NJË VEPËR ME SHUMË INTERES PËR SKËNDERBEUN

Nga Dr. Nazmi Beqiri

Në fund të shtatorit në adresën time elektronike më arriti një libër në dorëshkrim për Skënderbeun nga autori Branisllav Sinadinovski

Dr. Nazmi Beqiri
Dr. Nazmi Beqiri

Fillova ta lexoj si çdo libër tjetër, por sapo u futa në brendinë e tij, nuk mundesha të ndaloj së lexuari. Miq e familjarë më vinin dhe qofshin të mirëseardhur gjithmonë, por më pengonin gjatë leximit, andaj shkova në fshat, ku në qetësi e mbarova leximin e këtij libri, pa shkëputje.

Në librin e Branisllav Sinadinovskit për Skënderbeun, vërejta diçka të veçantë nga librat e tjerë për këtë figurë të madhe kombëtare dhe botërore. Madje, më mahniti si asnjë libër tjetër që kisha lexuar në gjuhën maqedonase e me alfabet cirilik. Branisllavi e shkruan këtë libër me përkushtim të madh, dhe ai, siç duket nuk dëshiron të shkruaj për këtë vigan në mënyrë të mbyllur, në një rreth me te, por e nxjerr atë me rrënjë që nga e kaluara e largët e tij, duke përshkruar të parët e tij në mënyrë gjithëpërfshirëse: si për gjenin, kulturën, gjuhën, zakonet, virtytet, duke e paraqitur shumë natyrshëm edhe trimëritë e të parëve të tij, gati të papërsëritshme në botë.

Në mënyrë të thuktë, me plot fakte dhe argumente, Sinadinovski e paraqet komunikimin gjuhësor të kohës së Lekës së Madh dhe raportet mes popujve e këtyre hapësirave. Këto gjëra i paraqet me fakte të cituara, ashtu siç nuk i ka bërë asnjë shkrimtar apo studiues i këtij shekulli të fundit.

Duke folur për Gjergjin, Sinadinovski i përshkruan gjërat në hollësi rreth tij, sa Skënderbeu na duket se është rreth nesh dhe i gjallë, na mëson, na këshillon, na sugjeron për veprime të kësaj kohe ndër popujt e Ballkanit, sfida këto që kryetrimi i kishte kaluar që në Mesjetë dhe ne rropatemi ende pa zgjidhur problemet, sikur të përgjumur e të humbur, edhe përkundër fakteve që flasin vetë.

Me këtë rast, vlen të përmendi me keqardhje se autori priste t’i botohej libri dhe ta promovonte me rastin e 28 Nëntorit të vitit 2017, meqë i kishte premtuar një i ashtuquajtur ,,gjeneral”, por libri nuk arriti të promovohet as në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit.

Libri e pret dritën e botimit…

P.S. Për informata më të hollësishme, çdo dashamirë i librit dhe historisë sonë të lavdishme mund t’i drejtohet autorit të librit përmes linjave që mundësojnë mediat dhe portalet e sodit.

Branisllav Sinadinosvski, është djalë i Jakim Sinadinovskit,  i cili gjat kohës së LNÇ-së ka qen i rreshtuar për krah aradhave  partizane në Shqipëri, me emrin Gjergj Pranga. Është shqiptarë ortodoks nga Reka (Malësia mes Dibrës dhe Gostivarit). Është Prof.Dr. në pension, është autor i më shumë se 40 librave, ndër të cilat edhe për Josif Bagerin, Hasan Prishtinën, Shqiptarët ortodoks në Republikën e Maqedonisë. Është themelues i Bashkësisë Ortodokse Shqiptare në RM.