Mësuesi Albert Karamani, në vend të ditarit, prapa grillave në Prishtinë!  

Edhe sot për një mësues elbasanas në Kosovë, ku më shumë mbajti burg, se mësim me ditar. Alberti i lindur më 12 Qershor 1928 në Elbasan, që në vitin 1945 i bashkohet mësuesve vullnetar të Elbasanit për të punuar në shkollat e porsahapura shqipe në Kosovë, por pas dy vjet mësuesie në Shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj, arrestohet e pastaj  migron në Amerikë, ku shërben si oficer i lartë. – Vdes në Florida dhe varroset me ceremoni ushtarake.   

Nga Rexhep Rifati

Ndërkohë, kthehet në Shqipëri për të vazhduar kurset pedagogjike verore, në mënyrë që në vitin 1948 të kthehet përsëri në Kosovë për të vazhduar mësimdhënien, por arrestohet nga UDB-ja Jugosllave dhe dënohet me 3 vite burg të cilat i mban në burgun e Prishtinës. Në burg e ballafaqojnë me mësuesin tjetër të ardhur nga Korça,  Selami Kreka, gjoja se Alberti e ka denoncua Selamiun, por Alberti mbahet stoikisht dhe krenarisht dhe e pëson edhe një torturë më tepër nga udbashi sadist Rajko Vidaçiq. (Për këtë keqtrajtim fizik flet edhe Selami Kreka në librin e tij “Një jetë për atdhe”, kur edhe do të japim më shumë hollësi gjatë këtyre vazhdimeve për mësuesit e Shqipërisë që shërbyen në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare).

Nga nipi i tij në Ebasan , Andi Enver Kramani mësohet se, ish- mësuesi Albert Karamani pasi bëri një vit burg, dërgohet të qëndrojë në kampet e refugjatëve politik në Itali-Trieshtë. Prej aty kërkon strehim politik në Amerikë ku edhe kryen ushtrinë amerikane dhe fiton gradën ushtarake të kapitenit. Në vitet 1954- 87 banon në Nju Jork, ku edhe merret me biznesin e tij privat.

Vdes më 9 Qershor 2016 dhe varroset me ceremoni ushtarake në Florida.

Ja si e përshkruan qëndrimin heroik të mësuesit Albert Karamani, mësuesi 95 vjeçar, Selami Kreka, që tash jeton në Korçë e që e kam vizitua tri herë: “Në orën tetë të mbrëmjes të asaj dite shoqërohem përsëri në zyrën e shefit Rajko. Në ballë të tavolinës qëndronte Rajkoja, përkrah tij anash ishin dy oficerë UDB-eje. Ata pyesnin: I pandehur … Në shenjë proteste nuk u përgjigjem . Udbashët u zemëruan dhe filluan të më goditnin me grushte e shqelma, ku të mundeshin dhe ku të donin. Mbasi mbaroi dhuna agjentët më nxjerrin në ballafaqim me mësuesin Albert Karamanin . Ai ishte me njollë, njolla të zeza në fytyrë , me sy të nxirë dhe të futur thellë, mezi qëndronte  në këmbë, ishte torturuar për vdekje.

      -Folë! E urdhërojnë Albertin.

     -S`kam çfarë të them. U përgjigjet ai. Kemi ardhur te ftuar e po na trajtoni si kafshë! 

E kapin me shkelma Albertin dhe e nxjerrin nga zyra. Qindra kosovarë janë gjymtuar nga torturat. Një mësuesi nga Ferizaj i kishin thyer krahun, qindra të tjerë janë torturuar, burgosur e pushkatuar”, rrëfen mësuesi Selami, që edhe vet ishte pjesë e torturës së UDB-ës serbo-jugosllave.

Nesër: “Elbasanasi, Mehmet Gjevori, baba i abetares së parë shqipe në Kosovë”