Në Grac, vlerësim i shkëlqyeshëm për Projektin e teksteve të diasporës

Në kuadër të Ditës së Gjuhëve Evropiane, në konkurrencë prej 60 projektesh, Projekti i Teksteve në gjuhën shqipe për diasporë (fryt i bashkëpunimit Shkolla e Lartë Pedagogjike Cyrih- MASHT Kosovë) nga komisioni u cilësua projekt i shkëlqyeshëm ndërkombëtar .- Sipas ministrit austriak të arsimit, Jan Sisko prej vitit 1998, konkurruan 600 projekte gjuhësie nga të cilat 166 morën vlerësim të shkëlqyeshëm.- Vetëm në Grac fliten 150 gjuhë.

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

Në një manifestim, më 26 shtator, në kuadër të Ditës së Gjuhëve Evropiane , gjuhëtari i njohur nga Zvicra, miku ynë i madh, Prof.Dr.Dr.Basil Schader dhe ekipi i tij z. Nuhi Gashi (MASH Kos), Hazir Mehmeti, në Sallën Solemne të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Graz të Austrisë pranuan çmimin nga Jan Sisko, Ministër për arsim Art e Kulturë të Austrisë dhe Gunther Abuja –Qendra Austriake e Gjuhëve. Motivi konkursit, “Gjuhët përmes projekteve cilësore”, ku këtë vit konkurruan 60 projekte prej të cilave u shpërblye Projekti i Teksteve në gjuhën shqipe për diasporë krahas shtatë projekteve tjera të shkëlqyeshme. Ky projekt ishte fryt i bashkëpunimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Zürich-ut, MASHT- së Kosovës i përkrahur financiarisht nga Qendra Ndërkombëtare e Fondit për Projekt (IPE). Të gjitha 19 tekstet e këtij projekti tani disa vjet shpërndahen falas për të gjithë nxënësit shqiptarë në mërgatë. Nga komisioni u cilësua si projekt i shkëlqyeshëm ndërkombëtar.
Ekipi i autorëve përbëhej nga Besa Luzha, Hazir Mehmeti, Lush Culaj, Muhamet Ahmeti-Metis, Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmetaj, Rifat Hamiti, Rizah Sheqiri, Shefkije Islamaj, dhe Xhevat Syla. Koordinatorë ishin: Arif Demolli, Basil Schader dhe Nuhi Gashi.
Në sallën e bukur nën tingujt e muzikës së lehtë programin e udhëhoqën Mag.Karin Weitzer dhe Alexandra Wojnesitz. Nikoqiri, rektorja e Shkollës së Lartë Pedagogjike (PH- Graz) në Steirmark zj. Elgrid Messner e hapi tubimin solemn. “Në Grac fliten 150 gjuhë dhe numri i nxënësve me gjuhë tjetër amtare (jo gjermane) në dhjetë vjetët e fundit është rritur në 20%. Në vitin e kaluar shkollor ishin 10 mijë e tetëqind nxënës me gjuhë amtare jo gjermane… Ne synojmë arsimin integrues internacional te pedagogeve/ve tanë. Universiteti i Gracit ofron studime nga shumë gjuhësia dhe shumë kulturaliteti.” Jan Sisko (Min. Ars.Aust) mes tjerash tha: “Konkursi përkrahet nga Komisioni Evropian dhe secili shtet ka lirinë e formës së organizimit. Ditën e Gjuhëve Evropiane e festojmë që nga viti 1998 ku në konkursin shpërblyes deri tani kanë konkurruar rreth 900 projekte prej të cilëve 166 projekte janë cilësuar si të shkëlqyeshme… Mendoj, se puna e përbashkët, në shkollimin gjuhësor luan rol të veçantë dhe ne do mbështesim projekte të kësaj natyre.” Pjesëmarrësve ju drejtuan edhe zj. Ursula Panuschka nga agjencia –Mësojmë Tërë Jetën, z. Gunther Abuja –Qendra Austriake e Gjuhëve.
Pas pjesës zyrtare Prof. Basil Schader dhe grupi i tij, prezantuan tekstet e reja me strukturën e tyre didaktike-metodike bashkëkohore sipas standardeve të kohës, u shfaq edhe filmi nga ora mësimore me tekstet e reja, çka zgjoi interesimin e ekspertëve përkatës të UN, shkollave dhe mësuesve nga shumë gjuhë. Personazhi i filmit, mësuesi nga Vjena prezantoi pjesë nga metodologjia e punës me tekstet e reja, pas së cilës u hap debati. Ai prezantoi gjithashtu, si autor, abetaren e parë në gjuhën shqipe në Austri, pjesë e projektit të përfunduar, alfabetimi . Struktura didaktike, shkrimi, lojërat, figurat, mundësia e leximit, hapësirat e shkrimit të standardeve që i përgjigjen rrethanave e mësimit amtar në diasporë. Pas prezantimit dhe debatit ofertat nga ekspertët për bashkëpunim në fushën e materialeve mësimore ishte e mirëseardhur.
Në disa ambiente, brenda e jashtë objekteve në qytet u organizuan aktivitet kulturore në shumë gjuhë; lexime, recitime, lojërave teatrale, këngë, valle. Në këto aktivitet morën pjesë edhe nxënësit shqiptarë të prirë nga mësuesja Bukurije Limani. Përfaqësuesi për mësimin në diasporë nga MASHT- e Kosovës, z.Nuhi Gashi, i vizitoi nxënësit, si dhe u njoftua me gjendjen e vijueshmërisë, pengesat dhe sfidat e të mësuarit në gjuhën shqipe në këtë pjesë të Austrisë.