerë dekadente dhe besimi është kthyer në tendencë religjioze, njerëz fetar steril, apo fanatik, mohues të gjuhës dhe të kulturës, dhe vështirë është t’iu tregosh brezave të sotëm që ka njerëz që kishin një formë e besimi në Zot, që shërbente në shërbim të kombit, të gjuhës të kulturës së tij.
Këta njerëz sa “profan” aq edhe të Perëndisë, ishin ajo shtresa që përhapnin dituri, paqe dhe atdhedashuri, një prej tyre ishte edhe Asim Efendi Luzha.
Libri Asim Efendi Luzha, iu bë dhuratë Bibliotekës “Antonio Bellusci”në muajin korrik kur themeluesi i kësaj biblioteke kishte vetëm pak kohe që kishte ndërruar jetë.
Libri është shkruar nga Zonja. Hanëmshahe Ilazi, që është edhe autore e disa veprave, përmend njërën prej tyre “A vriten Engjëjt”, vepër kjo, për rëndësinë që ka, mendoj se çdo bibliotekë duhet ta ketë. Zonja Hanëmshahe është edhe një mësuese, aktiviste e luftës në Kosovë, por dhe një kërkuese dhe shfletuese shumë e mirë e arkivave të botës shqiptare, veprat e së cilës mbajnë atë tonin historik e kombëtar.
Këtë radhë, siç iu thash më sipër autorja vjen me një monografi, kushtuar martirit Asim Efendi Luzha që ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij kombit
Ky libër, lindi si ide nga familjarët e Asim Efendi Luzhës.
Nipërit dhe mbesat, e tij ishin njohur me kontributin e madh që kishte dhënë gjyshi i tyre dhe dëshironin ti ri-jepnin vendin dhe dinjitetin e vet kësaj figure sa i penës, kulturës si dhe patriotizmit.
Një prej mbesave të tij është edhe një mikja ime e dashur, z Atifet Luzha Karakashi. Një grua tipike gjakovare Dardane, sa e mirë aq edhe fisnike, me një komunikim që karakterizon njerëzit e kulturuar, ku butësia e pranisë së saj ruan një tonalitet të lehtë si krahëzat e një fluture, por që shpirti i saj merr ato dimensione të forta të një luaneshe sa herë që padrejtësia pllakos mbi mirësinë.
Atifeti, ka trashëguar nga gjyshi i saj atë dozë atdhedashurie të fort. Zonja Atifet së bashku me vajzën dhe mbesat e saj na erdhën dhe na gjetën tek arbëreshët e Kalabrisë, kur ishte ende gjallë At Bellusci ,dhe që nga ai moment kjo zonjë nuk është ndarë kurrë botës arbëreshe me përkrahjen e saj.
Nga familje prej ka rrënjët ka marrë “Mikpritjen” që e ruan edhe sot, virtyt kjo e njerëzve me atë shpirtin nobile, që o e ke o nuk e ke, dhe rrallë kanë sot këtë veti.
Ky libër nuk ka atë tonin politik as atë qëllim fetar të mirfilltë, por siç përmendem është një monografi i mbështetur në kujtimet e familjarëve dhe ku nxirret në pah kjo figurë e rëndësishme që i ka dhënë kombit i lënë në pluhurin e harresë.
Përmbajtja e librit është i zhvilluar në dy binar. Nga njëra anë janë është pjesa sentimentale, e familjare të të afërmeve të Martirit e patriotit Asim Efendi Luzha, e nga ana tjetër kronika dhe faktet historike .
Libri nuk përmban atë stilin bombastik akademik historik të fakteve por është i shkrirë me kujtimet që e bëjnë disi më të lehtë e të zhdërvjelltë përmbajtjen e tij. Notat biografike si dhe panoramë të familjes Luzha, i jep një kornizë humane këtij libri, për vet faktin sepse familja është “agjencia” më e shenjtë që çdo njeri nga ne i detyrohemi në shërbim të njeri tjetrit.
Vetë Asimi kishte lindur në një familje sa fisnike dhe patriotike. Njerëz të besës, trima dhe të lapsit. I at i tij Ali Murteza Efendi Luzha, lindur në Gjakovë dhe një njeri i ditur që u shkollua në shkollat më të famshme të asaj kohe. Njerëz të kulturuar.
Në familjet patriotike gjithmonë ka qenë i fort edhe roli i grave. Nëna e tij Hoxha Xhemile, ishte nga ato gra të besimit mysliman e cila sa herë që thirrje në lagje për të kryer ndonjë besim fetar, iu mësonte edhe se si ta donin vendlindjen. Por kjo grua si të gjitha nënat dardane e kishin shpirtin të helmuar. Shumë shpejt forcat serbe, i vranë të tre djemtë e axhës së saj, gra që ngelen të veja, me fëmijë jetim. Nëna Hoxha Xhemile i mbështeti dhe u përkujdes për to.
Kush ishte Asim Efendi Luzha?
Ai lind në Gjakovë në 1889. Shkon për studime në Ruzhdije\ Shkup, por dashuria Gjakovën ia ngacmonte shpirtin, dhe e bënë që Asim Efendi Luzha të rikthehet në vendin e lindjes.
Nuk ndalet në fushë të diturisë, dhe studion në Medresenë e Madhe dhe emërohet imam në disa fshatra për rreth. Por populli e do, e admiron dhe është njeriu më i respektuar, si rrjedhojë emërohet Imam i Xhamisë së Islam Begut në qendër të Gjakovës deri në fund të jetës së tij.
Asimi nuk i përket asaj “kategorie imami”, të rehatshëm, apo ata antikombëtare që luten në gjuhë arabe, Asimi kishte në deje gjak shqiptari, donte gjuhën shqipe, shkollat shqipe, dhe feja për të ishin vëllezërit shqiptarë.
Asnjëherë Asimi nuk mohoi kombin e tij. Nuk u dorëzua edhe kur kapet nga forcat malazeze dhe burgoset në burgun më famëkeq të Nikshiqit .Shprehja e tij që iu kthye si filozofi e të jetuarit ishte: “Shejtani luftohet me besimin e Zotit, pushtuesi luftohet me bashkim, vëllazërim dhe qëndresë.
Punoi deri në fund për atdheun dhe lirinë
Bukurin dhe shpirtin këtij libri ia japin edhe brezat e sotëm që janë ende gjallë duke kujtuar edhe ata që nuk janë më; Mësuese Sadete Nusci 1931, e bija e Asimit, kujtimet e mbesës së tij Atifet Karakashi mbi të atin e saj Qamijl Luzha por edhe të tjerët si: Petrit Karakashi, Lendita Karakashi, Granit Karakashi, Shqipe Luzha, Servete Luzha Korkuti, Dervish Korkuti, Prof. Dr Murteza Luzha, Laura Luzha, Zija Asim Luzha, Ilirjanë Luzha Çarkaxhiu, Leonora Luzha, Lorika Luzha Qoku, Inxhinier Kimete Nushi, Juristi Valdet Sahatçiu, Nol, Vesta,Lisa, Sahatçiu, Ilir Hoxha, Mergime Prekazi, Nergize Nushi, Besa Luzha Osmani, Qamil Murteza Luzha, tek ky i fundit shumë interesante është artikulli “Ç’ka i tha Qamil Luzha në Beograd Titos, më 9 Prill 1945”.
Elemente biografike mbajnë gjithmonë atë tonalitet të ndjeshmërisë siç është momenti kur bija e tij e Asimit, mësuesja Sadete, dikur 14 vjeçe, sot ende gjallë. Në kujtimin e saj ajo kishte rrëfye momentin e fundit, kur e kishte përcjellë të atin te dera, e loti i kishte rrëshqitur. Kishte patur atë ndjesi që po e përqafonte për herë të fundit. Nuk ishte gabuar, se ai nuk ishte kthyer më.
Stili artistik i rrëfimit, është një stil i rrjedhshëm por dhe i mbushur me përshkrim letrare. Përmendim momentin e kthimit të kalit në shtëpi pa të zotin. E shoqja e Asimit e sheh këtë kalë, dhe gjaku i ngrin. E kupton shumë mirë që e kanë vrarë dhe menjëherë thotë: Kush ishte ajo dorë e fëlliqur që e vrau Asimin, i cili nuk i bënte kaq njeriut!
Libri shtrihet në një rrafsh edhe shkencor historik. Nuk mungojnë data, personazhe historik të kohës, ndarje administrative, sistemi dhe qarqet sociale të asaj kohe, politika anti-shqiptare nga qarqet serbo- malazeze. Në të do të gjeni pjesë nga Konferenca e Bujanit, Fjalime të mbajtura lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Mashtrime dhe krimet e UDB-s të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve të Kosovë deri në 1968,
Me shumë rëndësi është edhe foto-albumi. Ato nuk janë thjesht fotografi ku është mbërthyer çasti, por janë foto të epokës, janë kostumografi, janë antropologji, janë etnografi, janë emocione të një epoke, janë reportazhe, janë ajo pjesë Dardanie, janë pjesë të një historie gojore, që shpesh anashkalohet por që është ndonjëherë më e rëndësishme se ajo pjesë e historike e kronikave shpesh e shkruar nga regjimi, por që nuk i përkit asaj reale e të vërtetës.
Qëllimi ynë për të shkruar një libër mbi gjyshin tim Asim Efendi Luzha – thotë Zonja Atifet- është thjesht të përmblidhet vepra, kontributi i tij, e të hidhen në faqet e një libri. Ta kemi mbi komodinat tona si ato librat e shenjtë. Ta shfletojmë e të kujtohemi se gjyshi im, imam ishte ndër ata patriot, që kishte mbi të gjitha dashurinë Mëmëdheun, pastaj besimi.
Jam krenare që pata një gjysh të tillë, fetar por që mësimet e tij më çojnë ecë në gjurmë të patriotizmit, të dashurisë për tokën mëmë, për gjuhën tonë.
Figura që nuk duhet harruar
Figura të tilla nuk duhet harruar, pavarësisht besimit. Nuk duhet ngatërruar spiritualitetin me besimin fetar. Besimi fetar është zbehur vit pas viti dhe një formë besimi tjetër ka gjeneruar dhe ende gjeneron mizoritë më të këqija të justifikuara në emër të një perëndie. Një formë besimi violent, ku gratë nënshtrohen deri në kostumet e tyre të karakterit të një kulture arabe, deri në burka, apo përdhunim të kulturës dhe figurave të heronjve legjendar, deri në mohimin e gjuhës në lutjet e shpirtit e në gjuhën e mëmës.
Figura si Asim Efendi Luzha duhet të jenë model për ato figura fetarësh të sotëm, se ata me lart se besimin kanë mbajtur si primare kombin, dhe ishin në kërkim të ndërgjegjes, patriotizmit e të mbrojtjes së gjuhës. Pikërisht për vlerat e tij Asim Efendi Luzha meriton mos të harrohet.