Prend BUZHALA: SELAJDIN GASHI, PËRKTHYES, POET, ROMANSIER, VEPRIMTAR

 

– Homazh për Selajdin Gashin ( 1962 – 10 prill 2021),  që dje shkoi në amshim-

Kohë e rëndë, që po na i rrëmben njerëzit e dashur.

Papritmas ndërroi jetë Selajdin Gashi. Lajmi është i dhimbshëm, më shumë se i prekshëm, për shkak se vitin e kaluar i vdiq vëllau i tij i madh, gazetari e veprimtari i njohur në SHBA, Sulejman Gashi. Padrejtësisht vdekja u soll me këta dy vëllezër. Por, ata lanë gjurmë nderi e veprimi të pashlyeshme në kujtesën tonë më të re.

Në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Kijevës (paralele e ndarë e Klinës) ishte nxënës yni kur unë isha profesor (vitet ’70-), mandej ai shkoi të shkollohej në Prishtinë.

Selajdini jetonte në Gjermani. Ishte edhe krijues i mirëfilltë letrar.

Para sa kohësh më ra në dorë libri i tij poetik “Labirinit”, i përcjellë me mesazhin në rrjetin social: “Shpesh më shkon mendja tek ti, dhe ndoshta, mësues i dashur, bëre ti që edhe tek unë të zhvillohet poezia.”

Ishte libri i tij i dytë poetik, pas të parit me titull “Asnjë fjalë e pa thënë” në botim të Shtëpisë Botuese “Rilindja” (2002).

Ishte përkthyes nga gjermanishtja, njihte edhe gjuhë tjera. Përpos poet, ai ishte edhe veprimtar i dalluar i mërgatës. Dhe për shkak të demonstratave e ngjarjeve në Kosovë, më 1984 u detyrua të mërgojë në Gjermani e ku i ka kryer me sukses studimet për gjuhë e letërsi gjermane dhe filozofi në Universitetin e Këlnit. Që në ato vite, ai nis e boton edhe krijime letrare. Përkthente në të dy gjuhët gjermanisht e shqip, letërsi e shkrime me interes e që i botonte në shtypin e kohës.

Meqë rridhte nga një familje e emancipuar arsimore e intelektuale, e sidomos atdhetare, ai nuk rrinte duarkryq as jashtë për ta ndihmuar çështjen e Kosovës. Me prindin e Sulejmanit e Selajdinit, mësuesin Sherif, kishim jo pak ndeja e biseda gjatë viteve ’80, një mësues që përjetoi dëbimin nga trojet e tij për në Turqi, por u ndalua në Maqedoni, dhe më vonë u kthye në vendlindje.

Nga shënimet e tij biografike lexojmë “Nga viti 1992 Selajdin Gashi punon në radion shtetërore gjermane WDR, në Këln, ku do të jetë zëri i parë shqiptar që është dëgjuar ndonjëherë në këtë radio. Emisionet e realizuara prej tij, ku prezantohej realiteti politik nga Kosova e atëhershme nën okupim, për vite të tëra do të mbledhë mërgatën shqiptare, pranë radio aparateve. Po kësaj mërgate, çdo ditë do t’u afrohej nga një copë atdhe. Në WDR do të punojë deri në vitin 2002. Pas kësaj ai do të punojë edhe për radion Deutsche Welle deri ne vitin 2005.”

Këto shënime na sqarojnë se ishte krijuar një shoqatë gjermane me emrin “shoqatës “Evropianët për shqiptarët”, që e drejtonte z. Horst Wesseler, redaktor i asaj radioje e ku veprimtarinë e tij të ngjeshur aty e zhvillon edhe Selajdini. Në shënimet për të M. Sfarqa shkruan: “Kjo shoqatë dhe vetë miku i shqiptarëve z,Wesseler do të ndihmojnë në vendosjen e kontakteve të para dhe të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të shqiptarëve dhe partive shqiptarëve, së pari me Liberalët gjerman e më vonë me Parlamentarët e Bundestagut Gjerman, në kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë në Bon. Selajdin Gashi kishte fatin dhe privilegjin, që të jetë ndër përkthyesit e parë të delegacioneve të përfaqësuesve të parë të Kosovës që do të priten në Bon, si Dr.Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Gjergj Dedaj, Luljeta Pula e tjerë. Më vonë do të bashkëpunojë edhe me kryeministrin në ekzil Bujar Bukoshin, me të cilin së bashku edhe do të hartojnë dokumente që do t’u paraqiten organeve gjermane, me qëllim përkrahjes së aktivitetit të shqiptarëve të Kosovës për liri…. Në vitin 1993 Selajdin Gashi do të gjendet përkrah Dr.Ibahim Rugovës në cilësinë e përkthyesit në takim me deputetë të Bundestagut, nga radhët e Partisë së CDU-së, gjithashtu në Bon…Selajdin Gashi është edhe një nga themeluesit e Qarkut kulturor Gjermano-Shqiptar, i cili do të udhëhiqet për vite të tëra nga z.Heinz Schwarz, ish ministër i punëve të brendshme të Landit të Hessenit. Mysafirë të këtij asociacioni do të jenë njerëz të artit e të kulturës shqiptare, të cilët do të demaskojnë me fakte mitin e rrejshëm serb për Kosovën, të ndërtuar mbi falsifikimin e fakteve historike si: Ismajl Kadare, Robert Elsie, Adem Gashi etj..Ai do ketë nderin t’i përkthente shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadares, në një takim në kuadër të këtij Qarku, ku merrnin pjesë edhe shume deputetë të Bundestagut Gjerman, të cilët nga këto takime vetëm sa po plotësonin arsyeshmërinë e përpjekjeve të tyre për të ndihmuar institucionalisht Kosovën në rrugën e saj drejt Pavarësisë… Ai ka përkthyer edhe dokumente për Bundestagun gjerman, pastaj për gjykatat dhe institucionet tjera gjermane. Ndërkaq, një kohë të gjatë edhe për entin për migracion, ku ka njohur për së afërmi shkaqe e fate të ndryshme dhe nga më të rëndat të shpërnguljes së të rinjve nga trojet shqiptare.”

Ishte edhe përkthyes i politikanëve të tjerë të Shqipërisë në Gjermani.

3.

Nga veprimtaria e tij letrare përmendet edhe romani i tij, i shkruar dhe i botuar gjermanisht, fillimisht me titullin punues “Thirrja për ndihmë e Panterit të zi” dhe i botuar më vonë me titullin “Schlaflos mit Kleopatra” – ′′Pa gjumë me Kleopatrën′′- (2015).

Diku pas vitit 2008 ishte në Kosovë. U takuam në Prishtinë. Mu lut ta dërgoja deri te Katedralja e Prishtinës, aso kohe ende në ndërtim. Iu lut punëtorëve që punonin aty, për ta dërguar deri në brendi të Katedrales. Aty ndezi një qiri, u lut dhe shprehu një përshpirtje për presidentin e atëhershëm, Dr. Ibrahim Rugovën.

“Edhe për Pjetër Biogdanin”, shtoi.

Një qiri e ndezi edhe te themelet jashtë.

Mandej ma lexoi një poezi, dorëshkrim, që e kishte në xhep.

4.

Në vlerësimet gjermanisht për romanin e tij, po veçojmë (autori Peter Mannsdorff): “Titulli sugjeron një dashuri të shpërfytyruar me gjendje të jashtëzakonshme psikologjike; nëntitulli më shumë për një histori mjekësore. Tregohet një histori e ndjeshme erotike – një përzierje e një raporti përvojash dhe një romani autobiografik rreth fermentimit të një psikoze dhe zgjimit të vrazhdë në klinikë. Protagonisti, i cili fillimisht i prezantohet lexuesit me emrin e vetë-zgjedhur Keops, nuk ka identitet të tij dhe kalon një pushim në jug buzë detit me të dashurën e tij (…)

Por ndërsa vlerësoj talentin e autorit dhe cilësinë letrare të këtij libri, do të pasojnë më shumë raporte përvojash dhe romane, në të cilat ai pastaj mund të vazhdojë me ‘kërkimin e të dhënave’ që unë dua. Jam kurioz për shkaqet e mundshme të krizës së saj dhe shpresoj të shoh tekste të tjera.”

Kurse Ferdinand Laholli vlerëson: “Rrëfimi realizohet në vetën e parë prej autorit. Kuptohet se në një preferencë të tillë monologu sundon pjesën më të madhe të librit, i cili në tematikën e Gashit nuk bie asnjëherë në duar monotonie. Sa i përket dialogut të paktë e që shfaqet ngaherë vital faqeve të librit, ai përjetohet si një diell i ardhur pas një rrebeshi të gjatë, ardhur për të na bërë ta shohim më qartë veten dhe të tjerët rreth nesh. Për ta parë më ngrohtë realitetin me konture fantazie, me dëshirimin e kthimit tek vetja që s’është. Personazhet dialogues shfaqen enigmatikë, dhe, sa më shumë duket se profilohen, aq më befasues arrijnë tek lexuesi. Sidomos të paharruar mbeten personazhet në psikiatri, pra bashkëvuajtësit e autorit, të cilët me konçizitetin e tyre sa të thjeshtë aq edhe filozofik lartohen para nesh si perëndi të prekshme, aq njerëzorë dhe të dashur, saqë befas ke dëshirën e madhe të jesh si ata: i çmendur.Një libër që të mbush guxim në udhën drejt vetes.”

5.

Në rrjetin social vazhdimisht ka pasur shkrime me vlerë (poezi, fragmente proze, ese, proza poetike, përkthime, analiza, mendime aforistike). Po ashtu edhe nëpër portale të ndryshme kishte publikime të shumta.

Ndër to, po japim këtu tri poezi të tij.

***

VAJI I TË PAFAJSHMIT

Qan i mbështjellë me fatin e bardhë

Qan pa lot pa dhembjen e hakmarrjes

Në heshtje je i gjallë si sfinks

Malli për flatrat s’të rri larg

Pranë teje ecën faji i syrit të kuq

Zjarr nën shtratin e qetësisë së madhe

Qesh me bizën që s’dridhet nga dyshimi

Qesh i gëzuar se nuk e do armiku

Pranë pafundësisë rri si pranë fillimit

Rruga e të marrit rruga e të urtit

A janë kahje të kohës së çmendur

A janë pika vese mbi trëndafilin që hapet

Qan i strukur në ëndrrën e fletës

Qesh dhe i shpalos gjoksin ditës së fillimeve

=

DALJA NGA LABIRINTI

Ashtu siq kam hyre brenda, ashtu dola jashtë

Nuk më hutonin muret e shumta, më udhëzonte

Besimi se ti je diku

E pastaj te gjeta

Mu në mes të jetës sime.

Tani, kur bashk pushuam gjatë

Kur mirë më njeh e të njoh

Unë kthehem prap atje ku isha

Tek brigjet e gezimeve

Tek rinia ime

Selajdin Gashi, 03.10.12

NISMAT

Rrokullisen udhëve, kah yjët e këputur ikin

Të them se nga plagët e kujtesës s’vdes

Ndaj ngrihesh në mesnatë, ulët trokëllin

Përpara portës së madhe gjurmët vështirë shikimi kap

Kalldrëm i moçëm nga shtërgatë rrëmbyese vulën e shputave ka zhdukur

Shtigjeve të reja në mrekulli ëndrrash shpërbëhem

Pranë këtyre çasteve, këtu ku jam, bashk me shpirtin shtrihem

Të qënit gëzoj, pikëllimin dëboj, një presë e një pikë shënoj.

Dashuritë më thërrasin kur dridhen gjymtyrët e mia

Sa është një e sa janë dy kur olimpin thërrasim

Mërzitshëm tekat e tua kanoqe eliksiri në qiell përvjedhin

Nëpërmes ferrit s’kalon dot pa përgjakur gjunjët

Më i lashtë mali se gjoks i fryrë krenarie

Kur kult i vjedhur kundërshton në kërkim të asaj dashurie.

16.09.2006

Selajdin Gashi

6.

Ai shkoi në amshim.

I amshuar me veprën e tij, duke lënë pas gjurmë nderi, veprimi e krijimtarie.

Pushoftë në paqe!

Ngushëllime familjes, kolegëve krijues, miqve.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

(10 prill 2021)