Dhoma muzeale, prej nga Xoxa me “Lumin e vdekur”  bëri histori në letërsi  

  Gjatë një udhëtimi të ekipit të portalit tonë në qytetin e Fierit, ishim edhe në qytetin antik të Apolonisë, duke vizituar edhe pavijonin e shkrimtarit Jakov Xoxa, ndaj edhe me këtë rast po postojmë 30 foto të shkrepura aty, filluar nga një makinë shkrimi “Antares”, prej nga doli vepra kapitale “Lumi i vdekur”, për ta bërë të pavdekshëm autorin e saj.  

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Portali ynë deri në fund të vitit çdo të hëne do ta nis me një muze kushtuar shkrimtarëve tanë, duke e prezantuar fondin e tyre përmes eksponateve muzeale.  Më konkretisht gjatë vizitës më 11 Korrik 2016 në muzeun arkeologjik në Apoloni, në përbërje Osman Osmani, Skender Hajdari dhe Rexhep Rifati, vëmendjen na e tërhoqi, tabela: “Dhoma muze e shkrimtarit Jakov Xoxa”, shpallur Nder i Kombit. Me të hyrë në këtë dhomë, sikur filluam të jetojmë me jetën e shkrimtarit, pasi aty kishte disa albume nga jeta e tij, por edhe mjete me të cilat kishte shënuar e nxjerr gjithë atë vepër madhore.

Të kujtojmë vetëm “Lumin e vdekur”, që ishte shkruar me një makinë shkrimi, mund të jetë pikërisht ajo që ndodhej në këtë dhomë. Ndaj edhe secili nga ne donim të pozonim pranë asaj makine që beri histori në letërsi. Përparësia gjithsesi nga ne qe i takonte Skënder Hajdarit pasi kishte lexuar shumicën e veprave të Xoxës dhe ishte adhurues i tij i flaktë.

Po në këtë dhomë muze mund të hasësh edhe mjete personale të shkrimtarit, si veshje, orë dore, busulla por edhe medalje e mirënjohje që i janë ndarë shkrimtarit Xoxa për punën e tij madhore prej një shkrimtari që ka bërë emër të ndritur në letërsinë shqiptare. Porse ky shkrim është i një karakteri krejt tjetër që ndalet kryesisht të ato fonde që përbëjnë një pjesë të gjësendeve kryesore si që janë trashëguar nga shkrimtari apo janë edhe janë grumbulluar ndërkohë.

Me disa rreshta për jetën dhe veprën e Jakov Xoxës. Ai ka lindur në qytetin e Fierit, në vitin 1923. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Vlorë e në Berat. Ndërsa shkollën e mesme e ndoqi në disa qytete, pra në Kavajë, Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Mbas çlirimit, i ndoqi dhe i përfundoi studimet e larta për filologji jashtë shtetit, në vitin 1952. Punën e nisi në ish-Institutin e Shkencave, bashkë me figura të njohura të gjuhësisë, letërsisë, historisë etj. Pastaj punoi gazetar e pedagog në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar të Tiranës dhe që nga viti 1957, pra me krijimin e Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e Filologjisë, ka dhënë lëndën e teorisë së letërsisë, për të kaluar më vonë krijimtari të lirë. Vdiq në Tiranë, në vitin 1979. Është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshëm dhe me titullin “Mësues i merituar”.