Ferizaj e Tetova, të lidhura me shumë miqësi e solidarësi      

 

Thuaja se tash dy vjet për ne mërgimtarët, çdo gjë ka marrë tatëpjetën, sidomos sa i përket vizitave në vendlindje dhe në vendet që i adhurojmë, siç është për mua Kaçaniku e Tetova, që aq shumë janë të lidhura me shumë inde shpirtërore me qytetin tim Ferizajn.  Të kaloj pushimet në Kosovë, e të mos shkoj së paku njëherë në Tetovë, për mua është një vakum, që nuk plotësohet lehtë!

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Ndaj edhe me këtë rast, dua të kujtoj se sa e këndshëm për mua ishte vizita, sot e katër vjet në Tetovë, pikërisht më 17 Mars 2017, ku takova miq e kolegë madje që nga mosha e rinisë, derisa unë isha normalist ne Ferizaj e ata në shkollën bujqësore e ekonomike të Tetovës.

Por tash pas katër vitesh nga kjo vizitë e fundit, më kanë ngel vetëm mbresa e kujtime, aq më parë që dy nga kolegët: Enver Shala e Muharrem Idrizi, nuk janë në këtë botë. Por që sa herë që mallëngjehem për ta, hapi arkivin dhe përmes fotove rikthej kujtimet dhe më duket sikur jam në një ndejë me ta, sheqeruar edhe nga kolegët tanë të përbashkët, Alush Kamberi e Ismail Arsllani, me të cilin për më se gjysmë shekulli nuk i shkëputëm lidhjet, qoftë kolegjiale apo miqësore e vëllazërore.

Dhe sërish kujtimi dhe dashuria ime për Tetovën e lidhur jo vetëm me kujtimet nga fëmijëria, kur qerre kuajsh vinin nga Tetova për tregtimin e specave me kosha të mëdhenj prej thuprash shelgjesh.  Dhe disa dekada ma vonë, po ata tetovarë apo bijtë e tyre, qofshin nga qyteti apo rrethina sërish vërshuan, ashtu siç mundën duke u përballë me sfida e rreziqe nga policia serbe, për të mos lënë të vdesin urie vëllezërit e tyre nga qytetit i Ferizajt.

Ishte ky një solidaritet i pa parë, kur me dhjetëra qerre apo edhe ngarkesa kuajsh e gomaresh përmes bjeshkëve të Sharrit sillnin ngarkesa me drithëra, mielli e artikuj të tjerë për punëtorët e porsalarguar nga Fabrika e gypave në Ferizajt. Si sot më kujtohet, një depo në periferi, që sapo mbushej e zbrazej me artikujt e ndryshëm ushqimor që vinin nga Tetova dhe fshatrat e saj, madje jo vetëm ushqime por edhe mjete në të holla.

Ishte ky një solidaritet i paparë midis dy qyteteve e fshatrave të tyre shqiptare. Po ky solidaritet do të vazhdojë edhe gjatë eksodit biblik të shqiptarëve të komunës sime në Maqedoni, kur shumica e ferizajasve do të vendosen në Tetovë e fshatrat për rreth, madje nikoqirët u kujdesën që të gjejnë edhe dhoma për klasë mësimore, që fëmijët nga Kosova, të mos ngelin edhe më tej jashtë bankave shkollore.

Por se Tetova me rrethinë ka edhe pse të vizitohet, jo vetëm pse është shumë mikpritëse e arsimdashëse, për çka edhe ka dhënë edhe viktima për hapjen e universitetit shqiptar, por edhe pse në brendi ruan një histori të mbushur me lavdi, të dëshmuar përmes figurave jo vetëm përmes figurave historike por edhe monumenteve me peshë të madhe kulturore e turistike, ndaj edhe në çdo kohë ia vlen të vizitohet.

Tetova, duhet ditur se. pas Korçës, është qytet i dytë i vetëm shqiptar që ka një shtatore të bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashëri, pasi në shumë vende e madje edhe në Tiranë e në Frashër, vendlindjen e poetit vëllezërit Frashëri që bënë jo vetëm historinë, por që i sollën edhe lavdinë Shqipërisë, kanë vetëm buste e jo edhe shtatore, siç e meritojnë.

Ndaj edhe krejt në fund një pranverën përplot jetë, shëndet e lulëzime për Tetovën time, ashtu siç din Sharri ynë legjendar, përherë të sjell gjelbërime deri te kreshtat e mbuluara me barë, që sikur na e simbolizojnë plisin tonë të bardh, që na lidh e bashkën përherë si shqiptar!