(Foto shënim këtu e dhjetë vjet më parë si e pashë këtë metropol të kulturës botërore)
Duke shfletua arkivin tim gjeta se pikërisht sot e dhjetë vjet më parë, më 2 Shkurt 2011, kisha botuar ketë shkrim pas një vizite në Paris, ku shfaqëm një koncert me “Shotën” e Zvicrës, ndaj edhe shkrimin po e jap në tersi si edhe dhjetë vjet më parë: Nga mërgimtarët e hershëm, që erdhën për të siguruar kafshatën e gojës, deri tek studentët shqiptar nga trojet e ndryshme etnike që vijnë për të thith nektarin e dijes. — Po ne Paris jetojnë e veprojnë edhe disa figura shqiptare që me veprat e tyre bëjnë sado pak hise në kulturën e përbotshme
Foto e teksti: Rexhep RIFATI
Ndonëse gjatë nëntorit të vitit 2010- të, qëndrova vetëm dy ditë në metropolin botëror të kulturës, kryeqytetin francez- Parisin, megjithatë pata rastin të takoj një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Rasti ishte i volitshëm. sepse në mbrëmjen e 15 nëntorit në sallën e teatrit «La Palace» në Paris, pronë e vëllezërve me origjinë shqiptare, aktorëve Haziz dhe Alil Vardari, takuam bashkatdhetarë gjeneratash të ndryshme: prej atyre të migruar 30-40 vjet më parë dhe deri tek brezi më i ri, kryesisht nxënës e studentë që shkollohen në këtë metropol shumë milionësh.
Teatri «La Palace» pronë e vëllezërve Vardari
Ajo që na la mbresë në sallën e teatrit reprezentativ «La Palace» ishte prania e disa burrave të moshuar shqiptarë që ishin ulur në një rresht pranë njëri tjetrit, që thuaja se çdo dalje të anëtarëve të Ansamblit të Shkollës Shqiptare te Vallëzimit „Shota“, në Zvicër, që ishte mysafire e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë, z. Muhamedin Kullashi, e përcillnin me duartrokitje , ndërsa që në sytë tyre vërehej një mall e nostalgji.
Kurbetçinjtë e hershëm dhe studentët e ri
Gjatë pauzës nuk mundëm e të mos shkëmbenim një bashkëbisedim të shkurtën me këta bashkatdhetarë, mërgimtarë të ardhur këtu e disa dekada më parë. Ishin këta Selim Selimi nga Kërçova i ardhur si punëtor krahu qysh më 1962; Qamil Selimi po ashtu nga Kërçova , pastaj Kadri Kadriu nga Kamjani i Tetovës që këtu në Paris e kishte sjell zejen tradicionale të ëmbëltorit, Refik Hebibi nga Presheva që kishte migruar në vitin 1970 dhe ishte me profesion shofer aeroporti dhe Njazi Kadriu nga Kumanova, që po ashtu kishte migruar 40 vite më parë në Francë.
Nga biseda e shkurtër me këta kurbetçi të hershëm mësuam se për ta migrimi në fillim ishte një sfidë e madhe pasi vështirë e kishin të gjendeshin në këtë mjedis shumëmilionësh dhe se me shkuarjen e viteve disa nga ta sollën dhe familjet dhe tash kanë edhe nipa e mbesa. Ata shprehën kënaqësinë që të rinjtë tanë , ata të brezit të dytë e sidomos të tretë nuk do të merren me punë të rënda si prindërit apo gjyshatë e tyre.
Studentët shqiptarë që përmes punës kompensojnë shkollimin!
Po në këtë mbrëmje duke shërbyer me specialitetet tona, takojmë studentët Xhelal Sertollin , që studionte shkencat e edukimit, Flamur Mangjollin , shkencat politike (që të dy nga Kosova), Eklieda Xhelilin nga Gramshi i Shqipërisë që studionte gjuhët e huaja dhe doktorantin, Nezir Kraki që përgatiste mbrojtjen e tezës së doktoraturës në temën :”Roli i Bashkimit evropian në pozicionet e shteteve të BE-së karshi Kosovës”. Pra brenda një kulmi mërgimtarë të hershëm e të ri . Ata që kishin ardhur për bukën e gojës dhe këta të fundit për shkollim e kompletim diturie, por që krahas studimeve edhe duhet të punojnë sa për të mbuluar shpenzimet e shkollimit.
Fryma shqipe në një ambient francez
Në hyrje të teatrit «La Palace» , ishte shtruar edhe një koktej rasti, e ushqime nga kuzhina jonë tradicionale te shohin edhe një ekspozitë me motive shqiptare të piktorit Zamir Mati i cili jeton në Paris e që është edhe anëtar i “shtëpisë së Artistëve”. Ambienti lente përshtypjen se frymonte shqip, ndonëse kishte edhe diplomat të huaj të kredituar në Paris, e që ishin mysafir të ambasadorit Kullashi. Vetë prania e disa e figurave të artit që jetojnë e veprojnë këtë kryeqendër botërore të kulturës, sikur na bënte më krenar, se edhe ne jemi sado pak hisenik në begatinë e përbotshme kulturore të këtij mjedisi. Takuam aty edhe profesorin Izet Curri, me prejardhje nga komuna e Kaçanikut , i cili si kreator/ dizajner i njohur që jeton dhe vepron në Paris, ka arritur të bëhet bartës i klasës së dizajnit të modës, si dhe themelues dhe hartues i plan programit të ‘’Design Factory’’, i cili me një mikeshë franceze bisedonte sa në shqip sa në frëngjisht. Ishte kjo zonja Odette Marquet ,që një pjesë të jetës e kishte kaluar në Kosovë e tash sa vite edhe në Shqipëri si misionare. Jo vetëm që na befasoi me njohjen e mirë të shqipes , por edhe me pohimin se ajo ishte një “shqiptaro-franceze” pasi që kishte kaluar një pjesë të mirë në mesin e shqiptarëve dhe kishte përjetuar mikpritjen e tyre kudo që kishte shkuar.
Shqiptarët që fiksoheshin vallëzimit të përbashkët!
Po në Paris , te kulla e Ajfelit si edhe 30 e sa vite më parë kisha takuar nxënësen e dikurshme të gjimnazit në Lil të Francës, Sanije Bajraktarin, derisa ishim me Ansamblin e “Kastriotëve” të Ferizajt në një turne në Francë. Atëbotë Sanija ishte edhe prezantuese e programit në gjuhën frëngjishte. Më kujtohet një detaj kur në një sallë të Parisit e dhamë programin shqiptarët u ulen ndaras në sallë: në anën e djathtë ata që konsideroheshin si zogistë e ballistë e që kishin emigruar menjëherë pas luftës së dytë botërore dhe në të majtë migracioni i ri, që ishin adhurues të socializmit e komunizmit dhe që nuk donin në asnjë mënyrë të prekeshin me njëri tjetrin. Vetëm kur valltarët zbritën nga skena në mesin e publikut disa nga dy anët iu bashkuan grupi, por duke nguruar që të mos preken me njëri tjetrin nëse i përkasin taborit tjetër ideologjik!!!
Ndërkaq që tash situata ka ndryshuar plotësisht dhe në programe lozin e këndojnë bashkë pa dallim prejardhjeje e bindjeje politike e ideologjike apo fetare. Ndërkaq ajo Sanija e vogël, Sanije Bajraktari e para 30 vitesh, ka diplomuar gjuhën dhe letërsinë franceze dhe është martuar dhe ka krijuar familje e tash është këshilltare në ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris.
Ja pra edhe këtu sa i përket pranisë dhe ngritjes e shkollimit të shqiptarëve diçka ka ndryshuar, po ende larg nga ajo që do të synonim.
Si edhe tri dekada më parë , atëbot me ansamblin e “Kastriotëve” të Ferizajt e tash me artistët e Shkollës së Vallëzimit “Shota” në Zvicër të drejtuar nga Agron bajrami, sërish u gjendem me daulle e lahut, para kullës së Ajfelit, ku me dhjetëra turistë vërshuan që me objektivat e tyre të kapin incerte nga vallet e bukura shqiptare me kostume të larmishme nga trojet tona etnike. Në mesin e fotove:
Legj.1) Shqiptarët me flamuj duke parakaluar pranë portës triumfale të Parisit
Legj 2) Kurbetçinjtë tanë që kanë migruar 3-4 dekada më parë në Francë
Legj 3) Studentët nga viset shqiptare që studiojnë në universitetet t Parisit
Legj 4) Kreatori shqiptar i modës, Izet Curri, që jeton në Paris me misionaren Odette Marquet, që jeton në Tiranë
Legj 5) Në bisedë me Sanije Bajraktarin, këshilltare e ambasadës së Kosovës në Paris
Legj 6) Artistja, Ajshe Muriqi- Fetaj me këngët e përcjella me lahutë, tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve tek kulla e Ajfelit në Paris