Mësuesi nga Heshtova e Zagories, që bazat e shkollës shqipe i vuri në Rahovec (31)

 

Një nga nxënësit më të mirë të Normales së Elbasanit, Stathi (Dhimitri) Kostari, i lindur me 15 dhjetor të vitit 1920, në Hoshtevë të Zagories, hynë në radhët e para të mësuesve nga Shqipëria që viteve të `40-ta erdhën në Kosovë, për të punuar fillimisht mësues në Rahovec e pas Luftës së Dytë Botërore, për të vazhduar jetën në Kosovë, duke punuar në ente botimesh dhe duke qenë edhe vet autor e përkthyes. -. Me gjerësisht nga Hamza Halabaku, mësues shumëvjeçar në Gjermani, që punoi për  shumüe vite me Stathin.  

Shkruan: Hamza HALABAKU

Në kujtimet e mia më ka mbetur një mbresë e thellë për një emër që konsideroj se brenda tij përmbledh fuqinë e një personaliteti emblematik të kohës dhe më duket se do të më mbetej peng po të mos përpiqem për ta skicuar sado pak portretin e tij në një shkrim përkujtues. Fjala është për Stathi Kostarin, emrin e të cilit e ndesha shumë herët, si autor dhe përkthyes në tekstet shkollore, të cilat i shfrytëzoja si nxënës i shkollës fillore.

Fati e deshi që shumë vite më vonë të punojë në një zyrë me Stathi Kostarin, në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës, që ishte organ profesional i Kuvendit të Kosovës, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Stathi kishte pozitën e sekretarit të Pleqësisë dhe unë, Hamza Halabaku, pozitën e bashkëpunëtorit. Krahas ne dyve, që ishim punëtorë të rregullt të Sekretariatit, respektivisht Komitetit të atëhershëm Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës, Pleqësia e Arsimit të Kosovës kishte 25 anëtarë të jashtëm, që ishin njerëz profesional të fushave të ndryshme të arsimit: mësues, arsimtarë e profesorë, të cilët ishin të sistemuar  në komisione të ndryshme, si të gjuhës, të arteve, të historisë, pedagogjisë, psikologjisë, matematikës e të fushave të tjera të arsimit dhe të kulturës.

Takimi i parë me Stathi Kostarin ishte shumë mbresëlënës

Me autorin e bashkautorin e shumë teksteve shkollore, që nga Abetarja, kemi punuar gati dhjetë vite së bashku. Ishte marsi i vitit 1973 kur e takova për herë të parë. Shkas ishte konkurrimi im për vendin e lirë të punës, bashkëpunëtor i Pleqësisë së Arsimit të Kosovës, ku Stathi Kostari mbante pozitën e sekretarit. Takimi i parë, ose më mirë të thuhet biseda e parë njoftuese për pranimin tim në Pleqësinë e Arsimit të KSA të Kosovës ishte me praninë  e prof. Tahir Z. Berishës.

Takimi i parë me Stathin ishte shumë mbresëlënës për faktin se ishte një njeri që fliste shumë pastër gjuhën shqipe dhe kishte një theks të veçantë të të folurit. Gjatë shkollimit nuk kisha pasur rastin të takoj ndonjë arsimtar e profesor që ta flas gjuhën shqipe aq bukur dhe aq rrjedhshëm, siç e fliste shefi im, Stathi Kostari. Asokohe një të folur të ngjashme me atë të Stathit mund ta dëgjonim vetëm në valët e radios.

Që nga koha kur e njoha e deri atëherë  kur ai iku në amshim, isha mësuar ta shihja shumë të kujdesshëm dhe elegant, gjithnjë të rregulluar e të veshur me shije të hollë e me kollare, siç i kishte hije një zyrtari dhe gjithnjë të edukuar e të qytetëruar me shkallë të lartë të civilizimit evropian, siç i takonte një intelektuali. Nxënës i Aleksandër Xhuvanit, më.  Nxënës i Shkollës Normale të Elbasanit – brezi i dytë, siç më thoshte shpeshherë.

Edhe njerëzit me të cilët rëndom komunikonte, kryesisht në vizita pune, ishin njerëz, si thuhej, të sofrës së parë të fushës së arsimit e të kulturës së kohës në Prishtinë e në Kosovë. Mbaj mend se në zyrën e punës me Stathin bisedonin Esad Mekuli, Rexhai Surroi,  Mehmet Gjevori, Shefqet Veliu, Tajar Hatipi, Beqir Kastrari, Abdullah Zajmi, Lorenc Antoni, si dhe krijues të tjerë, disa prej të cilëve unë i njihja nga librat e lexuar, si bie fjala poezitë e Esad Mekulit, romanin “Besniku” të Rexhai Surroit, tregimet të Tajar Hatipit. Bisedat kishin të bënin me çështje të ndryshme të arsimit e të kulturës, me hartimin e teksteve shkollore e plan-programeve mësimore, me krijimtarinë letrare e shkencore që zhvillohej asokohe dhe publikohej në revistën letrare “Jeta e Re”dhe revistën shkencore “Përparimi”, me përkthimet në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, e kështu me radhë. Mbaj mend se asokohe bisedohej edhe për çështje të caktuara të gjuhësisë, si për drejtshkrimin e drejtshqiptimin e fjalëve të shqipes, meqë pak kohë më parë, më 1972, në Tiranë ishte mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e pastaj në frymën e atij kongresi, Akademia e Shkencave e RSP të Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, kishte hartuar Fjalorin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Autori i shumë teksteve shkollore karrierën e filloi si mësues në Rahovec

Gjatë punës së tij dyzetvjeçare, Stathi Kostari, ishte i dalluar dhe të gjitha detyrat i kryente me kujdes dhe njohuri e përgjegjësi të duhur, qoftë si mësues, arsimtar e punëtor në lëmin e arsimit, kulturës, gazetarisë dhe publicistikës, por edhe si punëtor shoqëror e politik në Prishtinë, Kosovë e më gjerë. Ai është marrë edhe me hartimin e teksteve shkollore dhe me përkthimin e tyre. Ai, si koautor, bashkë me Mehmet Gjevorin, hartuan Abetaret e para në gjuhën shqipe për shkolla fillore e për të rritur, si dhe shumë libra leximi për shkollat fillore. Përktheu një numër tekstesh për shkollat fillore. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore hartoi plane dhe programe të shkoqitura mësimore për shkollat fillore shqipe (1946 dhe 1947).

Si përkthyes letrar përktheu në gjuhën shqipe një varg veprash të shkrimtarëve jugosllavë dhe të huaj (më se 30 vepra). Ishte redaktor dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i revistave në gjuhën shqipe “Pionieri” dhe “Përparimi” që nga ditët e para të themelimit të tyre, ku botoi edhe një numër punimesh të tija.

Tahir Z. Berisha në korpusin e veprave të tij, “Emra që nuk harrohen – Arsimtarë veteranë (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë”, përmend edhe emrin e Stathi Kosotarit, në mesin e 74 arsimtarëve, që “sipas një evidence jo të plotë në periudhën 1945 – 48 nga Shqipëria kanë ardhur për të shërbyer në Kosovë” (faqe 33). Ai gjithashtu përmend se Kostari u emërua mësues në Rahovec, (faqe 330). Pra, karrierën e tij Stathi e kishte filluar si mësues në Rahovec, kurse pas Luftës së Dytë Botërore ishte anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Rrethit të Podrimës dhe referent i arsimit i Këshillit Nacional-Çlirimtar të po këtij rrethi, deri nga fundi i vitit 1946. Prej vitit 1946 emërohet inspektor i arsimit fillor në Këshillin e atëhershëm Popullor të Kosovës e Metohisë dhe njëkohësisht e ushtron edhe detyrën e anëtarit dhe të sekretarit të Komisionit Pedagogjik pranë Këshillit Popullor të Kosovë – Metohisë  deri në vitin 1950.

Nxënës i dalluar i Shkollës Normale të Elbasanit dhe bursist i Mbretit Zog

Stathi (Dhimitri) Kostari u lind me 15 dhjetor të vitit 1920, në Hoshtevë të Zagories të Republikës së Shqipërisë. Shkollën Normale e kreu në Elbasan, Shqipëri, kurse Shkollën e Lartë të Shkencave Politike në Beograd. Gjatë punës që bënim në një zyrë, Stathi shpeshherë më kishte folur për Normalen e Elbasanit të cilën e kishte mbaruar në vitin shkollor 1940/1941 dhe më kishte treguar edhe se si ishte bërë bursist i Mbretit Zog.

Pas rreth katër dekadave e gjysmë nga ai rrëfim i Stathit, më rastisi që më 14 maj 2019 ta vizitoj ish-Shkollën Normale të Elbasanit që tani ishte Shkolla e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. Në muzeun e kësaj shkolle hasa një lloj albumi me fotografi të nxënësve të dalluar të Shkollës Normale të Elbasanit. Në mes të atyre fotografive ishte shkruar: “Nxënës me prirje të veçanta (1924-1944)”, ndërsa në anën e djathtë të këtij albumi, lart, shkruante “Nxënësit me rezultatet më të larta në mësime 1924-1944”. Në këtë album, ishin fotot dhe emrat e 26 nxënësve të Shkollës Normale të Elbasanit. Në mesin e tyre ishin Sterio Spasse, Ali Abdihoxha, Myrvete Zajmi, Baki Kongoli, (nxënës me prirje të veçanta), ndërsa ish-shefi im, Stathi Kostari, zinte vend në rreshtin e tretë, nga lart, i teti me radhë nga e majta, (nxënës me rezultatet më të larta në mësime).

Intelektuali duhet ta shkruajë e flasë drejt gjuhën standarde shqipe

Një herë, diku nga mesi i vitit 1973 në zyrë, më erdhi një bashkëfshatar imi për të më sjellë një porosi nga babai im. Kur bashkëfshatari im, Destani, hyri në zyrën tonë, unë Stathit ia prezantova se ishte një bashkëvendas imi. Kur u ktheva në zyrë, pasi e përcolla deri në dalje të ndërtesës dhe e falënderova shumë bashkëfshatarin tim për porosinë që më kishte sjellë, Stathi ma tërhoqi vërejtjen se nuk thuhet bashkëvendas, por bashkëvendës dhe e shkroi me laps në një fletë. Fjalën “bashkëvendës”, të shkruar me atë kaliografinë  e tij shumë të bukur, me bukurshkrimin që mund ta gjeje vetëm në abetare, më tha që ta lexoja. Mirëpo, unë e lexova ashtu si e shqiptoja, jo ashtu si e kishte shkruar ai. Më tha që ta shikoja mirë edhe një herë dhe ta lexoja si e kishte shkruar ai, po unë serish e lexoja ashtu siç isha mësuar ta shqiptoja atë fjalë.

Në fund më tha duke qeshur, “është pak reaksionare”, po më duhet të ta them një fjalë popullore. Te ne thonë: “Ku ke parë ti toskë me çizme e gegë me mend!”  Unë që isha shumë i interesuar që të mësoja ashtu si duhej të flitej gjuha jonë e bukur shqipe, vetëm qesha dhe mu duk sikur e gjeta një arsyetim.

–  E po, mua më duhet që këtu të flas gjuhën standarde shqipe, por kur të shkoj në shtëpi duhet të flasë me gjuhën që e kupton nëna ime, – i thash Stathit, më shumë për tu mbrojtur nga padija ime.

– More djalë, ti po përgatitesh të bëhesh një intelektual, prandaj, duhet të mësosh gjuhën standarde shqipe edhe që atë ta shkruash dhe ta flasësh si duhet! Ti një ditë do të diplomosh në fakultetin që e ke regjistruar dhe do të bëhesh jurist. Ndoshta do bëhesh gjykatës. Puna jote do të jetë publike. Ato aktgjykimet ose aktvendimet që do t’i marrësh ti duhet të shkruhen drejt e pa gabime dhe të jenë të kuptueshme. Për një presje ose për një shenjë tjetër pikësimi mund të dëmtohet qytetari i pafajshëm ose të shpëtohet ai që ka bërë faje! – ishte një nga sugjerimet e këshillimet e shumta që m’i bënte Stathi gjatë punës së përditshme.

Një herë tjetër e pyeta, se si është më e drejtë t’i thuhej muajit të parë të vitit, janar, apo kallnor, e të dytit shkurt apo fror dhe Stathi më tha se, gjuha nuk pasurohet duke e heq një fjalë e duke e vu një tjetër, por kur mund të përdorën të dyja.

Te Stathi gjeja forcën shtytëse, inkurajuese dhe motivuese edhe për letërsi

Puna për rreth një dekadë (1973- 1982) në një zyrë me Stathi Kostarin për mua ishte një privilegj i madh, ngase nga ai mësoja shumë, madje si thuhet e kisha një derë të hapur për çdo konsultim që kisha nevojë. Në këtë periudhë zë fill edhe krijimtaria ime letrare më serioze, ndonëse përpjekjet e para i kisha bërë kur isha nxënës në shkollën fillore, në fshatin tim të lindjes, në gazetën e murit, respektivisht në fletushkën shkollore  “Ideali”, ku publikoheshin krijimet letrare të nxënësve dhe vizatimet më të bukura. Atë kohë për krijimtari letrare na motivonte jo vetëm arsimtari i gjuhës shqipe. Këtë motivim e pata edhe në Shkollën e Mesme në Gjilan dhe herë pas here paraqitesha me ndonjë shkrim në fletushkën e shkollës “Shprehja e të rinjve”.

Fati e deshi që edhe gjatë punës në një zyrë me Stathi Kostarin, te ai të gjeja forcën shtytëse, inkurajuese dhe motivuese për shumë punë, pra edhe për krijimtari letrare. Kur hidhja në letër vargjet e ndonjë poezie, së pari ia ofroja Stathit, për herë me lutje që ti shikonte. Pasi ua bënte një përpunim redaktorial, i daktilografoja me makinën e shkrimit dhe i dërgoja në revistën “Zëri i rinisë” apo në “Rilindje” dhe ato ditëve në vijim botoheshin.

(Krahas fotove që më dërgoi për Stathi Kostarin, miku im që nga ditët e rinisë, Hamza Halabaku, për çka edhee  falënderoj, po e jap edhe një foto tonë me kronistin e njohur të shkollës shqipe, profesor Tahir Berishës gjatë një takimi në Prishtinë, më 14 Gusht 2007)