“Sofra 2017” tuboi në Cyrih mbi 100 studentë shqiptarë

Traditën e mikpritjes shqiptare, Shoqata “Studenti” e Universitetit të Cyrihut përmes një sofre të tillë e kultivon për rreth dy dekada, ndërsa që sot kishte mysafirë edhe studentë shqiptarë thuaja se nga të gjitha universitetet e Zvicrës.

Teksti e fotot: Rexhep RIFATI

Për dy dekada rresht studentët shqiptarë të Universitetit të Cyrihut organizojnë manifestimin tashmë tradicional “Sofra”, manifestim ky i trashëguar nga vendlindja, ku jo vetëm që pihet e hahet, por edhe ku luhet e këndohet apo edhe kultivohet dashuria dhe harmonia mes studentëve me prejardhje nga të gjitha trojet shqiptare.
Është kjo një nga traditat e bujarisë e mikpritjes tonë tradicionale që këta studentë shqiptarë të Cyrihut tash e e afro 20 vjet e kanë bart në mjediset universitare të shtetit helvetik. Me një fjalë: Sofra studentore shëmbëllen sofrën tonë tradicionale.
Karakteristike e “Sofrës 2017”, siç na deklaroi kryetari i Shoqatës “Studenti”, Jetmir Behluli, me prejardhje nga komuna e Ferizajt, ishte se sivjet merrte pjesë një numër rekord i studentëve shqiptarë, por edhe studentë shqiptarë nga universitet e Gjenevës, Lozanës, Friburgut, Bernës, Bazelit dhe St. Galenit. Mësuam gjithashtu se në kantonin e Cyrihut ka mbi 500 studentë shqiptarë, përfshi edhe shkollat e larta në Winterthur, ndërsa që vetëm çdo i pesti është anëtar aktiv i Shoqatës “Studenti”. Do theksuar se deri më tash kanë dalë mbi 15 gjenerata të të diplomuarve në degë të ndryshme të universitetit të Cyrihut nga radhët e të rinjve te rejave shqiptare, për të punuar në institucione të ndryshme , në mesin e të cilëve ka edhe të atillë me tituj shkencor , përfshi edhe femra me doktorate.
Ndaj edhe me këtë rast, dua të theksoj se të gjendesh në një mjedis të tillë studentor, siç ishte edhe rasti i “Sofrës 2017”, që u organizua në Gemeinschaftszentrum Grünau/ Grünauring 18/ 8064 Zürich, është vërtetë një kënaqësi e veçantë. Aq më parë kur sheh se studentët shqiptarë, thuaja se më tepër se gjysma femra, kanë organizuar një tubim të tillë me shumë shije përmes një atmosfere vërtetë mbresëlënëse.
Paraprakisht në tubim u prezantuan të gjithë anëtaret e kryesisë së Shoqatës “Studenti” , duke shpjeguar se cili nga ta me çka merret konkretisht dhe për ç ‘projekt është i angazhuar. Dhe vërtetë brenda një viti “Studenti” ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, por edhe ekskursione studentore bashkë me studentët tjerë shqiptarë të universiteteve nga mbarë Zvicra, duke veçuar dy udhëtime: në Kalabri në mesin e arbëreshëve vjet, ndërkaq sivjet edhe një udhëtim javor në Shqipëri e Kosovë. Me këtë rast falënderoj kolegen Ariana Dragusha, njëherësh studente për informim tek shoqata “Studenti”.