Promovohet libri i Hamzë Morinës, kushtuar mësimit shqip në kantonin e Aargau në Zvicër 

Në një nga sallat shkollore në Spreitenbach të Aargaut në Zvicër, më 10 Janar 2019, u tubuan me dhjetëra mësues, nxënës dhe miq të veteranit të arsimit, Hamzë Morina, që punën e tij disa vjeçare në mësimin plotësues shqip e kishte kurorëzuar me një libër monografik me vlerë sa dokumentare aq edhe me arsimore e kulturore

Teksti e fotot: Rexhep Rifati  

Me këtë rast, në këtë mbrëmje, u bë promovimi i librit “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut-Zvicër“, një monografi kjo me një rëndësi të veçantë sa dokumentare, aq edhe arsimore e kulturore, që ofron të dhëna të shumta për ecurinë e mësimit shqip në këtë kanton, në prag të 30 vjetorit të fillimit të mësimit plotësues shqip në Zvicër.

Që në fillim, hapjen e bëri kryetari i Këshillit kantonal, të mësimit plotësues, veprimtari Rizah Demaj, e pastaj pati disa fjalë përshëndetëse nga mësues, kolegë apo edhe ish-nxënës. Ndër ta edhe Konsullja e Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, si dhe kryetari i LAPSH-it në nivel të Zvicrës, profesor Nexhat Maloku. Ndërsa pati edhe mysafirë nga Kosova, në emër të të cilëve përshëndeti mësuesja nga Gjilani, Arbane Emini.

Si zakonisht edhe kësaj radhe profesor Hamzë Mirina, që edhe në Kosovë ka shërbye në arsim për të vazhduar për disa vite rresht këtë punë të shenjtë edhe në mesin e mërgimtarëve tanë në Zvicër ishte fjalë pak, ndaj edhe nga libri tij, i porsabotuar shkëputa një fragment të këtij autori:

“Libri “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut-Zvicër“ , është rezultat dhe përpjekje e pasqyrimit të punës së palodhshme vullnetare që shqiptarët e mërguar në Kantonin e Aargaut në Zvicër për tri dekada u mundësuan fëmijëve të tyre mësimin dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës amtare”.

Po ashtu po japim edhe një pjesë të fjalës së veprimtarit Abas Fejzullohut një ish-mësuesi të mësimit plotësues shqip, e miku të Hamzë Morinës, i cili ndër të tjera në fjalën e rastit përmendi se:  Libri “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut-Zvicër“ shkruar nga Hamzë Morina, veteran i arsimit, është një dhuratë e veçantë për arsimin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi dhe për kurbetçinjtë në shtetin zviceran në veçanti.

Bashkatdhetarët me familjet e tyre, të cilët jetojnë e veprojnë në Zvicër, në kohë dhe hapësirë janë vet brumi i librit të autorit Hamzë Morina të përpunuar, gatuar e pjekur mirë e me shumë kujdes të veçantë e shije, ku përmes punës praktike, organizative dhe hulumtuese afatgjate në drejtimin e arsimit dhe edukimit si në atdhe dhe në kurbet, si dhuratë për lexues ka shkruar librin: “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut-Zvicër“, që secili që do ta ketë rastin dhe dëshirën për ta lexuar me interesim e kujdes, do t‘i le përshtypje të veçanta për të gjitha të dhënat e mbarshtruara me shumë kujdes në këtë libër, lidhur me organizimin dhe punën e mësimit plotësues në gjuhën shqip për fëmijët e kurbetçinjve  që jetojnë me familjet e tyre në Zvicër.

Më tej Abas Fejzullahu përmend se libri : “përfshin lëndën e përpunuar me kujdes të veçantë në 264 faqe, ku me foto dhe dëshmi të shumta plotësojnë përmbajtjen e librit të mbarshtruar në gjashtë shtylla kryesore apo kryetituj, ku secili kryetitull ka 3 deri në 9-të nëntituj që përshtaten dhe përputhen në vazhdimësi sipas rrjedhave të punës organizative në edukimin dhe arsimimin e nxënësve përmes mësimit plotësues shqip në Zvicër. Autori për punën e këtij libri ka shfrytëzuar një literaturë burimore prej 25 burimeve të ndryshme që librit i shtojnë vlerën sa profesionale aq edhe historike me të dhënat e paraqitura me data dhe vende të zhvillimeve të ngjarjeve me rëndësi historike në kohë dhe hapësirë dhe me mënyrën e mbarshtrimit të tyre në librin e tij, që i japin një rëndësi të veçantë jo vetëm profesionale, por edhe historike që mbesin si gjurmë të pa shlyera si për rëndësinë e ngjarjeve dhe veprimtarive në kurbet e atdhe, por edhe si një thesar i veçantë për kulturën dhe arsimin gjatë rrjedhave shumë të rënda në kohë dhe hapësirë dhe gjendjen e popullit tonë në përgjithësi nga pushtuesit e huaj ashtu edhe për të gjitha përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e përkatësisë kombëtare, kulturore dhe gjuhësore nga rreziqet e vazhdueshme në kushte dhe rrethana të caktuara e të jashtëzakonshme në atdhe dhe në kurbet.

E veçanta tjetër sipas Abasit është se: Autori me kujdesë të veçantë ka shënuar të gjithë mësimdhënëset dhe mësimdhënësit, veprimtarët e dalluar prindër e pedagog qofshin ata zviceran apo shqiptarë në kurbet apo nga vendi i origjinës- atdheu, jetëshkrimi i tyre i shkurtër përfshi në këtë libër me rëndësi të veçantë, që do të jetë burim mjaft i rëndësishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të hulumtojnë më tej në këtë drejtim. Si përfundim : Libri ka një vlerë të veçantë sa profesionale aq edhe historike me shumë të dhëna e dëshmi sa me data e vite aq edhe me fotografi. Autori Hamzë Morina, veteran i arsimit në atdhe dhe kurbet, me librin e tij “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut-Zvicër“, pasuroi kulturën shqiptare në veçanti po edhe si një dhuratë e veçantë e me vlerë për të gjithë mësimdhënësit, prindërit e nxënësit të mësimit shqip në Zvicër për të kujtuar e mos harruar veprimtarinë 30 vjeçare të punës kryesisht vullnetare në vazhdimësi për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në kurbet, përfundon në këtë vështrim të lexuar në mbrëmjen e promovimit, Abas Fejzullahu.

Disa nga pjesëmarrësit në promovim, shprehen shqetësimin tyre se pikërisht në 30 vjetorin e fillimit të mësimit plotësues shqip në mënyrë drastike është zvogëluar numri i nxënëseve, që sot nuk arrin në më shumë se 2 mijë nxënës, ndërsa dikur kishte 5 herë më tepër rreth dhjetë mijë nxënës shqiptarë që vazhdonin mësimin plotësues, theksoi në këtë tubim njëri nga themeluesit e LAPSH-it në Zvicër, Ismet Hyseni. Karakteristike ishte se merrnin pjesë edhe mësimdhënës dhe drejtues të LAPSH-it “Naim Frashëri” jo vetëm në nivel kantonal, por edhe nga kantone tjera në Zvicër, madje edhe kantoni më i largët siç është Gjeneva.

Po në këtë mbrëmje promovimi pati edhe mjaft momente emocionuese, sidomos nga përshëndetjet dhe këndime të ish-nxënësve të mësimit plotësues, disa nga të cilët edhe ishin martuar e krijuar familje, por që nuk i kishin harruar mësueset dhe mësuesit e tyre, ndaj edhe i shprehën mirënjohje veteranit të arsimit, Hamzë Morinës për këtë kontribut të veçantë, brenda një libri monografik, që paraqet një dokumentar në veti me peshë sa arsimore aq edhe kulturore e kombëtare.