Ndonëse nuk kanë kaluar më tepër se një muaj nga themelimi i Fondit të Bursave të Solidaritetit, në kuadër të Rotary Klubit të Ferizajt, numri i donatorëve (përfshi këtu edhe mërgimtarë), ka arritur në 16, me gjithsej 22 bursa, ndër ta edhe 4 donatorë nga ata që para 20 vitesh qenë përfitues të bursave të kësaj natyre.
Nga Rexhep Rifati
Diku 20 e sa vite më parë, bashkë me gazetarin Njazi Ejupi, na lindi ideja dhe ndërmorëm nismën për themelimin e Fondit të Bursave të Solidaritetit në Ferizaj. Atëbotë gjendja ishte shumë e rëndë, pasi okupuesi serb kishte mbyllur dyert e të gjitha fakulteteve dhe konvikteve për studentët shqiptarë.
Humanizmi afaristëve ferizajas
Megjithatë humanizmi dhe solidariteti i disa afaristëve ferizajas ishte më i fuqishëm se çdo lloj okupimi. Për pak ditë ideja qe shndërruar në një projekt konkret humanitar Përkundër faktit që bizneset shqiptare qenë përballë me shumë trysni nga okupuesi serb, aksionit iu bashkuan pos 20 firmave edhe disa asociacione shqiptare Kështu për katër vite bursë përfituan 83 studentë, me një shumë të përgjithshme 76.685 markash gjermane.
Kur lufta plandosi këto firma shqiptare ndihmat, i vazhduan mërgimtarët tanë përmes Shoqatës bamirëse “Ferizaj” me seli në Lozanë. Në saje të solidaritetit për dy-tri vite, rreth 100 mërgimtarë ferizajas dërguan mjete në Fondin e Bursave, diku në shumë pre mbi 30 mijë frangash Zvicerane, nga të cilat përfituan edhe 40 e sa studentë të tjerë.
Që të mbijetojë ky fond, merita krahas donatorëve merita i përket ekonomistit të diplomuar, Afrim Konjufcës, i cili për disa vite në baza vullnetare, mblodhi dhe ua shpërndau me kohë mjetet studentëve, duke e bërë ketë punë me shumë përpikëri. Për kontribut katërvjeçarë duhet vlerësuar lartë drejtuesit e këtij fondi, në krye me veprimtarin, Hasan Abazi, atëbotë deputet në Parlamentin e Kosovës dhe kryetar i komisionit të solidaritetit.
Mbështetja e Klubit Rotary të Ferizajt
Dhe tash pas 20 e sa vitesh, kur shpreha dëshirën për riaktivizimin e këtij fondi, duke ndihmuar edhe vet me familje këtë fond me katër bursa për një afat disavjeçar nga vet Klubi rotarian i Ferizajt gjeta një përkrahje të pa rezervë, duke qenë edhe vet donatorë me disa nga anëtarët e tij. Ndërkohë tash nga Ferizaj vijnë, vazhdimisht lajme inkurajuese. Përmes një e-maili, Afrim Konjufca, që është caktuar nga Rotary Klubi i Ferizaj, koordinator kryesor, njofton se numri i donatorëve tashmë ka arritur në 16, ndërsa numri i bursave në 22. Klubi gjithashtu ka miratuar gjitha dokumentet e nevojshme, siç janë draft- projekti, kontratat e bursëdhënësve dhe bursemarrësve si dhe ka hap një llogari rrjedhëse ku do të derdhën donacionet prej nga do tu barten mjete studentëve po ashtu në llogaritë e tyre përkatëse.
Ajo që është më se pozitive është fakti se tash 4 nga ish-bursistët që patën përfituar një bursë të tillë, janë deklaruar që tash vullnetarisht që edhe vet të jenë donatorë, me nga një bursë të rregullt. Ndaj edhe me këtë rast dua që nga pozita e themeluesit të fondit, që të falënderoj ish studentët që tash ndihmojnë studentët e ri. E këta janë: donatorët: Armend Lubishtani arkitekt, drejtues i firmës BP Diagonal, ish bursistë ; Mufail Hasani, mjek specialist, ish bursistë; Qazim Hasani, arkitekt, ish bursist dhe Driton Ferizi, mjek specialist, ish bursist.
Mërgimtarët bursëdhënës
Momenti tjetër i rëndësishëm është se ka sërish interesim edhe nga radhët e mërgimtarëve tanë për të ndihmuar këtë fond bursash. Ndër të parët është edhe bamirësi komogllavas, që jeton dhe ka një firmë ndërtimore në Zvicër, Xhavit Mustafa i cili më parë ka ndihmua në ngritjen e disa shtëpive skamnorësh, tash është inkuadrua me dhënien e një burse të tillë studentore.
Mbesim me shpresë se këta ish përfitues të FBS, se nuk do të jenë të vetmit ngase besojmë se do të ketë edhe donatorë tjerë potencial, në mënyrë që të gjejë praktik solidarësia për shkollim, duke e ndihmuar njëri brez tjetrin. Pra, përkundër gjendjes së rëndë në Kosovë, do pranuar se në komunën e Ferizajt prej vitesh mbretëron një frymë bamirëse e solidariteti. Dëshmi për këtë është edhe Shoqata Bamirëse Feniks e Ferizaj përmes së cilës mbi 160 familje me strehë mbi kokë.
Ja kështu një lloj historie, për fat të mirë, ashtu si dikur para 20 e sa vitesh që brezi im ndihmoi një brez studentësh me pozitë të pavolitshme materiale , tash po ai brez që përfitoi nga ato bursa mori flamurin për të ndihmuar shkollimi e një brezi tjetër.
Sidomos në këtë moment, kur shumë të reja e të rinj me pozitë të rëndë materiale, sidomos nga vendet rurale që kanë vullnet, talent dhe gatishmëri për shkollim të lartë, universitar, por që u ndihmojnë kushtet elementare për shkollim. Sepse po se patën ata këtë ndihmë, sado simbolike qoftë ajo, nuk do të ia arrijnë që të ndjekin studimet, derisa një kast e privilegjuar, mund ti zgjedh e edhe ndërron kolegjet e fakultetet kur ti teket!
Libri …”1001 pamje” për fondin e bursave
Krejt në fund njoftoj lexuesit portalit tonë, se me qëllim që të jap një kontribut sado të vogël, kam vendosur që e tërë shitja e kontingjentit të librit tim: ”Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”, të derdhet në këtë fond bursash. Nga një tetori për një kohë të pacaktuar nga shitja e librit ndihmohen për çdo muaj katër studentë me pozitë të rëndë materiale me nga 50 euro në muaj, deri në përfundim të studimeve. Ndaj edhe me këtë rast falënderoj familjen time si dhe të gjithë ata që kontribuuan në përgatitjen teknike e redaksionale të këtij librit, si dhe donatorët shqiptarë në mërgatë e Kosovë që ndihmuan botimin.