Muharrem Mehmeti, ish-boksieri i parë ferizajas, tash një figurë e harruar

819

Me këtë rast pos sjellim një figurë sportive që dikur i sjelli lavdinë qytetit të vet, Ferizajt, duke qenë edhe boksieri i parë i këtij qyteti, por që tash është hudhë në harresë. E ky është Muharrem Mehmeti nga Sazlia e Ferizajt, që tash ka shkel në të 76-tatë dhe jeton ne Zvicër, por që ende është vital dhe ruan shumë kujtime nga karriera e tij e pasur prej boksieri.

Shkruan: Enver Zhinopotiku

Muharrem (Rizah) Mehmeti është lindur në vitin 1943 në fshatin Sazli të Komunës së Ferizajt.Edhepse i ka mbushur 76 vjet, askush nuk mund ta merr për aq shumë vite. Ka bërë një jetë të gjallë, të vështirë, por dinamike dhe interesante, dhjetë vite prej të cilave duke boksuar nëpër klube të ndryshme boksi në Vojvodinë e Serbinë e ngushtë.

“Në qershor të vitit 1961, mbarova shkollën fillore që e kisha filluar me vonesë në Ferizaj. Desha të bëhem mësues, sepse më pëlqente puna me nxënës, por nuk munda ta jap provimin pranues, që nuk ishte asokohe i lehtë, fillon rrëfimin e tij Muharrem Mehmeti. Menjëherë shkova në një aksion rinie me një shok timin në Gerdelicë, për të punuar vullnetar. Në pranverën e vitit 1962, bashkë më vëllezërit Rexhepin e Idrizin, shkova për të punuar në Vojvodinë, ku shkonin asokohe shumë të rinj shqiptarë për të punuar gjithë verën punë bujqësie, në fushat e pafund të Vojvodinës.Gjetëm punë dhe u vendosëm në Vërbas, një qytet në lindje të Vojvodinës.Gjithë verën mihëm misër, pangjarsheqer,luledielli, pastaj në fushatën e korrje shirjeve, bartje thasësh e çfarëdo punësh që na urdhëronin, fillon rrëfimin e tij të gjatë për ecejaket e tij rinore boksieri i ardhshëm.

Nuk thuhet kot se rasti është mbret i botës. Në Vojvodinë asokohe në çdo fshat e qytet hasje shqiptarë, që kishin shkuar të punonin. Takova Sokol Mjakun nga Sllatina e Vitisë në një ndejë që bëmë ne shqiptarët, kur më pa ai, si djalë i ri që isha i zhdërvjelltë, më tha:

” Ti duhet të shkosh të ushtrosh boks!”

Të them të drejtën unë asokohe as nuk dija ç’është boksi, as nuk kisha parë kurrë. Ne gjatë ndonjë kohe pushim, edhe në banesë, edhe nëpër ara, luanim dhe argëtoheshim me lojëra popullore, mundje, kërcim, provonim forcën, por për boksin dëgjova për herë të parë. Sokoli tha se kishte filluar të ushtronte edhe ai, por e kishte lënë pas pak kohe.Kur më pa mua me trup të zhdërvjelltë, më tha se nesër do të të takojë me një malazez dhe ai të orienton.Kur të nesërmën u takuam me malazezin, na tha se klubi i Vërbasit është mbyllur, por do të rihapet sërish.Pas disa muajsh, në pranverën e vitit 1963 u rihap dhe unë u paraqita.Kisha mbushur 19 vjet. Por, atë vit nuk gjeta punë në Vërbas dhe sapo fillova ushtrimet, mu dasht t’i ndërprisja, shkaku që të kërkoja punë gjetiu. Shkova në qytetin Kulla, ku gjeta punë dhe drejtori i kooperativës ishte edhe trajner i klubit të boksit të atij qyteti. Ai më tha se klubi po hapet edhe në Kullë dhe kjo u bë më 21 gusht 1963. Pas tre muaj e dhjetë ditë ushtrimesh, për herë të parë dola në ring më 1 dhjetor 1963.Pra fillova karrierën në klubin “Hajduk” të Kullës.

Pas fitoreve të mëdha, kërkohej edhe nga klubet me renome

Më 12 prill 1964, u mbajt një turnir për rajonin e Baçkës, ku nga ekipi im, shkuam unë dhe një boksier tjetër në këtë turnir. Turniri u mbajtë në Vërbas dhe unë meçin e parë e humba nga një boksier i Spartakut të Suboticës, që ishte kampion Jugosllavie, kurse meçin e dytë e fitova me nokaut, që në rundin e parë. Kështu fitova simpatinë e sportdashësve të shumtë dhe emri im tanimë bëhet i njohur gjithëkund. Pas këtij turniri, filluan të më kërkonin në radhët e tyre shumë klube, thotë boksieri i ri:” “Vojvodina” nga Novi Sadi dhe “Radniçki” nga Sombori.

Asokohe Vojvodina ishte një vend i zhvilluar, përkundër Kosovës që ishte disa herë nën nivelin e krahinës veriore të RSFJ-së.Është interesant se në rrëfimin e tij për atë periudhë, zotëri Muharrem Mehmeti thotë se në çdo qytet në Vojvodinë kishte klube boksi dhe klube tjera sportive, sidomos futbolli, ku të rinj e të reja argëtoheshin dhe kalonin kohën e lirë. Kështu, Beçeji, Cërvenka, Apatini, Novi Beçeji, Pazova, Vërshaci, Zrenjanini etj. të gjitha kishin klube të shumta boksi, kurse te ne në Kosovë, asnjë shqiptarë nuk dinte për këtë shkathtësi bujare.

Ambicjet e Muharremit si i ri, i shkathët ishin të mëdha. Kërkonte të bëhej anëtar i ndonjë klubi më të fortë. “Në një meç midis Vojvodinës së Novi Sadt dhe “Radniçkit” të Somborit, i lajmërohem trajnerit të Radniçkit, i cili kishte dëgjuar për mua. Ai befasohet dhe më pyet me habi : ”Je si li ti onaj mali Shiptar?!” (A je ti ai shqiptari i vogël ?!). Kur i them:”Po!”, më thotë që nesër të shkoj në Sombor.

Shkova në Sombor, ku më pritën shumë mirë dhe më premtuan se do të më punësonin në fabrikë menjëherë. Trajneri menjëherë mi dha 1000 dinarë, që për kohën ishin bukur shumë para. Filloi kampionati i ri në shtator të vitit 1965, ku Jugosllavia kishte dy liga të dyta dhe një të parë me shumë boksierë cilësorë. Dhe, kështu fillova të boksoja me sukses për “Radniçkin” e Somborit, u punësova dhe fillova një jetë të re. Më kujtohet një duel që kisha në Pozharevc. Refer ishte Abaz Abazi nga Prishtina, i gjatë dhe i hajthëm. Meçin e fitova bindshëm dhe më duket se u kënaq me boksin tim edhe referi prishtinas. Me Radniçkin boksova një gjysëm sezone, pastaj shkova ushtar”.

Muharremi boksoi në tri kategori

Siç thotë vet Muharrem Mehmeti, kam boksuar në tre kategori: bantam 54 kg.; pendël, 57 kg.; dhe e lehtë 60 kg. Është interesant se në katër klube për të cilat ka boksuar gjatë karrierës së tij, kurrë thotë se nuk ka qenë rezervë, por gjithmonë aktiv.

“Kur u ktheva në pushim nga shërbimi ushtarak, shkova në Prishtinë, që të shoh mundësinë e kyçjes në ekipin “Radniçki” të këtij qyteti, që garonte në Ligën e dytë, sepse tani më isha boksier i afirmuar.Në krye të klubit prishtinas ishte një Vuliq, i cili, edhepse më njihte dhe i dinte kualitetet e mia, nuk më pranoi. Asokohe në klubin prishtinas“Radniçki”, të gjithë boksierët ishin thuaja serbë. Ishte një Esat Krajkova, që emrin e kishte shqiptar, por fliste turqisht, ishte një Hashimoviq, që fliste serbisht, që me gjasë mund të ketë qenë boshnjak, ishte një Shaip Krasniqi, që poashtu komunikonte serbisht. Kjo gjendje e asaj kohe, është vështirë të kuptohet sot!- thotë ish boksieri ferizajas, i vetmi shqiptar me gjasë që boksonte në ish Jugosllavi në këtë kohë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, kthehet sërish në Sombor, por në ndërkohë ekipi i tij kishte rënë në rang më të ulët garash, në ligën krahinore të Vojvodinës. Kthehet sërish në Vërbas, ku gjatë katër viteve 1965-69, ishte mjaft i suksesshëm. Gjatë viteve 1970-1972, tri sezona bokson me sukses në klubin “Rudar” të Aleksincit.

Për sukseset dhe luftërat e tij të shumta, ka shkruar gjerë e gjatë shtypi i kohës, gazetat e Beogradit dhe Novi Sadit.Dhe me një nostalgji të jashtëzakonshme, Muharrem Mehmeti kujton ato ditë të rinisë, kur nëpër ringjet e gjithë ish Jugosllavisë kryqëzonte dorëzat me boksierë të shumtë, duke derdhur djersë e mund, nganjëherë edhe duke tejkaluar vetën, sepse shpeshherë, animet etnike duhej t’i kapërceje me luftë në ring. I mbushen sytë me lotë, kur ishim duke ndenjur në një kafene të Ferizaj bashkë me një shokë të tij nga Bajnica e Kaçanikut, me të cilin kishin kaluar përjetime të shumta, duke ndihmuar mërgatën shqiptare në rrugën e gjatë kombëtare drejt lirisë.”Sidomos kam qenë i afërt me atdhetarin Rexhep Halimin, i cili publikisht kishte pranuar se më kishte “dorë të djathtë në çdo aktivitet”.

Ragip Rexhepi, shoku i tij nga Bajnica, me të cilin rrinë bashkë çdo herë që vie “Baci Lem”, (siç i thonë të vetët) nga Zvicra, derisa rrinim të tre në kafene, na e zbuloi një sekret të vetin. Tha se “I ka sjellur një revolver nga Zvicra, Rexhep Malës, në fillim të viteve ’80, duke ia dërguar me veturën e tij në Gjilan” Edhe nëpër këso rreziqesh të kohës ka shkelur diaspora jonë për të ardhur këtu ku jemi sot. Madje, Ragipi ishte dënuar dhe mbajtur burg, për aktivitetin e tij kombëtar e politik në Zvicër.

Shkrime në shtypin e kohes e në monografi

“Më dhimbsen, ato shkrime, të cilat i lexoja dhe i hidhja gazetat tek shkruanin për mua dhe luftat e mia në ring, që nuk ishin aspak të lehta me boksierë cilësorë, serbë, malazezë, hungarezë e rumunë. Sot do t’i shikoja përditë, por mjerisht nuk i kam ruajtur.  Gjenden nëpër klube në qytetet ku boksoja, por është dashur t’i ruaja edhe unë, por nuk kam ditur.Janë më qindra shkrime. Kur klubi i Vërbasit kishte bërë monografinë e klubit të boksit, mua më kishin radhitur si boksierin më të mirë të kategorisë “bantam”” dhe Muharremi tek e gjerb kafenë, fshinë sytë e përlotur.

Në Zvicër nga viti 1076 ku e presin shumë sfida

Në korrik 1972, kur përfundoi kampionati i atij viti u largova nga klubi i “Rudarit” të Aleksincit, e lash boksin aktiv, meqë kisha 29 vjet. U martova, ndenja katër vite në Kosovë dhe në vitin 1976 shkova për të punuar në Zvcër, ku më prisnin sfida të reja. Në Zvicër jam rreshtuar në krahun e atdhetarëve, që punonin për çështjen kombëtare dhe kam ndihmuar këtë krah me aq sa kam mundur.Sidomos i kam ndihmuar atdhetarët ferizajas, të përndjekur politikisht nga Kosova: Hajdin Abazin dhe Emrush Xhemajlin, që ishin shokë të djalit të vëllait tim, Ibrahim Xhemajlit, dhe që të tre kishin mbajtur vite të tëra burgu nëpër kazamatet serbe. Emrush Xhemajli mbeti në Zvicër, Hajdin Abazi kaloi në Suedi dhe nipi im Ibrahimi kaloi në Danimarkë, ku edhe sot vepron. Ibrahimit pas një kohe i erdhi edhe e fejuara, Emine Gashi, vajza e atdhetarit ferizajas Abdullah Gashi (i njohur për veprimtari atdhetare dhe burgun e mbajtur në prill-qershor 1981 për shkak të fjalës kundërshtuese ndaj Bogoljub Nedeljkoviqit në Fabrikën e Tubave në Ferizaj, më 8 prill 1981).

Ibrahim Xhemajli edhe sot në Danimarkë udhëheq “Radio Zërin e Kosovës” bashkë me të shoqen dhe zhvillojnë një aktivitet të bujshëm atdhetar dhe kulturor për diasporën shqiptare në këtë vend”.

Gjatë bisedës shteruese dhe përmbajtësore që pata me boksierin ndër të parët shqiptarë, Muharrem Mehmeti, ishin të pashmangshme pyetjet:”Si trajtohej në mese të ndryshme pa asnjë shqiptar një boksier si ju asokohe?!”; “Si i priste publiku fitoret e tij?!”; “A kishte anime referësh në ring?!”, etj.

Lufta përafërsisht e barabartë, shqiptarit gjithmonë i sillte humbje !

“Gjatë periudhës gati dhjetë vjeqare që kam boksuar, shpesh ke mundur të vëresh padrejtësi, madje ndonjëherë haptas në dëm tëndin, vetëm pse je shqiptar. Që të fitosh, ose duhej ta mundëshe kundërshtarin me nokaut, ose të jesh shumë më i mirë se ai. Lufta përafërsisht e barabartë, shqiptarit gjithmonë i sillte humbje. Një herë në Lloznicë, e një herë në Beograd, padrejtësia është vërejtur haptas, madje edhe me reagimet e publikut që çmonte luftën time. Por, ç’t’i bësh ?! Referët serbë e malazezë e kishin në dorë ! Në Valevë kam boksuar shumë herë. Me një boksier të klubit nga ky qytet, kam boksuar, si për inat, pesë herë. Qëllimisht e detyronin të boksonte me mua, sepse si shqiptar që isha, donin të më mundte.Prej pesë meçeve të zhvilluara me të, katër herë fitova unë, kurse një luftë përfundoi baras. Në Valevë boksonte edhe një rom nga Kosova, por nuk dinte fare shqip. Në Valevë, pas një meçi me bokserin që donte të më mundte e nuk arrinte, një refer i kishte thënë trajnerit tim se “qe 20 vite referoj në ring, nuk kam pa të rënë më të fortë se një sot që boksieri juaj ia dha boksierit të  klubit “Metalac” të Valevës!!!

Edhe nga Zvicra në shërbim të skamnorëve në Kosovë e Shqipëri

Muharrem Mehmeti tani i pensionuar jeton me gruan dhe fëmijtë në Zvicër, ku ka punuar mbi 30 vite. Është shquar dhe shquhet edhe sot për humanizëm. Gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë, kishte ndihmuar plotë hallexhinjë.Njëherë, që vlenë të përmendet në këtë mes, është fakti se për një festë të Kurban Bajramit u kishte dërguar nga Zvicra mjete vëllaut Rexhepit, me të cilat ishin blerë 15 kurbanë, që t’ua shpërndajnë 15 familjeve. Një student ferizajas, e kishte ndihmuar gjatë gjithë periudhës së specializimit mjekësor në Tiranë.Ndërkaq, pas një emisioni që kishte parë në TV nga “Lagja e Kuvajtit” për një familje tepër të varfër, kishte dalur kishte blerë shumë rroba për fëmijtë e saj dhe ua kishte sjellë në Podujevë, bashkë me 200 euro, njëqind prej të cilëve ia kishte dhënë djali i vëllait, Ibrahimi.

Sot për Muharrem Mehmetin pakkush e di se ai, kur ishte i ri, kishte qenë boksier i njohur, që për dhjetë vite kishte kryqëzuar dorëzat nëpër ringje të shumta të ish Jugosllavisë, kur për këtë sport shqiptarët ende nuk dinin, ose dinin shumë pak, kurse në shtetin amë, në Shqipëri, ky sport trajohej si “sport gladiatorësh”, prandaj as nuk përmendej.

Me ardhjen e Lah Nimanit ekipi « Radniçki » i Prishtinës u kthye në « Prishtina » 

Vetëm pas ardhjes së legjendës së boksit, Lah Nimanit në krye të ekipit prishtinas, që dikur quhej “Radniçki”, e më vonë mori emrin e qytetit “Prishtina”, ky klub u bë tmerri i shumë ekipeve në ish Jugosllavi, duke i mundur me radhë, madje edhe në vendet e tyre, shpesh pa luftë, duke i dorëzuar meçet para boksierëve prishtinas, e shpesh me fitore parfofe  20:0, duke u bërë kështu 7-8 herë kampione ekipore e Jugosllavisë, madje 5 herë radhazi, nga vitet 1972-3 e derisa u shkatërrua ish Jugosllavia, që kishte ligën e boksit njërën ndër më të fortat në Evropë.

Ekipi « Prishtina » pati një garniturë boksierësh të pamposhtur

Prishtina kishte krijuar një garniturë boksierësh të pamposhtur, që kishin bërë emër edhe në garat botërore, Lojërat Olimpike dhe shumë turnire evropiane dhe ata ishin : Sami Buzolli, Afrim Majanci, Bajram Hashani, Nazif Gashi, Mehmet Bogujevci, Aziz Salihu, Xhevdet Peci, etj., që i sollën ish Jugosllavisë edhe medalje të arta dhe ishin krenaria e shqiptarëve kudo që ishin me luftërat e tyre në “shkathtësinë bujare”.