Muzeu Arkeologjik në Apoloni, me qindra objekte nga antikiteti 

Në stendat e këtij muzeu janë të ekspozuara mbi 800 objekte, që në fakt tregojnë edhe për ritmet e zhvillimit epokal në Apoloni- Disa nga objektet dhe veglat e ekspozuara datojnë në një periudhë shumë më të largët, rreth 1200 vjet Para Krishtit.

Nga ekipi i portalit prointegra.ch

Qytetin antik të Apolonisë, ekipi i portalit tonë prej tre anëtarësh: në përbërje Osman Osmani, Skënder Hajdari dhe Rexhep Rifati e vizitoi më 11 Korrik 2015, në kuadër të një vizite monumenteve kulturore e historike, me qëllim që lexuesit tonë ti njoftojmë me rëndësinë që kanë qytetet antike dhe ajo që ka mund të ruhet aty deri në ditët tona.

Duke mbet të mahnitur me atë, që pamë jo vetëm ne, por edhe turistë të huaj që takuam aty,  të ardhur qoftë nga shtetet skandinave apo edhe edhe Gjermania, realizuam foto të shumta , nga të cilat sot po i publikojmë ato që shkrepëm brenda këtij muzeu.

Por më konkretisht kësaj radhe, si çdo filli javë, të hëne edhe kësaj here do të ndalemi te muzeu që gjendet brenda kompleksit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Me këtë rast arritëm të mësojmë se Muzeut arkeologjik shënon një periudhë të artë për historikun e këtij qyteti me histori të lashtë që nga periudha e antikitetit.  Nëpërmjet objekteve të ekspozuara në disa salla, vizitorët do të mësojnë se Apolonia antike e krijuar nga kolonët grekë rreth viteve 620 Para Krishtit është ndërtuar mbi rrënjët e një qytetërimi shumë më të hershëm.

Janë aty të paktën 800 objekte të ndryshme, që tregojnë ritmet e zhvillimit epokal në Apoloni, e që janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të këtij qyteti antik që tërheq vëmendjen dhe interesimin jo vetëm të vizitorëve të zakonshëm por edhe të specialistëve të fushës së arkeologjisë.

Më vonë një shkrim që jep portali shqiptar, Shipëria.com nënvizohet se “Në Apoloni numri i vizitorëve shënon rritje progresive nga viti në vit, por mungesa e një muzeu arkeologjik ka qenë një mungesë e madhe. Për këtë arsye hapja e një muzeu të denjë për një park arkeologjik si Apolonia ishte një nga objektivat tona kryesore, që falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe zyrës së Unesco-s në Venecia ky objektiv u bë realitet”, deklaroi Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali. Po sipas tij, muzeu i përgjigjet standardeve bashkëkohore sa i përket ekspozimit, ashtu edhe sigurisë :

“Janë rreth 800 objekte arkeologjike të përmasave të ndryshme që nga skulpturat, enët antike, monedhat, objektet e qelqit, ato metalike etj, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në një sipërfaqe prej 1000 metër katrorë, e të vendosura në 25 stenda,” tha Haxhimihali. Sipas tij,  muzeu arkeologjik pritet ta shtojë edhe më tepër frekuentimin e parkut arkeologjik të Apolonisë. Objektet dhe veglat e ekspozuara në stendat e muzeut datojnë në një periudhë shumë më të largët, rreth 1200 vjet Para Krishtit.

Në galerinë e pafund të objekteve të gjetura dhe tashmë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë gjenden skulptura nga më të ndryshme si, portrete aristokratësh, gladiatorë, portrete vajzash, gurë varresh me gdhendje, vegla pune, figura kafshësh, kalorësa, luftëtarë, peizazhe natyrore, etj.

Muzeu i Apolonisë u hap për herë të parë në vitin 1970, pasi ai ishte mbyllur në vitin 1991 për shkak të grabitjeve sistematike në kohën e fillimit të tranzicionit, me qëllim ruajtjen e objekteve arkeologjike.

Objektet arkeologjike pas vitit 1990 për shume kohe për arsye sigurie ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Tashmë ato i janë rikthyer vendit ku u zbuluan, Parkut Arkeologjik të Apolonisë, përfundon thuhet në shkrimin e Portali Shqiptar – Shqipëria.com .

Brenda kompleksit të muzeut arkeologjik gjendet edhe një dhomë muze ku ka punua shkrimtari i mirënjohur Jakov Xoxa, ku është edhe një fond i mjeteve të punës me të cilat është shërbye gjatë punës së tij shumëvjeçarë si njëri nga krijuesit më produktiv e cilësor në prozën shqiptare.