Neglizhencë, apo padëgjueshmëri qytetare për masat antikovid ?!

A mund të konsiderohet mosrespektimi i masave qeveritare kundër koronavirusit thjeshtë neglizhencë e qytetarëve, apo fjala është edhe për padëgjueshmëri qytetare kundrejt një qeverie që nuk gëzon legjitimitet dhe respekt te popullata e gjerë?!

 Nga Gani Bajrami

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar për grumbullimet e mëdha të qytetarëve, gjatë mbrëmjes së të premtes nëpër disa qytete, në kundërshtim me masat e ndërmarra nga qeveria. Sipas tij, në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. “Kushdo që ka qenë prezent aty, me gjasë e ka marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim, qindra qytetarë do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë”, ka thënë Hoti në reagimin e tij. Reagimi i Hotit në këtë stil, por edhe i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk dhanë ndonjë efekt dhe situata, sipas raportimeve në media, ishte e njëjtë edhe të shtunën mbrëma.

Situatë që nuk po iu bën përshtypje as qytetarëve e as qeveritarëve!

Fakti se 51 persona vdiqën vetëm këtë javë nga koronavirusi në Kosovë, duket se nuk po u bën përshtypje qytetarëve, pasi një gjë e këtillë nuk po u bën përshtypje as qeveritarëve. Të dhënat që po prezantohen çdo ditë dëshmojnë se Kosova tashmë është futur në një krizë të thellë në përballje me koronavirusin. Në përgjithësi, java që po lëmë pas ka qenë më tragjikja që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19. Nga e hëna, 27 korrik e deri më 1 gusht, në Kosovë vdiqën hiç më pak se 51 qytetarë nga koronavirusi. Të hënën, numri i të vdekurve nga virusi në Kosovë ishte 185, teksa të shtunën më 1 gusht ky numër arriti në 236.

Numri i të prekurve me koronavirus ditëve të fundit sillej rreth 200 persona në 24 orë, madje me tendencë që kjo shifër t’i afrohet 300-shit. Raportohet se 3.588 prej të prekurve me koronavirus janë ende aktiv.

Shtrohet pyetja se a mund të konsiderohet thjeshtë neglizhencë e qytetarëve mosrespektimi i masave qeveritare kundër koronavirusit, apo fjala është edhe për padëgjueshmëri qytetare kundrejt një qeverie që nuk gëzon legjitimitet dhe respekt te popullata e gjerë?! Janë disa fakte që e forcojnë pohimin se pos neglizhencës ka edhe padëgjueshmëri qytetare.

E para, që në fillim Qeveria Hoti i neglizhoi masat që i kishte ndërmarrë Qeveria Kurti, duke i konsideruar edhe antikushtetuese, të cilat jo vetëm se i hoqi menjëherë, por përkrahësit e Qeverisë Hoti, deputetë e ministra, u angazhuan për amnisti të përgjithshme të atyre që ishin evidencuar për delikt të mosrespektimit të masave. Askujt asokohe nuk i shkonte mendja se më vonë Qeveria Hoti do të detyrohet t’i rikthejë masat që i kishte ndërmarrë Qeveria Kurti, të cilat Gjykata Kushtetuese i pat konsideruar si antikushtetuese.

Asnjë hap për të miratuar ligjin që e pat kërkuar Gjykata Kushtetuese

Pra Qeveria Hoti nuk bëri asgjë për të miratuar ligjin që e pat kërkuar Gjykata Kushtetuese, duke konstatuar se është i panevojshëm hartimi i ligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë, pasi kjo fushë është mjaftueshëm e rregulluar me legjislacionin në fuqi. Kështu Qeveria Hoti bëri shkelje të dyfishtë, duke miratuar dhe aplikuar vendime që kohë më parë ishin shpallur antikushtetuese. Ky fakt flet për seriozitetin në qasje të menaxhimit të situatës me pandeminë.

E dyta, Qeveria Hoti filloi t’i fajësojë qytetarët që nuk po i respektojnë masat, si dhe policët e inspektorët se nuk po i ndëshkojnë të padëgjueshmit, duke mos parë as më të voglin faj te vetvetja për këtë dështim. Kësaj qeverie nuk i bëri fare përshtypje mungesa e shembujve personal se si duhet zbatuar masat, prandaj vetë qeveritarët me shembullin e tyre personal në vend të mobilizimit të qytetarëve për të zbatuar masat e aplikuara edhe pse antikushtetuse, e nxitën padëgjueshmërinë qytetare.

Kujt i shërben dora e fortë e shtetit represiv kundër popullatës së padëgjueshme?!

Nënvizimi i vazhdueshëm se kërkohet dorë e fortë e shtetit represiv kundër popullatës së padëgjueshme në vend të gjetjes së metodave që do të rikthenin dëgjueshmërinë qytetare siç ishte në kohën e Qeverisë Kurti, u tregua kundërproduktiv. Duket se një pjesë e madhe e qytetarëve po e ndjek atë parimin “Për inati të resë, më vdektë djali” dhe nuk po u bëhet vonë pse po e rrezikojnë vetveten dhe të tjerët për një hakmarrje primitive e të rrezikshme kundër qeverisë që ata e konsiderojnë se nuk gëzon legjitimitet dhe respekt te popullata e gjerë. Kjo kategori e qytetarëve sikur sinjalizon se është e kotë të kërkohet respekt në shtëpinë ku respekti i mungon të zotit të shtëpisë! Prandaj aq përgjegjësi sa kanë qytetarët për shkak që nuk kanë respektuar masat, aq përgjegjësi ka edhe qeveria, veçmas ministri Zemaj, i cili u soll dhe po sillen me një nonshallancë si një mësues që nuk e sheh dështimin e vet nëse i ngelë shumica e nxënësve në klasë.

Aktualisht, Kosova prin në valën e të infektuarve

E treta, aktualisht Kosova prin në valën më të madhe e të infektuarve, ndërsa qeveria duket se nuk po mund jo vetëm ta menaxhojë situatën, por as ta mobilizojë popullatën për vetëmbrojtje. Fakti se në fillim të pandemisë Kosova ishte shembull i mirë i menaxhim të suksesshëm jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, tani ndodhet në krye të vendeve për keqmenaxhim, apo më mirë të thuhet për raste të të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi.

Tani Kosova është para një kolapsi total, e cila prin në valën më të madhe të të infektuarve, ndërsa te qeveritarët duket se shqetësimi vërehet vetëm për aq sa t’i kritikojnë qytetarët për moszbatim të masave dhe policët e inspektorët për tolerancë në ndëshkime. Qeveria Hoti duket se nuk e ka të qartë se mobilizimi qytetarë kundër çfarëdo të keqeje nuk arrihet vetëm me masa represive, madje tendencat e këtilla shpijnë në mosdëgjueshmëri qytetare