Myftar GJONBALAJ: VARGJE BRILANTE PËR AKTUALITETIN

(Recension mbi librin më të ri të Bedri TAHIRI, PAVDEKËSIA, Lena, Prishtinë, 2023)

Me profesorin, shkrimtarin, studiuesin e publicistin Bedri Tahiri njihemi bukur moti. Më konkretisht, bashkëpunimi ynë është thelluar që nga viti 2008, kur Bedriu ishte organizator dhe realizues i binjakëzimit të dy gjimnazeve tona: Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë dhe Gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit, të cilin atëbotë e drejtoja.

Bashkëpunimi ynë në fushën e artit letrar ka qenë i pashkëputshëm. Mirëpo, ditë më parë më erdhi dorëshkrimi i ri i Bedriut, me një titull simbolik e shumë domethënës “PAVDEKËSIA”, në të cilin janë përfshi mbi dyzet e ca poezi dhe ca proza poetike.

Poezia dhe proza poetike, përmbledhur brenda këtij vëllimi, gërshetohen natyrshëm me vetitë njerëzore dhe shprehin dhembshuri të sinqertë e humane, nga pena vrojtuese e poetit Bedri Tahiri në realitetin e djeshëm dhe të sotëm të Kosovës martire. Të gjitha këto janë të vargëzuara në një enumeracion vetish e dëshirash të vyera, apo vesesh që i përjetëson pena e tij e stërholluar hulumtuese në realitetin e brishtë kosovar dhe më gjerë.

Llupa e shikimit zmadhon të vërtetat e të mirat në shoqërinë që e rrethon, por edhe zvogëlon ato megalomanët e vërejtura në sistem dhe te njerëzit e  shtresave të ndryshme, veshur ose jo me pushtet.

Poezitë e librit “PAVDEKËSIA”, pa dashur t’i përmend të gjitha, si: Modestia, Atdhedashuria, Urtësia, Sinqeriteti, Dritëhijet, Paudhësitë, Krahëthyerja, Mendjekeqi, Demagogjia, Djallëzia, Shpirtngushtësia, Vrastarët, Hileqarët etj., në optikën e pasqyrimit të vet, fusin në sitë të hollë të gjitha të metat, veset, gjegjësisht virtytet njerëzore, të cilat filtrohen sipas përzgjedhjes reale e aktuale të poetit të vëmendshëm.

Optika e shikimit dhe e vrojtimit e poetit dhe prozatorit Bedri Tahiri hyn në biopsinë e problematikave shoqërore, ku kalon sot Kosova dhe si duhet të jetë ajo me “bisturinë” kirurgjikale të penës që heq të keqen nga jeta e shtresave të ndryshme shoqërore, brenda dha jashtë realitetit të Kosovës. Realiteti që fton poeti, është njerëzor dhe jo platonik, është me të dy këmbët në tokë, si udhërrëfyes, për një shoqëri njerëzore të kohës.

Diapazoni vështrues, në optikën gjykuese, është, sa reale, po aq edhe e trishtë, për kohën që kalohet, me të mirat dhe me të zezat që mbanë njeriu i sotëm i kohërave “moderne”. Nuk ka zgjedhje vlerësimi në vargjet e poetit Bedri Tahiri, ky e kjo, janë tonat, kurse  ata e ato, të të tjerëve. Emëruesi i përbashkët duket te normaliteti njerëzor, në çdo fushë të jetës, nga më i riu e deri te më i vjetri. Poetët e Rilindjes Kombëtare janë shëmbëlltyrë e rrugës se ndjekur nga poeti, si: Ali Asllani, Gjergj Fishta, Faik Konica, Naimi e Çajupi.

Emri Galicë, në fund të çdo poezie, si një refren kumbues, mitologjik e olimpik, për poetin është një frymëzim i përhershëm. Shkurtësia e vargjeve të tij brilante, është vlerë e veçantë e metrikës së tij poetike.

Në librin “PAVDEKËSIA” të autorit, që tashmë ka ber emër në të gjitha trojet shqiptare, narracioni poetik është i shtruar, herë si bulevardi i Nevës, herë si shtrëngatë e stuhi drithëruese. Pena e tij fshikullon rreptas e pamëshirshëm edhe pushtetarët e pandershëm, që përfitojnë pandershmërisht nga ato që ka arritur shoqëria e brishtë e njerëzve të ndershëm në Kosovë.

Demagogët dhe burracakët goditën ashpër, me fshesë të pamëshirshme, pasi zemërvogëlsia dhe mburrja, janë skandaloze e të neveritshme për një shoqëri që përditë është në zgjim.

Filozofia poetike e Bedri Tahiri  tingëllon si një lajtmotiv në shumicën e këtyre  poezive me vlera antologjike, mirëpo, te poezia “Vdekja s’qenka vdekje”, ajo merr përmasat e një vlere universale:

Vdekja nuk qenka vdekje

Vdekje qenka harrimi, ligësia

Pangopësia, mohimi, injorimi

Që për të gjallë përjetohen

                   (Vdekja s’qenka vdekje)

Gjuha poetike e kësaj përmbledhjeje, shpesh është ngjyer edhe në gurrën e pasur popullore dhe në traditën tonë të hershme, që në Kosovë janë ruajtur me një kujdes të shtuar.

Poezia dhe proza poetike, të duket sikur ecën revan, shtruar paralelisht, bukur me zë poetik, sikur edhe proza të jetë poezi. Kjo është vlerë, kjo është zotësi, për poetin e prozatorin Bedri Tahiri.

Proza dhe poezitë e tij u hapin derën ngjarjeve të dhimbshme të viteve 1998-1999. Lufta e heroike dhe e përgjakshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e eksodeve biblike, gjejnë vend stoik dhe fitojnë “qytetarinë bashkëkohore” në rreshtat e poezive të ngjyrave e temave të larmishme që shqetësojnë opinionin publik, në veçanti, poetin frymëzues e shqetësues,  poetin e ndjeshëm e atdhetar, Bedri Tahirin.

Dritëhijet megalomane të njerëzve të veshur me pushtet dalin në vargjet:

Secili plot mend e dije

Me kokën përmbi re

Pranë tyre, i vogël fare

Gati-gati sikur nuk je

                    (Dritëhijet)

Tek poezia Paudhësitë, ora mashtron kohën, e gërshetuar edhe me eposin Homerik, me Odise e Penelopë, i japin sharmë vargut të bukur artistik.

Donkishotizmi shpalos idiotësinë e atyre që nuk qëndrojnë me këmbë në tokë, atyre që jetojnë në një realitet donkishotian, ashtu si Don Kishoti që luftonte me mullinjtë e erës, pra atyre që janë ëndërrtarë pa ëndrra!

Figurat intelektuale, si ajo e Mësuesit, janë lartësuar me vargje brilante nga mjeshtri i madh i penës, Bedri Tahiri:

Fjalëpakët me peshë guri

Edukator i brezave me radhë

Idealist sypatrembur vizionar

I pathyeshëm e ATDHETAR!

(Nuk vdes mësuesi)

Hapi dhe fatet nuk duhet matur me hejën e mbrëmjes, por duhet të jemi vërtetë e realist,- porosit pena e poetit Bedri Tahiri. Dhe, kësaj pene demaskuese të poetit zemërzjarrtë, nuk i kanë shpëtuar dot as dashakëqijtë, as zuzarët, as injorantët, as mendjekëqijtë.

Autori, i qetë e zemërmirë, siç e njohim të gjithë në Durrës, mbase, duke e shprehur revoltën e tij të brendshme për parregullsitë e kohës, edhe mund të hakërrohet, ngase nga nënteksti i vargjeve të tij lapidar, unë sikur lexova një klithje: KENI KUJDES!

Dhe, fare në fund, të jemi të bindur se nuk ka digë që ta ndalë së shkruari poetin e shkrimtarin penartë, Bedri Tahiri!

Urime e suksese të përhershme!

         Durrës, 20 shkurt 2023