Në lokalet e ambasadës së Kosovës në Bern, është bërë promovimi I librit “Libri i Luftës”, i gazetarit dhe reporterit të njohur Nuhi Bytyci. Ceremonia e promovimit të librit u moderua nga poeti dhe publicist Mustafe Xhemajli, I cili njëherit është edhe zëvendës ambassador I Kosovës në Zvicër.
Ndërkohë që për librin lexuan recensionet e tyre Ibish Neziri shkrimtar si dhe Mustafë Xhemajli.
Pas fjalës së recensionistëve, fjalën e mori vet autori I librit Nuhi Bytyci, i cili tha se ka kohë që ka menduar t’i shkruaj dhe t’i publikoj këto kujtime. Përvojën profesionale të punës në gazetari ka menduar ta përmbledh në një libër, në këtë libër autobiografik, i cili, do t’i shërbejë edhe publikut për shumë ngjarje të hershme dhe të vonshme, të rëndësishme për Kosovën.
“Veprimtarinë gazetareske e kam filluar para më shumë se katër dekadave. Duke e regjistruar në kujtesë dhe në letra, di që ka qenë e mbushur me sakrificë, guxim, përpjekje. Ka qenë njëfarë lloj lufte. Luftë për të vërtetën, për lirinë dhe pavarësinë e vendit tim; për demokracinë, emancipimin dhe zhvillimin e Kosovës. Libri që keni në duar ka brenda vetes përpjekjet, mbijetesën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tim. Prandaj është i arsyeshëm titulli i tij: “Libri i luftës””, ka thënë autori.
Pas fjalës së autorit pati disa pyetje që u parashtruan nga pjesëmarrësit, për cështje të ndryshme që atyre u interesonin të dininn më tepër.




























