Nis fushata për krijimin e platformës «Libra me zë»

Në Kosovë është krijuar grupi vullnetarë I platformës “Libra me zë”, të cilët së fundi kanë nisur fushatën për mbledhjen e fondeve për të mbështetur krijimin e kësaj platforme.

Kjo platformë është inicuar me qëllimin e leximit dhe incizimit të librave, të cilët munden gjithashtu ti dëgjojnë edhe personat e verbër si dhe ata që kanë vështirësi në lexim.

Në njoftim thuhet se vullnetaret mrapa uebfaqes ëëë.librameze.com, deri më tash kanë vetëfinancuar të gjitha shpenzimet e platformës. Mirëpo, ky grup i njerëzve të vullnetit të mirë tashmë synojnë që uebfaqen ta kthejnë në një bibliotekë online e cila vazhdimisht do të pasurohet me libra, të cilat mund t’i dëgjoni kur udhëtoni, pushoni apo kur dëshironi të mësoni diçka të re.

E që kjo të jetë e mundur, nevojiten mjete financiare, andaj në përpjekje për të mbledhur këto mjete, vullnetarët kanë nisur një kampanjë online.

Sipas një postimi të krijuesve të platformës në KosovoIdeas, mjetet e mbledhura do të shpenzohen për audio editimin e librave të incizuar, marrjen e të drejtës autoriale për libra, avansimin e ueb platformës, mbulimin e shpenzime të vullnetarëve, si dhe për zhvillimin e aplikacionit për smartphone.

Është bërë e ditur se të gjithë ata që duan të kontribuojnë dhe të ndihmojnë në realizimin e kësaj platforme mund të dhurojnë aq mjete sa munden, në mënyrë që kjo platformë të bëhet e mundur dhe në të të kenë qasje edhe ata persona që nuk kanë mundësi të shohin dhe të lexojnë.